Parlamenti Europian i kërkon deputetëve shqiptar rikthimin e normalitetit në Kuvend. Në rezolutën e miratuar në Komitetin e Stabilizim Asociimit Shqipëri-Bashkimi Europian, u bën apel që Reforma Zgjedhore të jetë gjithëpërfshirëse.
“Komiteti i Stabilizim Asociimit bën thirrje për një dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës nga të gjitha palët në adresimin e plotë të kësaj çështjeje përpara zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, për të forcuar kulturën parlamentare demokratike të Shqipërisë dhe për të mundësuar një proces të qetë zgjedhor”.
Eurodeputetët nuk pranuan që në rezolutën e përbashkët të vendoseshin përgëzimet për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit.
Amendamenti i Partisë Socialiste kërkonte që në dokument të shpreheshin vlerësimet e qeverisë dhe institucioneve shqiptare për të qenë gati në hapjen e grup kapitujve të parë, propozim, i cili bëri bashkë votat e deputetëve shqiptar, por jo atyre europian. Shkak për këtë duket të jetë përplasja ndëmjet Shqipërisë dhe Greqisë për Alfred Belerin.
“Fatkeqësisht, arrestimi i Fredi Belerit nuk është një çështje bilaterale midis Greqisë dhe Shqipërisë. Kjo është një çështje europiane, është një çështje ndërmjte Bashkimit Europian dhe Shqipërisë, sepse kemi një vendim të parlamentit europian, të votuar nga të gjitha partitë politike të partive popullore europiane, që kanë kërkuar t’i lejohet Fredi Belerit të betohet. Fredi Beleri në çdo demokraci të botës nuk do të qendronte në arrest me burg duke pretenduar se ka paguar 340 euro për të blerë vota, dhe për këtë ka 8 muaj që qëndron në arrest me burg”- u shpreh Manolis Kefaloianis:
Reagimi i ashpër i eurodeputetit grek mori përgjigjen e ministrit të jashtëm Igli Hasani, ku Alfred Belerin e sheh si çështje të drejtësisë së reformuar shqiptare.
“Çështja e Belerit është një çështje e reformës së drejtësisë, dhe ashtu duhet të trajtohet. Çështja nuk është europiane. Çështje do të vazhdoj të mos jetë europiane. Ne po shohim që t’i bashkohemi Greqisë dhe vendeve të tjera duke u bërë pjesë e Bashkimit Europian. Koha kur qeveria ndërmjetësonte me gjykatësit e politizuara ka përfunduar”- u shpreh ministri i Jashtëm Igli Hasani.
Rezoluta e miratuar nga Komiteti i Stabilizim Asociimit i kërkon palës shqiptare edhe marrjen e masave kundër korrupsionit, e cila u miratua pas amendamentit të Partisë Demokratike.
“Shpreh shqetësimin se korrupsioni është i përhapur në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe masat parandaluese vazhdojnë të kenë një ndikim të kufizuar. U kërkon institucioneve shqiptare të intensifikojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin, duke theksuar nevojën për veprime efektive dhe të vazhdueshme, veçanërisht në sektorët me rrezik të lartë.”
Top Channel