Home Gjeo-Ekonomia 2023 vit arritjesh e sfidash, 2024 perspektiva të reja rritje të Kinës

2023 vit arritjesh e sfidash, 2024 perspektiva të reja rritje të Kinës

Nga Genc Mlloja

Fundi i vitit 2023 dhe fillimi i këtij viti janë karakterizuar nga veprimtari intensive të organeve të të gjitha niveleve më të larta partiake dhe shtetërore në Kinë me pjesëmarrjen e udhëheqësve kryesorë me në krye Presidentin Xi Jinping objektivi kryesor i të cilave ka qenë analiza e gjithanshme e arritjeve të vendit në fushën ekonomike, politike dhe diplomaci, si dhe përmirësimi i punës për të përballuar sfidat e 2024. Për më tepër ky vit shënon një ngjarje historike për popullin kinez – 75-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe nga ana tjetër është një vit kritik për arritjen e objektivave dhe detyrave të planit të 14-të pesëvjeçar.

Kuptimplotë është konkluzioni i një takim të rëndësishëm mbi politikën jashtme kineze (Konferenca Qendrore mbi Veprimtarinë e Politikës së Jashtme), që u mbajt në fund të vitit të kaluar në Pekin (28 dhjetor 2023) për herë të katërt se më parë ishte mbajtur në 2006, 2014 dhe 2018, ku u analizuan arritjet dhe përvoja diplomatike kineze në dekadën e fundit, ku ndërtimi i një komuniteti me fate të përbashkëta për njerëzimin është bërë shtylla kryesore e politikave të jashtme kineze, si më poshtë: “Drejtimi i përgjithshëm i zhvillimit dhe përparimit njerëzor nuk do të ndryshojë, logjika e përgjithshme e progresit në udhëkryqet e historisë botërore nuk do të ndryshojë dhe tendenca e përgjithshme e bashkësisë ndërkombëtare, që ka një të ardhme të përbashkët, nuk do të ndryshojë”.     

Në fjalën kryesore, Presidenti Xi, që është edhe Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës dhe Kryetar i Komisionit Qendror Ushtarak,  analizoi hollësisht arritjet historike dhe përvojën e vlefshme të diplomacisë me karakteristikat kineze në epokën e re, shtjelloi mjedisin ndërkombëtar dhe misionin historik të diplomacisë dhe të politikës së jashtme të Kinës në ‘udhëtimin e ri’, duke vënë theksin mbi synimet gjithëpërfshirëse të politikës së jashtme për të tashmen dhe të ardhmen.

Dhe realieti tregon se çdo gjë që po ngjet në konfliktet e gjata të përgjakshme në disa pjese nevralgjike të botës, si dhe rritja me ritme të ulta e ekonomive perëndimore, disa me elementë të një stanjacioni të pritshëm, sipas ekspertëve të organizatave ndërkombëtare, paraqet një gjendje kritike të rrezikshme që jo vetëm nuk pritet të kthehet në normalitetin e shpresuar më 2024, por vazhdon të përkeqësohet. Konflikti Rusi-Ukrainë vazhdon me pasoja katastrofike që nga shkurti i vitit 2022. Kurse shpërthimi i luftimeve të reja Izrael-Palestinë më 7 tetor 2023 me pasoja tragjike, që vazhdojnë akoma të marrin jetë njerëzish të pafajshëm dhe të mbjellin shkatërrim, është një këmbanë alarmi se kohë të vështira e presin botën më 2024. Megjithatë, Lindja e Mesme, Afrika, Amerika Latine, në fakt i ashtuquajturi Jugu Global në tërësi, po bën përpjekje për zhvillim dhe përpiqet të hartojë një të ardhme më të mirë. Dhe kur fuqitë perëndimore me ShBA në krye kanë shtuar angazhimet ushtarake, veçanërisht në luftën e Ukrainës, dhe pak interes tregojnë aktualisht për të kontribuar në aspektin jetik të zhvillimit ekonomik të Jugut Global komuniteti ndërkombëtar dëshiron që Kina të luajë një rol edhe më të madh në rigjadhërimin e ekonomisë globale, duke ndihmuar në nxitjen e ekonomive të pjesës më të madhe të këtyre vendeve dhe ndërtimin e një rendi botëror më të qëndrueshëm, dhe për të trajtuar sfidat globale si për shembull ndryshimi i klimës.

Dhe pritshmëritë e këtyre vendeve janë të bazuara në realitetet e Kinës, që edhe në të kaluarën nuk i ka lënë në baltë. Kohët e fundit, Steven Barnett, Përfaqësuesi i Lartë i FMN-së në Kinë, tha në një intervistë se Kina do të kontribuojë me një të tretën e rritjes ekonomike globale në vitin 2023, sipas CCTV. Ai parashikoi se rritja më e lartë dhe më elastike është e arritshme për Kinën në vitin 2024. Në një koment për këtë Wang wenbin, Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, tha në një konferencë shtypi më 21 dhjetor 2023 se kohët e fundit shumë organizata ndërkombëtare si FMN dhe OECD kanë rishikuar parashikimet e tyre të rritjes për vitin 2023 për Kinën dhe janë të sigurt në perspektivat ekonomike të saj në 2024. “Kina konsiderohet gjerësisht si motori më i madh për ekonominë botërore. Konstatimi i FMN-së tregon se rritja më e shpejtë në Kinë ka efekte pozitive në pjesën tjetër të botës. Një rritje prej një pikë përqindjeje në Kinë do të rriste mesatarisht nivelin e prodhimit në ekonomitë e tjera me 0.3 për qind”, tha ai, duke mirëpritur bizneset nga e gjithë bota që të vazhdojnë të vijnë në Kinë, duke garantuar sukses global. “Ne do të vazhdojmë të zgjerojmë hapjen e nivelit të lartë, të përmirësojmë mjedisin e biznesit, të rrisim mbrojtjen e pronësisë intelektuale, të formojmë një ekosistem inovativ të hapur dhe konkurrues globalisht dhe të ndajmë me botën arritjet e zhvillimit të Kinës”, tha Wang në intervistë që mund të lexohet në faqet e website të Ministrisë së Jashtme.

Ndërkohë në konferencën mbi politikën e jashtme kineze është deklaruar se në punimet e saj u theksua se duke pasur parasysh një sërë çështjesh dhe sfidash madhore me të cilat përballet bota sot, Kina bën thirrje për një botë shumëpolare të barabartë dhe të drejtë dhe një globalizim ekonomik universalisht të dobishëm dhe gjithëpërfshirës për të gjithë vendet.

Për të çuar më tej përparimin drejt multipolaritetit më të madh në përgjithësi të qëndrueshëm dhe konstruktiv, qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara duhet të respektohen nga të gjithë, normat themelore të njohura botërisht që rregullojnë marrëdhëniet ndërkombëtare duhet të mbështeten nga të gjithë dhe duhet të praktikohet multilateralizmi i vërtetë, u vu në dukje në konferencë.

“Është e rëndësishme të kundërshtojmë me vendosmëri përpjekjen për të rikthyer globalizimin dhe abuzimin me konceptin e sigurisë, të kundërshtojmë të gjitha format e unilateralizmit dhe proteksionizmit, të promovojmë me vendosmëri liberalizimin dhe lehtësimin e tregtisë dhe investimeve, të kapërcejmë problemet strukturore që pengojnë zhvillimin e shëndetshëm të ekonomisë botërore, dhe ta bëjë globalizimin ekonomik më të hapur, gjithëpërfshirës, të balancuar dhe të dobishëm për të gjithë”, u tha në takim.

Në konferencë u theksua gjithashtu se gjatë dhjetë vjetëve të fundit Kina ka hapur perspektiva të reja të diplomacisë me karakteristika kineze, ka fituar më shumë autonomi strategjike e iniciativë diplomatike dhe është shndërruar në një vend të madh të përgjegjshëm me një rritje të forcës ndikuese në botë, me aftësi më të madhe për të nxitur veprime të reja dhe me më shumë forcë tërheqëse në aspektin moral. Dhe realiteti tregon botërisht që Kina është bërë ndër aktorët më kryesorë në skenën politike botërore, mos ndoshta aktualisht më kryesori, dhe prandaj diplomacia botërore, përfshi edhe atë perëndimore, kërkon ndërmjetësimin e Kinës në shumë konflikte, gjë që nuk ka munguar nga Pekini zyrtar, veçanërisht vitin e kaluar.

Kështu mesazhi i Presidentit kinez Xi Jinping për Vitin e Ri ka sjellë shpresa më të mëdha për bashkëpunim global dhe unitet më të madh për paqen botërore.

“Ndërsa po ju flas, konfliktet janë ende të ndezura në disa pjesë të botës. Ne kinezët jemi shumë të vetëdijshëm se çfarë do të thotë paqe. Ne do të punojmë ngushtë me komunitetin ndërkombëtar për të mirën e përbashkët të njerëzimit, do të ndërtojmë një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin dhe do ta bëjmë botën një vend më të mirë për të gjithë. Pikërisht në këtë moment, kur dritat në miliona shtëpi ndriçojnë qiellin e mbrëmjes, le të urojmë të gjithë prosperitetin e vendit tonë të madh dhe le t’i urojmë të gjithë botës paqe dhe qetësi! Ju uroj lumturi në të katër stinët dhe suksese e shëndet të mirë në vitin e ardhshëm!” theksoi Presidenti Xi ne mesazhin e tij për Vitin e Ri më 31 dhjetor 2023.

Kurse në Konferencën vjetore qendore mbi ekonominë në të cilën u përcaktuan përparësitë për veprimtarinë ekonomike në vitin 2024, që u mbajt në Pekin më 12 dhjetor 2023, Presidenti Xi Jinping mbajti një fjalim të rëndësishëm. Në Konference u theksua se ekonomia e Kinës ka arritur një rigjallërim, me përparim të fortë në zhvillim me cilësi të lartë në vitin 2023, por ka ende disa vështirësi dhe sfida që duhet të tejkalohen për të rigjallallëruar më tej ekonominë.

Trendi i rimëkëmbjes ekonomike dhe perspektiva pozitive afatgjatë nuk ka ndryshuar dhe sikurse u theksua në konference është bërë përparim i rëndësishëm në ndërtimin e një sistemi industrial modern dhe janë arritur përparime të reja në inovacionin shkencor dhe teknologjik. Reforma dhe hapja janë avancuar në thellësi dhe mjetet e jetesës së njerëzve janë garantuar në mënyrë efektive.

Ndërkohë, sipas konkluzioneve të konferencës, konsumi po luan një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në nxitjen e rritjes në Kinë, me shpenzimet e konsumatorit që kontribuan me 83.2 për qind në rritjen ekonomike në tre tremujorët e parë, treguan të dhënat nga Byroja Kombëtare e Statistikave. Ndërkohë, sektori i dërgesave ekspres në vend ka trajtuar një rekord prej 120 miliardë pakosh në 2023, tregues i rritjes së vazhdueshëm të kërkesës së konsumatorëve.

Për të ringjallur më tej ekonominë, Kina duhet të kapërcejë ende disa vështirësi dhe sfida, duke përfshirë mungesën e kërkesës efektive, mbikapacitetin në disa sektorë, rreziqe të caktuara dhe probleme të fshehura, u tha në takim.

Lidhur me veprimtarinë ekonomike më 2024, takimi bëri thirrje për përpjekje më të mëdha drejt përparimit, duke siguruar e konsoliduar stabilitetin përmes zhvillimit dhe për të vendosur të renë përpara se të shfuqizohet e vjetra.

Në takim u kërkua futja e më shumë politikave që do të ndihmojnë në stabilizimin e pritshmërive, rritjes dhe punësimit, si dhe për të nxitur tranzicionin e modeleve të rritjes, rregullimin strukturor dhe përmirësimin e cilësisë dhe efikasitetit, në mënyrë që të konsolidohen themelet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik me perspektivë pozitive.

Konferenca trajtoi gjërësisht aspektin e zgjerimit të hapjes së nivelit të lartë dhe zgjidhjen e rreziqeve në fushat kryesore. Është e nevojshme, u tha nga pjesëmarrësit në konferencë, të përshpejtohet nxitja e ritmeve të tregtisë së jashtme, të konsolidohet struktura bazë e saj dhe e investimeve të huaja, si dhe të zgjerohet tregtia në mallra dhe shërbime të ndërmjetme, si dhe eksportet ndërkufitare të tregtisë elektronike.

Duke bërë thirrje për vazhdimin e ndërtimit të një mjedisi biznesi të orientuar nga tregu, ligjor dhe ndërkombëtar, konferenca theksoi nevojën për të hequr në mënyrë efektive pengesat për të huajt për të ardhur në Kinë për biznes, studim dhe turizëm, dhe për të bërë një punë të mirë në zbatimin e tetë hapave për mbështetjen e bashkëpunimin me cilësi të lartë në kuadrin e megaprojektit ‘Një Brez, Një Rrugë’.

Vjet shënoi 10-vjetorin e propozimit të Kinës për të ndërtuar një komunitet me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin. Ky koncept është bërë simboli i identitetit më dallues për diplomacinë kineze. Kina shpreson që jo vetëm të zhvillohet më shumë vetë, por gjithashtu shpreson që të gjitha vendet në botë të mund të përparojnë së bashku dhe ky concept, sipas saj, do të ketë një ndikim të thellë në zhvillimin botëror.

Vizioni i Kinës i një komuniteti global të së ardhmes së përbashkët mban parasysh mirëqenien e mbarë njerëzimit. Ai bazohet si në vëzhgimin e së tashmes ashtu edhe në planifikimin vizionar për të ardhmen. Ai përcakton qëllimet, skicon rrugën dhe ofron plane veprimi për t’i arritur ato. Ka të bëjë me të ardhmen e njerëzimit dhe fatin e çdo njeriu.

“Ndërsa ndjek zhvillimin e saj, Kina gjithashtu ka përqafuar botën dhe ka përmbushur përgjegjësinë e saj si një vend kryesor. Ne mbajtëm Samitin Kinë-Azi Qendrore dhe Forumin e Tretë Një Brez, Një Rrugë për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe pritëm liderë nga e gjithë bota në shumë ngjarje diplomatike të mbajtura në Kinë. Kam bërë gjithashtu vizita në një sërë vendesh, kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare dhe kam takuar shumë miq, të vjetër dhe të rinj. Kam ndarë vizionin e Kinës dhe kam përmirësuar mirëkuptimet e përbashkëta me ta. Pavarësisht se si mund të evoluojë peizazhi global, paqja dhe zhvillimi mbeten prirja themelore dhe vetëm bashkëpunimi për përfitim të ndërsjellë mund të sjellë rezultate”, theksoi Presidenti Xi ne mesazhin e tij të Vitit të Ri.

Është e qartë dhe kjo u përforcua më tej në dy konferencat qendrore si dhe në mesazhin e Vitit të Ri të Presidentit Xi se Kina nuk do të resht veprimtarinë diplomatike duke u angazhuar më shumë në vitin 2024 për të kontribuuar në zgjidhjen e problemeve ekzistuese, konflikteve që vazhdojnë e shmangjen e konflikteve të reja në botë e ardhmja e së cilës është të jetë një bote multipolare.

Ky vit shënon 75- vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës dhe populli i saj ka me se të krenohet se kundrejt kohëve të e errëta të së kaluarës kushtet e tyre të jetesës kanë ndryshuar si nata me ditën, ndërsa vendi i tyre është ngritur në piedestalin e lavdisë si fuqia më e madhe në zhvillim e sipër në botë. Nga ana tjetër më lart rritet autoriteti i Kinës në mes të popujve të botës, e cila përsëriti zotimin për një përkushtim më të madh, që të kontribuuojë në mënyrë aktive për qëllime të larta, të mëdha dhe sfiduese, si paqja botërore, përmirësimi i jetës së qytetarëve në të gjitha vendet dhe avancimi i ndërtimit të një komuniteti me një të ardhme të përbashkët për njerëzimin!/CRI.CN

Share: