Nënkryetari i Partisë Demokratike, Roland Bejko thotë se 8 janari i vitit 2022, do të mbetet një njollë e zezë në historinë e kësaj force politike.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Bejko u shpreh se Sali Berisha ka marrë selinë, por jo Partinë Demokratike.
Sipas Bejkos, Berisha e donte Partinë Demokratike për t’i bërë presion drejtësisë.
“Natyrisht, në historinë e Partisë Demokratike ka për të qenë një njollë e zezë, 8 janari i dy viteve më parë, njësoj si në vendet e pazhvilluara në Afrikë, u zhvillua nje grusht institucional brenda së njëjtës parti, nga ata që pretendojnë se Shqipëria duhet të integrohet në Bashkimin Evropian. Mentalitete të tilla nuk të çojnë drejt Bashkimit Evropian, por të largojnë prej saj. Ishte dhe ka për të mbetur një njollë e zezë në historinë e Partisë Demokratike. Tashmë, në këto kushte kur hallet e mëdha i kanë rënë mbi supe dhe gjendet i izoluar në shtepinë e vet, na e ka dhënë panoramën më të qetë se pse ndodhi ai sulm. E ka pushtuar selinë e Partisë Demokratike. Ka marrë selinë, por partinë nuk e ka marrë dot. Ne kemi thënë dhe koha nuk na ka zhgënjyer, zotit Berisha i duhet Partia Demokratike, sepse kërkon që përmes saj, t’i bënte presion drejtësisë, ta përdorte Partinë Demokratike si një bunker.
E donte Partinë Demokratike sepse ka identifikuar veten e tij me Partinë Demokratike, mendon se Partia Demokratike është ai, që e ka krijuar ai, që nuk është e vërtetë. Partinë Demokratike e krijuan studentët. Ai e identifikon veten e tij me Partinë Demokratike dhe sipas tij, një parti që nuk mbron dot kryetarin e vet nuk meriton të ekzistojë. Ajo që përfitoi zoti Berisha nga kjo situatë, e pengoi Partinë Demokratike që të konkurrojë si një forcë e madhe dhe na futi në armiqësi”, theksoi ai.
360grade.al