Nga Orjona Tresa
Emisionet Reality, në qendër të së cilës vendosen individë me sjellje por edhe kualifikime të ndryshme, natyrshëm prodhojnë dhe nxitin tema dialogu edhe jashtë ekranit televiziv si format. Sepse sot mediat vizive janë të kudondodhura, në smartfonë, PC apo laptopë. Dhe, duke përbërë ndjeshmëri për shoqërinë, (aq sa ngujohen në shikimin e formateve të tilla 24/7) këto tema marrin trajtesa të gjithfarëllojshme nga ndjekësit. Disa nxjerrin në pah problematika të natyrës sjellore apo normativave që dikton ambienti, të tjerë vënë në diskutim qëndrime të cilat mund të duken arkaike në shekullin që po jetojmë. Duke dashur të sjellim kontributin tonë si faqe, ju propozojmë të lexoni mbi çfarë kemi evidentuar më së paku në një lojë si Big Brother, fenomenin e të qenët i sinqertë!
Edhe pse, duhet thënë, kjo lojë e tillë është e konceptuar dhe jo çdokush zgjedh të përdorë si armët e fitores gënjeshtrën apo mashtrimin për t’ia dalë. Në revoltë me parimet dhe besimin e tij të formuar, violinisti dhe kompozitori i talentuar Ervin Gonxhi, u deklarua në një diskutim mes miqsh që i qëndrojnë afër brenda reality-it ku bën pjesë, se nuk do të ndryshonte asnjëherë qëndrim karshi të vërtetës dhe të qenët i sinqertë me të gjithë, edhe nëse do t’i duhej të përdorte tonin e lartë për të treguar vendosmërinë e tij. Në fakt, një lojë mund të fitohet edhe përmes sinqeritetit, varet se si do ta mbrosh të vërtetën tënde, pa rënë në grackën e fjalëve provokuese.
Të jesh i sinqertë do të thotë të thuash atë që mendon, ndërsa të jesh brutal do të thotë të trajtosh keq njerëzit. Sigurisht që mund të thuash atë që mendon pa i trajtuar keq të tjerët, sepse nëse e mendon për një moment, këto dy gjëra nuk lidhen. Është e vërtetë që ne jemi vetëm njerëz dhe se zemërimi mund të na zërë të papërgatitur, por më shpesh ne përgjigjemi keq për t’u mbrojtur nga ajo që e perceptojmë si një sulm ndaj mënyrës sonë të të menduarit, ndaj skelës rreth së cilës ndërtojmë identitetin tonë profesional. Dhe këtu është fjala për bindjet dhe besimet që kemi ndërtuar herët.
Të gjithë i kemi, të gjithë i mbrojmë, ndonjëherë duke paguar çmimin. Megjithatë, nëse jeni mjaft të pjekur dhe të vetëdijshëm, mund ta lini mënjanë egon tuaj dhe të përqafoni idetë naive të bashkëbiseduesve tuaj dhe t’i kuptoni ato. Në atë pikë nuk do të bëhet fjalë për të kontrolluar reagimet e dikujt, por për t’i vëzhguar dhe për t’i mirëpritur ato.
Nuk është çështja të jesh i fortë, përkundrazi, të jesh mjaft i dobët.
Ata rreth jush do të perceptojnë një ndryshim të madh./RevistaPsikologjia