Home Gjeo-Ekonomia Katari dhe Franca ndërmjetësojnë një marrëveshje mbi dërgimin e ilaçeve për pengjet...

Katari dhe Franca ndërmjetësojnë një marrëveshje mbi dërgimin e ilaçeve për pengjet izraelite

Katari dhe Franca kanë ndërmjetësuar një marrëveshje mes Izraelit dhe Hamasit për të ofruar ilaçe urgjente për rreth 45 pengje izraelite, që po mbahen nga militantët palestinezë në Rripin e Gazës në këmbim të ndihmës humanitare dhe mjekësore për civilët palestinezë.

Të dy vendet thanë se ndihma do të nisej nga Katari për në Egjipt të mërkurën përpara se të kalojë në Rripin e Gazës përmes pikës kufitare në Rafah.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari tha në një deklaratë se marrëveshja do të nënkuptojë se “ilaçet së bashku me ndihmat e tjera humanitare do t’u dërgohen civilëve në Rripin e Gazës, në zonat më të prekura dhe më të pambrojtura, në këmbim të dërgimit të ilaçeve të nevojshme për pengjet izraelite në Gazë”.

Ai nuk dha detaje mbi sasinë dhe llojin e ndihmës që do t’u dërgohej civilëve.

Zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu tha se dy avionë të Forcave Ajrore të Katarit do të uleshin të mërkurën në Egjipt me ilaçe të blera në Francë bazuar në një listë izraelite.

Më parë, Philippe Lalliot, kreu i qendrës së krizës në ministrinë e jashtme të Francës, e cila organizon operacionet e ndihmave, tha se negociatat kishin vazhduar për javë të tëra dhe ideja fillestare kishte ardhur nga familjet e disa prej pengjeve izraelite.

Secilit prej 45 pengjeve do t’u dërgohen pako specifike mjekësore për disa muaj, të cilat janë mbledhur në Francë. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq do të koordinojë shpërndarjen e ndihmës në terren.

Franca ka ende tre shtetas të saj që po mbahen nga militantët e Hamasit në Rripin e Gazës, por asnjëri prej tyre nuk ka nevojë urgjente për ilaçe, tha zoti Lalliot. /VOA

Share: