Rreth 3 muaj nga tragjedia e 7 tetorit, ku 1,400 persona u vranw dhe më shumë se 240 të tjerë u morwn peng nga trupat e grupit terrorist tw Hamasit, Doron Katz Asher shprehet se vajzat e saj mund të “kujtojnë çdo detaj të vogël”.
Si u zgjuan nga zhurma e sirenave dhe u fshehën në strehën e tyre. Si u afruan të shtënat. Si, kur dyert u hapën, gjyshi i tyre doli me nxitim nga streha në mënyrë që të armatosurit e Hamasit të mos i shihnin pjesën tjetër të fshehur brenda. Si u mor. Si e lanë të hapur derën e strehës me shpresën se sulmuesit e tjerë do të mendonin se tashmë ishte bastisur dhe do të vazhdonin, por nuk funksionoi.
“Një njësi tjetër terroriste hyri dhe na mori gjithashtu ne”, tha Asher për CNN.
Asher dhe vajzat e saj, Raz dhe Aviv 5 dhe 2-vjeçare, u hodhën në pjesën e pasme të një traktori me pengje të tjerë nga kibuci, përpara se personat e armatosur të hapnin zjarr. Asheri u qëllua në shpinë; Aviv u qëllua në këmbë; nëna e saj u qëllua për vdekje.
Asher, 34 vjeç, dhe vajzat e saj u dërguan në Gaza, ku u mbajtën fillimisht në një shtëpi, më pas në një spital, përpara se të liroheshin në nëntor gjatë një armëpushimi të përkohshëm midis Izraelit dhe Hamasit.
Në një intervistë ekskluzive me CNN, Asher e përshkroi gjithçka ndodhi nw gati 50 ditë në robëri, “luftën psikologjike” së cilës iu nënshtrua, kushtet në të cilat u mbajt dhe ndjenjën e saj të fajit pasi u lirua ndërsa shumë të tjerë – duke përfshirë 79 – vjeçari Gadi Moisiu, gjyshi i vajzave të saj – mbetet në robëri.
Asher dhe vajzat e saj u dërguan fillimisht në një apartament që i përkiste një familjeje në Gaza. “Ata i qepën plagët e mia pa anestezi, në divan ndërsa vajzat e mia ishin pranë meje,” tha Asher.
Pasi u ekspozua ndaj sulmit terrorist të 7 tetorit që ajo e quajti “film lufte”, Asher tha se u përpoq t’i siguronte vajzat e saj se rreziku kishte kaluar. “Unë u thashë atyre se nuk ka më terroristë dhe ne jemi me njerëz të mirë tani që po na ruajnë derisa të mund të kthehemi në shtëpi,” tha ajo.
Të tre vëzhgoheshin çdo orë të ditës nga fëmijët dhe nipërit e të zotit të shtëpisë. Asher nuk i mësoi kurrë emrat e tyre, por ishte në gjendje të komunikonte me babanë, për të cilin ajo tha se fliste hebraisht, pasi dikur punonte në Izrael. Ndërsa Asher dhe vajzat e saj nuk u dëmtuan fizikisht, ajo tha se i ishte nënshtruar “luftës psikologjike”.
“Ata nuk na dhanë shumë informacione, ata kryesisht u përpoqën të thonë se Hamasi dëshiron të na lirojë, por në Izrael askush nuk kujdeset për ne,” tha Asher. “Që ne nuk do të kthehemi të jetojmë në kibutz sepse nuk është shtëpia jonë – nuk është vendi ku ne i përkasim.”
Por ajo tha se nuk u besonte atyre dhe se zhurma e luftimeve jashtë ndërtesës në Gaza iu shpwrbeu si pikw referuese pwr tw treguar se “diçka po ndodhte për të na kthyer në shtëpi, për të bërë presion mbi Hamasin për të na liruar”.
Pas 16 ditësh, Asher dhe vajzat e saj u dërguan nga apartamenti në atë që ajo e përshkroi si një “të ashtuquajturin spital” në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis. Por pse “të ashtuquajturin”?
Sepse një spital është “një vend që supozohet të kujdeset për njerëzit, por në vend të kësaj u pushtua nga Hamasi dhe ata e përdorën atë për të fshehur pengjet”, tha Asher. Ushtria izraelite ka thënë vazhdimisht se Hamasi fsheh infrastrukturën terroriste brenda dhe përreth institucioneve civile në Gaza, siç janë spitalet – një pretendim i mohuar nga grupi militant. Shtetet e Bashkuara kanë thënë se Hamasi përdori Spitalin Al-Shifa, më i madhi në Gaza, si një qendër komandimi dhe një vend për të mbajtur pengje. Asher nuk tha se ku ishte mbajtur, por se asaj iu bashkuan pengje të tjera në kompleksin spitalor – robërit e parë që ajo kishte takuar që kur u mor në Gaza.
Ajo tha se mori disa ilaçe kur vajzat e saj u sëmurën ndërsa mbaheshin brenda, “por nuk mjaftuan”.
Kur Avivit iu rrit temperatura, Asher e futi në lavaman me ujë të ftohtë. “Ajo po bërtiste. Na thoshin të heshtim, por vajza kishte temperaturë dhe unë duhej të kujdesesha disi për të”. Ata qëndruan në spital për gati pesë javë.
E pyetur se cili ishte momenti i saj më i errët, Asher tha “çuditërisht, ishte dita që ne u liruam“. Kur ata u “kontrabanduan” nga spitali në një automjet të Hamasit, ajo nuk e dinte se ku po e çonin. “Askush nuk na tha se po liroheshim,” tha ajo, “kështu që udhëtimi nëpër rrugët e Gazës ishte shumë, shumë i frikshëm.”
Ajo tha se rrugët ishin të mbushura me mijëra njerëz – përfshirë fëmijë dhe të moshuar – duke u përpjekur të godasin makinën dhe të trokasin në xhamat e saj. Asher tha se kishte frikë se do të dhunohej.
“Kjo është hera e parë që Raz më tha, pas një muaji e gjysmë që e mbroja atë, ‘Mami, kam frikë’“, tha Asher.
Një total prej 105 personash u liruan nga Hamasi gjatë një armëpushimi të përkohshëm me Izraelin, i cili filloi më 24 nëntor dhe përfundoi më 1 dhjetor. Videot që kapnin disa nga momentet e transferimit të pengjeve te stafi i Kryqit të Kuq shpesh tregonin anëtarët e Hamasit që silleshin me dashamirësi ndaj pengjeve, duke mbajtur duart e grave të moshuara, dhe duke i ndihmuar ato të dalin nga makinat.
“Është një shfaqje e madhe,” tha Asher. “Para se të lirohesha, unë dhe vajzat e mia ishim zbathur për 50 ditë. Ne ishim të ftohtë sepse ata kishin veshur mëngë të shkurtra në nëntor. Por, përpara se t’i dorëzoheshin stafit të Kryqit të Kuq, atyre iu dhanë këpucë dhe anëtarët e Hamasit më veshën me një fustan të bukur”, tha Asher.FOTO GALERI1/2