Demokratët e Lulzim Bashës nuk kanë parë sinqeritet në ftesën për bashkim të Luçiano Boçit të Sali Berishës. Në një replikë për nënkryetarin e njërës palë nga Kreshnik Çollaku, nënkryetar i palës tjetër ftesa nuk duket e mirëpritur edhe pse pranon se lufta 2-vjeçare duhet lënë pas krahëve.
Kreshnik Çollaku, nënkryetar i PD zyrtare, tha për A2 CNN: “E para duhet të ndalet kjo mania groteske e vetëautorizuar për të lëshuar certifikata se kush është opozitë. Dëgjova Luçianon dje në një ftesë, por 10 orë më parë një anëtar i Kryesisë së LSI shpalli Bashën armik e tradhtar dhe Luçiano e duartrokiste. Pra, i bie që të mos jesh serioz ose të tallesh me veten. Si fillim, këta duhet të qartësojnë gjendjen e vet, pozicionin e vet dhe raportet me njëri-tjetrin”.
Sipas Çollakut, bashkimi nis nga puna me demokratët e thjeshtë në bazë: “Demokratët e thjeshtë, njerëzit tanë, të cilët janë përçarë. Synimi ynë kryesor është bashkimi i bazës së demokratëve. E para, të bashkohet vota e të gjithë demokratëve. E dyta, që marrëdhënia e PD me SHBA të jetë një marrëdhënie e pacenuar dhe strategjike. E treta, që opozita dhe PD duhet të ballafaqohen në çdo moment elektoral me një platformë të besueshme për qytetarët”.
Thuajse të pandjerë në sesionin që lamë pas, ku dominoi kaosi dhe jo ligjbërja në Parlament, deputetët e udhëhequr nga Basha flasin për vijim të aksionit parlamentar. Nuk e përjashtojnë mundësinë e bashkimit të votave me Edi Ramën në pushtet për ligje që ata do t’i shohin si interes kombëtar: “Ne nuk bashkojmë votat me Ramën në asnjë rast për interesat e kësaj qeverie, e vetmja gjë që ne na bën që të tejkalojmë ndasitë është interesi kombëtar”.
Sipas Çollakut, aksioni i Rithemelimit me deputetët e drejtuar nga kreu i grupit parlanentar, Gazment Bardhi, po nxjerr të humbur opozitën.
360grade.al