ATSH/ Mjeku epidemiolog, nëndrejtori teknik i Institutit të Shëndetit Publik, Dritan Ulqinaku, në një intervistë televizive bëri apel për kujdes, pasi rastet e gripit dhe COVID 19 janë shtuar ditët e fundit. Sipas tij, ka një miksim të COVID 19 dhe gripit sezonal.
Mjeku Ulqinaku bëri thirrje për mbajtjen e maskës në vende të mbipopulluara, teksa shtoi se në ditët në vijim Instituti i Shëndetit Publik mund të dali me udhëzime të qarta mbi menaxhimin e situatës.
“Problematika e këtij viti është miksimi, një bashkëshoqërim i çuditshëm i gripi dhe COVID. Duhet të jemi të kujdesshëm si me COVID dhe me gripin, të ruajmë distancën, të përdorim maskën në ambiente të mbipopulluara dhe duhet të themi që vdekshmëria në Evropën Lindore ku ka një shtim të infeksioneve virale po vijnë duke u rritur. Ndaj e theksova se ditë të këqija do të vijnë sa i përket situatës epidemiologjike nga gripi. Nuk përjashtohet që në ditët në vijim të dalim me udhëzime të reja”, tha mjeku.
Ulqinaku tha se “në kushtet e një situate epidemiologjike, një mjek i urgjencës kryen deri në 80 vizita në ditë”.
“Në rastin e epidemisë standardi i kontrollit është 20 minuta. Në kushtet kur kemi një rradhë, mjeku e ka të qartë situatën epidemiologjike, s’ka nevojë të investigojë, shikon gjendjen e përgjithshme dhe jep recetën e duhur. Në rast se do të ndjekim standardet e arta me nga 20 minuta, urgjencat do të bllokohenin. Edhe pse duhet thënë se 80% e rasteve që vijnë në urgjencë, nuk janë për këtë shërbim.
Sa i takon vaksinimit, Ulqinaku tha se janë marrë në 2023, ishin 260 000 doza, 80% e tyre u përdorën nga personeli shëndetësorë (18 000) dhe grupet vulnerabël. “Vdekshmëria nga gripi me thënë të drejtën ne nuk kemi patur për shumë vite. Por në Shqipëri nuk e kalon 1%. Ndërkohë personat, si
rasti i djeshëm nuk mund ta lidhim me gripin drejt për drejt, por kishte sëmundje të tjera dhe që duke ju bashkangjitur dhe gripi sezonal duke i përkeqësuar situatën. Pikërisht këto raste shpesh thuhet që vdiq nga gripi, por jo, një i moshuar mund të ketë shumë problematika, që po ti shtohet dhe gripi, kjo mund ti kthehet fatale”, shtoi Ulqinaku
360grade.al