Për njerëzit e Kosta Rikës në Amerikën Qendrore, bashkëkombasit e studentit të Universitetin e Biznesit Ndërkombëtar dhe Ekonomisë në Pekin, Felipe Mora, Kina mund mos të jetë destinacioni i parë për arsimin e lartë, duke pasur parasysh afërsinë e atdheut të tyre me Shtetet e Bashkuara, por Mora nuk do të kënaqej me asgjë tjetër.
Ai madje shpërfilli këshillën e të atit dhe vendosi të ndiqte masterin e tij në Kinë. Mora beson se është gjithmonë më mirë të zgjedhësh një rrugë më pak të shkelur. Ai preferon të jetë jashtë pistave të rrahura. Meqenëse u rrit dhe mori arsimim të hershëm si në Kosta Rika ashtu edhe në SHBA, ai flet rrjedhshëm spanjisht dhe anglisht. Tani, ai është i vendosur të zotërojë edhe gjuhën kineze, edhe pse ai ndjek përsosmërinë si në fushat akademike ashtu edhe në zbavitjet si udhëtimet dhe “slacklining”.
Ndryshe nga shumica e bashkëmoshatarëve të tij, Mora, tani 25 vjeç, hoqi dorë nga mundësia për të përfunduar arsimin e lartë në SHBA në vitin 2018. Në vend të kësaj, ai vendosi të udhëtonte në Kinë për studime të mëtejshme.
foto: ChinaDaily
“Të shkosh në SHBA për kolegj është një opsion i mirë, por të mësosh një gjuhë të tretë do të më japë më shumë vlerë si person. Dhe për mua, Kina do të thotë më shumë se vetë gjuha, sepse kur studion gjuhën, studion më mirë kulturën”, tha ai.
Mora theksoi se ai zhvilloi një interes për Kinën përmes filmave kur ishte fëmijë. Megjithatë, ai nuk mund të thoshte as “përshëndetje” në kinezisht kur shkeli rishtas në Kinë. Madje e shqiptoi gabimisht fjalën “faleminderit” në mandarine në një restorant.
“Më kujtohet se si njerëzit qeshnin. Pastaj i premtova vetes se sado kohë do të duhet për të mësuar këtë gjuhë, do ta flisja rrjedhshëm si një kinez vendas. Ky ka qenë qëllimi im që atëherë”,- tha ai.
Së shpejti, gjuha nuk ishte më pengesë për Morën. Një student i shpejtë dhe punëtor, ai mbaroi kurset e gjuhës para kolegjit në vitin 2019. Tani është në vitin e katërt të diplomës bachelor në tregtinë ndërkombëtare në Universitetin e Biznesit Ndërkombëtar dhe Ekonomisë, ose UIBE, në Pekin.
Mora tha se ai ka qenë veçanërisht i magjepsur me arkitekturën e lashtë kineze. Shtresat e tullave të vendosura në mënyrë të përsosur njëra mbi tjetrën e tërheqin gjithmonë vëmendjen e tij. Ai pëlqen shumë vende si Tempulli i Qiellit dhe Pallati i Verës.
“Më kthejnë pas në kohë dhe më bëjnë të imagjinoj se si kanë qenë dikur”, tha ai.
Ai kujtoi se Kina nuk ka qenë një destinacion popullor për arsimim ndër bashkatdhetarët e tij, duke pasur parasysh distancën gjeografike. Oqeani Paqësor ndan dy masat tokësore. Disa prej tyre, tha ai, mendojnë se Kina është aq larg sa mund mos ta vizitojnë kurrë as edhe një herë në jetën e tyre.
“Ata më kanë zili që kam guximin të zgjedh të studioj dhe të jetoj në një vend kaq të panjohur dhe janë shumë kureshtarë për Kinën. Ata më bëjnë shumë pyetje. Si janë njerëzit? A janë vajzat e bukura? Kur u tregoj fotot, ata mahniten dhe interesohen vërtet për Kinën”,- tha Mora.
Por ecuria nuk ka qenë gjithmonë e qetë. Me raste, ai tha se i duhej të hidhte poshtë disa mite, besime të gabuara dhe nocione të konceptuara keq për Kinën.
“Imagjinoni që nuk e keni provuar kurrë çokollatën. Atëherë nuk do ta dini nëse është e shijshme apo jo edhe kur të tjerët t’ju thonë se çfarë shije ka çokollata. Shumë njerëz që nuk kanë udhëtuar kurrë në Kinë thjesht dëgjojnë informacione të ndryshme për vendin, por që në shumicën e kohës janë të gabuara”,- tha ai.
Shumë të rinjve në vendet perëndimore u mungon kuptimi i thellë i pasurisë së kulturës dhe historisë kineze.
Ata thjesht e shohin vendin si një fuqi ekonomike, e cila është paksa një mbipërgjithësim, madje edhe reduktues, tha ai. Nga ana tjetër, shumë nga brezi i vjetër ende mendojnë se Kina është një vend i pazhvilluar. Ata nuk duket se e kuptojnë se si vendi është zhvilluar shumë gjatë 30 viteve të fundit. “Kjo, sepse njerëz si gjyshërit tanë nuk patën kurrë shansin të ndërveprojnë me shumë të huaj gjatë gjithë jetës së tyre. Por, tashmë kam parë njerëz nga Afrika, njoh njerëz nga Evropa dhe ndërveproj me kinezët. Kjo më ndryshon mua dhe i ndryshon ata gjithashtu. Duke jetuar në një kohë globalizimi, mendoj se është shumë e rëndësishme për të mësuar për njëri-tjetrin. Kjo është arsyeja kryesore pse erdha në Kinë”,- tha Mora.
Ai është entuziast për të udhëtuar nëpër Kinë. Ai ka qenë në mjaft qytete kineze, duke përfshirë Shangain, Hangzhou në provincën Zhejiang, Harbin në provincën Heilongjiang, si dhe në rajonet e posaçme administrative të Hong Kongut dhe Makaos. Vetëm tre muaj pasi mbërriti në Pekin, ai kishte filluar të dilte me miqtë dhe kishte fituar mjaftueshëm besim për të marrë një taksi duke folur në mandarin.
Në vitin 2019, ai shkoi në Tai’an në provincën Shandong dhe u ngjit për më shumë se katër orë në majën e malit Tai për të shijuar pamjen e një muzgu spektakolar.
Tani Mora po planifikon të eksplorojë më shumë vende në Kinë, me hobin e tij të “slacklining”, një aktivitet në natyrë ku ruhet balanca në një tel mes dy pikave fikse në ajër. Në pamje të parë, njerëzit mund ta ngatërrojnë atë me ecjen në litar. Ai u dashurua me aktivitetin gjatë Covid-19. Distanca më e gjatë që ka ecur deri më tani ishte 1 kilometër, duke ecur para-mbrapa në një linjë 500 metra të gjatë.
Në tetor, Mora shkoi në Taizhou, në provincën Zhejiang, me miqtë e tij të rinj kinezë të cilët gjithashtu angazhohen në këtë aktivitet të veçantë, për të marrë pjesë në një sfidë globale të lartësisë që tërhoqi afro 100 “slackliners” profesionistë nga vende të ndryshme.
Mora thotë se i pëlqen kinezët për ngrohtësinë e tyre. Në performancat e tij në Kinë, të pranishmit e brohorasin dhe duan të bëjnë foto me të.
“Është bukur dhe më pëlqen. Kina dhe Kosta Rika ndajnë shumë ngjashmëri, siç është entuziazmi i njerëzve, por gjuha dhe distanca na ndajnë pak. Pasi t’i kapërcejmë këto pengesa, do të zbulojmë se jemi më të ngjashëm nga sa mendojmë”,- tha Mora.
Ai ka aplikuar për programe master në disa universitete kineze për të vazhduar arsimin e tij në shkollën e biznesit. Ai dëshiron të fokusohet në tregti, veçanërisht në tregtinë elektronike.
“Gjithmonë më ka pëlqyer biznesi dhe mendoj se bota ka nevojë për më shumë ura dhe më pak mure”,- tha ai, duke shtuar se ndoshta do të krijojë një “startup” për të promovuar bashkëpunimin midis Kinës dhe Amerikës Latine sapo të përfundojë arsimimin e tij.
Mora tha se babai i tij donte që ai të ndiqte një master në një vend tjetër.
“Dua të fokusohem në Kinë. Është një vend shumë magjik dhe jam i lumtur këtu”,- theksoi djali nga Kosta Rika./Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN