Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Kosova që të shtyjë afatin për zbatimin e vendimit BQK-së, për ndalimin e përdorimit të dinarit serb në Kosovë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, në konferencë për medie, bëri thirrje për një periudhë të mjaftueshme tranzitore që do të mundësonte gjetjen e një zgjidhje të negociuar për këtë çështje specifike.
“Kjo është deklarata e QUINT-it, ky është formati ndërkombëtar për të folur për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën-Serbinë, dhe lidhur me vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e saj për operacionet me para të gatshme, e cila ka për qëllim reduktimin e parave të gatshme, mbrojtjen, stabilitetin financiar dhe rritjen e transparencës së flukseve të parasë në Kosovë, natyrisht, ne e morëm parasysh atë, por gjithashtu morëm parasysh ndikimin që do të ketë, dhe ndikimin që ka në komunitetet me shumicë serbe. Dhe kjo ngre shqetësim pikërisht lidhur me ndikimin e kësaj rregulloreje në komunitetet me shumicë serbe në Kosovë, në veçanti shkollat dhe spitalet, për të cilat nuk ka asnjë proces alternativ i cili do të ishte i zbatueshëm për momentin.
Kjo rregullore do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në jetën e përditshme të shumicës dërrmuese të serbëve të Kosovës që marrin pagesa apo ndihmë financiare nga Serbia në dinar serbë. Pra, duke pasur parasysh pasojat e mundshme të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, presim që aspektet që kanë të bëjnë me komunitetin serb në Kosovë do të adresohen në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Dhe ne po bëjmë thirrje për një periudhë mjaft të gjatë tranzicioni që mundëson gjetjen e zgjidhjes së negociuar për këtë çështje specifike”, tha ai.
Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Stano tha se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak po bënë përpjekje për të çuar përpara dialogun.
“Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd – Prishtinë ka në mandatin e tij avancimin e dialogut. Pra, kjo është arsyeja pse ai po ndër vepron me partnerët si në rajon ashtu edhe në shtetet anëtare dhe jashtë edhe në kontekstin ndërkombëtar. Pra, bisedimet e sotme me presidentin Vuçiç dhe bisedimet e nesërme me homologët kosovarë në Prishtinë, bisedimet me presidentin Vuçiç në Beograd dhe nesër me homologët kosovarë në Prishtinë janë pjesë e mandatit të tij, janë pjesë e punës dhe përpjekjeve të tij të vazhdueshme në drejtim të ndihmës së të dyja palëve për të çuar përpara dialogun”, përfundoi Stano./KosovaPress