Home KRYESORE Opozita në aksiON! Nga Armir Shkurti

Opozita në aksiON! Nga Armir Shkurti

Gaz Bardhi me Mul Nokën, dy burra të PD- së së Berishës u hodhën në aksiON sot për ti marrë mikrofonin një gruaje të PD-së së Lulit, shkrimtares Flutura Açka.

AksiON- i mbaroi me sukses. Tani po numëroj minutat të argëtohem me aksiON- in e akshamit, ku Berisha në arrest shtëpie del në penxhere për të dëgjuar demokratët që i shprehin besnikëri, ndërsa në xhadé, tek porta e restorant Meduzës mblidhen aq sa nxë rrugica për të garuar se kush është më besnik ndaj Doktorit.

𝗔𝘀𝗴𝗷𝗲̈𝘀𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗼𝗽𝗼𝘇𝗶𝘁𝗲̈𝘀: 𝗞𝘂𝗿 𝗺𝗷𝗲𝘀𝗵𝘁𝗿𝗶 𝗸𝗮𝗽𝗲̈𝗿𝘅𝗲𝗻 𝗻𝘅𝗲̈𝗻𝗲̈𝘀𝗶𝗻

Pakkush e mori vesh përse Berisha zgjodhi Lulin si pasues, mbështeti Lulin gjithë kohës dhe e mbrojti atë pas çdo disfate në zgjedhje.

Nuk e kuptuan ca e ca të tjerë nuk deshën ta kuptojnë se përse “lideri historik” mbështeste Bashën kur ky, pas marrëveshjes me Ramën në 17 maj ’17 përdhunonte faqe botës partinë që udhëhiqte, pastaj e copëtonte, asgjësonte, ripërdhunonte forcën kryesore të opozitës. Zvarrë, nga kryeministria në kuvend, ku Lleshi i lante në gaz lotësjellës protestuesit, të cilët, ditë pas dite, fironin në numër dhe humbisnin në shpresë….

Ka dy vjet që këtë punë të Lulit po e bën shumë më bukur Doktori. “Punë” e kam fjalën për mbajtjen brenda thertores opozitën. “Më bukur” e kam fjalën stilin dhe efikasitetin.

Tek Luli të gjithë kuptuan se e tallte trapin pa i lujt qerpiku vendit. Ndërsa “ustai” është tjetër gjë. Doktori është njësh për ti bërë masat të besojnë se fitorja është “uno kryqzimo, due kryqzimo” larg pushtetit. Ndër seanca gjyqi për vulën, zgjedhje të humbura e premtime për revolucion, kaluan dy vite të mirë asgjëje, vazhdim atrofizimi të opozitës dhe konsolidim të fitores në tavolinë të Ramës në 2025-ën.

Gjatë gjithë kësaj kohe Berisha ka bërë krimin e njësimit të hallit të tij dhe familjes në kauzë të opozite. Po ore po! KRIM! Nuk është gabim. Sepse është politikani më me përvojë në vend dhe i di më mirë se kushdo parimet e funksionimit të partisë, kauzat, organizimin e saj si dhe kishte përvojën e dështimit me shumë sukses të Bashës me të njejtën formulë.

Para ca javësh në sfond të Berishës na u shfaq sllogani “opozita në aksiON”. Kjo “ON” medemek anglisht “ndezur”, “në veprim”….

𝗗𝘆 𝗳𝗷𝗮𝗹𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿 𝘀𝗷𝗲𝗹𝗹𝗷𝗲𝗻 𝗲 𝗕𝗲𝗿𝗶𝘀𝗵𝗲̈𝘀 𝗺𝗲 𝗱𝗿𝗲𝗷𝘁𝗲̈𝘀𝗶𝗻𝗲̈

Që nga Andreoti e Berluskoni në Itali, tek Bill Klinton e Donald Tramp në SHBA, kur i ka thirrur drejtësia kanë vajtur pa bërë zë. Ndërsa Berisha ynë e luajti damën me detyrim përcaktim pikërisht për të detyruar sistemin ta vendosë në arrest shtëpie. Për shkak të moshës e dinte që në qeli s’e çonin. PSE IU DESH?!

Sepse misioni për atrofizimin e opozitës deri në paralizim total, në favor të axhendës globaliste të kryesuar nga Rama në Shqipëri, realizohet përsosshmërisht me këtë skenar: Lideri i arrestuar, partia e mobilizuar për të mbrojtur ( apo qarë ) liderin dhe as aksiON e as aksiOFF nuk ndodh, veç një karnavali të përnatshëm, në “rrugicën e shpresës” në pritje të triumfit të katërt të rilindasit Rama. Me këtë skenar askush s’akuzon dot askënd: ” Lideri ishte në arrest, mundësi organizimi s’patëm, struktura – jo, partia u morr me mbrojtjen e liderit” dhe pastaj “hajduti Rama na i vodhi edhe këto zgjedhje. Me kltë tekst mbijetoi paturpësisht Luli pas çdo katastrofe. Imagjino alibia e viktimizimit të “legjendës”

Në kaq muaj, madje vite, kjo pjesë e PD -së ka kryer plot veprimtari për /me Berishën, por asnjë proçes organizimi, strukturimi dhe përgatitjeje për zgjedhjet ’25.

“Martirizimi” i Berishës e ka djallosur më keq situatën. Të flasësh sot për “struktura”, “organizim” etj është njëlloj si të shkruash në ballë “Unë jam Juda që tradhëton Krishtin”. Të hanë të gjallë të gjithë: të mençur e budallenj: “Aaa! Doktori vuan ti dashke struktura? Dashke ti bësh puç mor surral lulbashe???”

Tani të gjithë kanë lënë “interesin personal” dhe gëzojnë kur bën ftohtë e bie shi nën penxherenë e Doktorit sepse ashtu të lagur e ngrirë ngjajnë edhe më besnikë e të devotshëm. Kuptohet, jo se janë budallenj ata që mblidhen përnatë…. Ndjesë! Nuk janë budallenj ata që rrijnë në rresht të parë. Besnikërinë ndaj doktorit duan t’ua demonstrojnë budallenjve që janë vërtetë besnikë e militantë, që vijnë përnatë dhe që, kur të vijë puna të hapë krahun Berisha, këta të kapin kreun e PD- së.

Eshtë mrekulli për Edi Ramën loja e Berishës për të përfunduar në arrest shtëpie! Si fillim theu mitin e paprekshmërisë. Me grushtin fytyrës që i dha një i ri në miting ca muaj më herët dhe arrestin e tanishëm edhe militanti më i zjarrtë e pyet veten 10 herë para se të shkojë në aksiON. Së dyti, unë besoj se të dielën, në përkujtim të 13 vjetorit të vrasjes së 4 protestuesve para kryeministrisë, kryeministri u thotë 21janarasve: “Ja ku e arrestuam Saliun”. Me aq ngopen ata ( deri mot të paktën )

Pas – maksimumi- një viti e gjysmë, ka ZGJEDHJE!!! Pushteti ka nisur fushatën fuqishëm. Ndërkohë Muli përleshet me Fluturën, Luli ndërron modelin e flokëve ndërsa Doktori pret qokën çdo natë në orën 18.00 ku denoncon në erë ( siç ka një jetë që e bën) korrupsionin, krimin etj etj.

E kam thënë vite më parë për Bashën e nuk e kam besuar që do ta thoja për Berishën, por që edhe ky në dritare është bërë si ai petromaksi që u lëshohet në gjol zhabave dhe ato mpihen para dritës e gjahtari i mbledh pa siklet fare. Kur shoh dhjetra burra e gra, përnatë me sytë nga qielli, më dhemb shpirti! Në vend të ndodheshin para kryeministrisë, bashkisë, parlamentit a në shesh duke kryer aktivitet politik….. mblidhen për qokë në dritaren e një 80 vjeçari, më shumë për ta ngushëlluar e dhënë mbështetje, se tjetër gjë s’kanë ç’i bëjnë!

UNË TË AKUZOJ DOKTOR! SOT JE SHUMË MË I DËMSHËM SE LULI, DHE SE PO SAKRIFIKON JO VETËM PD POR EDHE SHQIPËRINË PËR HALLIN TËND!!!

𝗥𝗲𝗽𝗹𝗶𝗸𝗲̈ 𝗽𝗲̈𝗿 𝗾𝗲𝗷𝗳

Si anës e pas anës, një që ha bukë në strukturat e partisë dhe bën qokën sypërpjetë netëve e aksiON- eve tek “rruga e shpresës” më kujton larg e larg se demek “ç’i bie Berishës kur e keqja është Edi Rama”.

Ti, or koqe! Dhe kush është si ti:

Edi Rama jo vetëm është e keqja, por është antishqiptari më i egër që kanë njohur këto troje. Një milion shqiptarë në 10 vjet asnjë pushtues s’ka qenë i zoti ti dëbojë. Por po kaq antishqiptar unë konsideroj këdo që i zgjat jetën pushtetin këtij tradhëtari: fillo nga Basha, Ilir Meta e deri rek TI , Sali Berisha! Në 2013- shin na the se “Rama po vjen në pushtet me pjesën më të rrezikshme të krimit të organizuar” .

Me hedhjen e Lulit dhe fshehjen e dorës për 8 vjet dhe me keqpërdorimin e besimit të opozitës dhe opozitarizmit po çimentos çdo orë e më fort kështjellën e bishës!! Në luftë me mikrofonin e Açkës, vulën, Lulin, karriget e kuvendit, Departamentin Amerikan të Shtetit, në gjyq me Sekretarin Amerikan të Shtetit, ambasadorët e SHBA, UK, në sherr me SPAK, nga dritarja e papafingos në rrugën Mustafa Matohiti a e përmbys dot Ramën mot, Sali?…..

Nëse JO, ik të lutem sonte!!! Do të vij edhe unë nën dritare të të përshëndes, po jo enkas! Do të të përshëndes ose kur të jem duke shkuar me cfurk tek kryeministria ose okur të kthehem triumfues me Ramën që ka ikur. Kur opozita të ketë udhëheqje, struktura e mbi të gjitha ide, platformë e program. Pa harruar frymën dhe njerëzit!

Share: