Në qarkun e Dibrës, reshjet e dëborës i kanë lënë vendin temperaturave të ulëta dhe ngricës. Në orët e para të mëngjesit termometri ka shënuar -7° në qytetin e Peshkopisë, ndërsa në Kalanë e Dodës -13° si pasojë e erës së fortë.
Rrugët janë të ngrira dhe ka një reduktim të ndjeshëm të lëvizjes së automjeteve. Ndërprerja e reshjeve u ka dhënë kohë mjeteve borëpastruese të avancojnë në hapjen dhe kriposjen e tyre.
Rruga Peshkopi-Bulqizë-Klos është e kalueshme, ndërsa policia vijon të mbajë të bllokuar segmentin e rrugës së Arbrit nga rreth rrotullimi i Klosit drejt Qafës së Murrizit, derisa kripa e hedhur të shkrijë akullin që ka shtresëzuar në asfalt.
Kalimi deri në një njoftim të dytë do të bëhet në rrugën e vjetër, nga Burreli. Ditën e djeshme janë shënuar dy aksidente, një në fshatin Shkallë, dhe një në baypasin e Mutrizit ku një veturë është përplasur me barrierat e rrugës dhe kishte mbetur i bllokuar.
Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës i kalueshëm me zinxhirë, ka pasur probleme në një segment nga Qafë Kalaja drejt Vasies, për shkak të erës së fortë. Aksi Ura e Çerenecit-Librazhd i kalueshëm me zinxhirë deri në Njësinë Administrative Ostren, më tej i bllokuar.
Janë hapur një pjesë e rrugëve të njësive Administrative, më të afërta me qytetin, ndërsa vijojnë të jenë të bllokuara shumë prej tyre Në Bashkitë Dibër, Bulqizë dhe Klos të cilat kanë qenë më të goditura nga moti i keq, nuk ka pasur probleme me energjinë elektrike. Nga spitali Rajonal Dibër bëhet e ditur se nuk ka pasur asnjë rast emergjence, apo thirrje për ndihmë nga zonat e thella.
360grade.al