Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres gjatë fjalës së mbajtur në Këshillin e Sigurimit ka riapeluar për një armëpushim të menjëhershëm humanitar.
“Kjo do të sigurojë që ndihma e mjaftueshme të arrijë aty ku është e nevojshme, të lehtësojë lirimin e pengjeve dhe të ndihmojë në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme”- tha Guterres.
“Një fund afatgjatë i konfliktit izraelito-palestinez mund të arrihet vetëm përmes një zgjidhjeje me dy shtete,” shtoi ai. “Refuzimi në nivelet më të larta të qeverisë izraelite është i papranueshëm dhe do të zgjasë pafundësisht një konflikt që është bërë një kërcënim i madh për paqen dhe sigurinë globale”.
Sekretari i përgjithshëm i OKB-së më pas nënvizoi se refuzimi i zgjidhjes me dy shtete nga qeveria izraelite dhe mohimi i të drejtës së popullit palestinez për shtetësi rrezikon të përkeqësojë polarizimin dhe të inkurajojë ekstremistët kudo. “Roli i komunitetit ndërkombëtar është i qartë – shtoi ai – ne duhet të bashkohemi për të mbështetur izraelitët dhe palestinezët për të ndërmarrë veprime të vendosura për të çuar përpara një proces kuptimplotë paqeje”.
Top Channel