Home Approccio Italo Albanese Duke parë diçka nga Festivali Italian i Këngës… Sanremo 2024 –

Duke parë diçka nga Festivali Italian i Këngës… Sanremo 2024 –

BUZËQESHJA…

Nga Visar Zhiti

Dhe m’u kujtua ajo buzëqeshje diellore e bukur, teksa këngëtari i madh italian Riccardo Cocciante dilte në skenën e Festivalit, Sanremo 2024, – po e shikonim në TV me copa, por dhe me nostalgji të copëtuar, – Cocchiante rikthehej për të kënduar duet me një këngëtar të ri, Irama, këngën e tij të famshme të para 50 vjetëve, kështu tha, “Quando finisce un amore”, – po nuk mbaron dashuria, – po thosha me vete dhe u riktheva dhe unë, por pas, në kohën e para 10 vjetëve, jo 11, kur e ftuam në Tiranë kantautorin magjepsës.
E pritëm në Ministrinë e Kulturës unë me Edën time e me të tjerë edhe ai vinte me bashkëshorten e tij franceze dhe me këngëtaren shqiptare Elhaida Dani, mecenat shpirtëror i së cilës ishte…
Riccardo Cocciante – me atë dënduri flokësh të gjatë artistikë, truppakët, me një seriozitet gati dramatik, i përzemërt… ishte ngjarje ardhja e tij në Tiranë, e çuam në Akademinë e Arteve në një koncert për atë, shkuam dhe në Shkodër, ndalëm dhe buzë Bunës dhe gjithkund ndjehej një si buzëqeshje diellore. Maestro Cocciante-s i prezantova dhe këngëtarin tonë, Sherif Merdani, bashkëvuajtës imi në burgun e Qafë-Barit, i tregova që e kishin dënuar dikur se këndonte, këndonte si në Europë, edhe këngë italiane, edhe këngë të tij dhe ai u trondit, në sy iu përshfaq trishtueshëm një si kërkim faljeje, që askush nuk e kishte bërë në Shqipëri.
Por sa bukur buzëqeshi Cocciante kur ndodhi të takojë Atjonin, djalin tonë student në Milanon e tij, që po aq bukur ia ktheu dhe ai, me po atë dritë buzëqeshêse diellore…
Gjithashtu Riccardo pranoi thjeshtësisht të dilte në fotografi me kostumin popullor shqiptar ngjyrashumë, me qeleshen e bardhë si bora në majëmale dhe me çiftelinë tonë, i thashë se ia kërkonte mjeshtri i imazhit artistik, Roland Tasho. Dhe ndërkaq m’u ndërmend piktura e një mjeshtri tjetër, portreti i Atjonit me kostum popullor dhe ai, “flokë kaçube”, ekspozuar pranë Luvrit në Paris, kryevepër e piktorit Gjergj Kola, që jeton në Itali. Aty vezullon ai fillim buzëqeshjeje të mrekullueshme…
Bashkë me Riccardo Cocciante-n pastaj shkuam në Presidencë, ai do të dekorohej. U prek dhe në vend të përshëndetjes, të fjalëve falenderuese, këndoi, këndoi këngën “Poesia”. I çoi kështu institucionit të lartë shqiptar atë që na mungonte tmerrësisht aq shumë, poezinë e jetës dhe harmoninë, me atë zërin e tij që sikur vinte jehonë hyjnore nga qiejt.
Të gjitha këto m’u bashkuan dhe po rrezëllijnë ende në një buzëqeshje të vetme, në atë buzëqeshje, që e dua pafund, aq sa po më ngjante se dhe Festivali i madh i Sanremos atë do të donte të sillte, prandaj dhe ishte rikthyer Riccardo Cocciante në skenë, në Teatrin “Ariston”, në ëndêrr.
Kisha shkruar se për bukurinë e asaj buzëqeshjeje, ashtu gjithë muzikë të heshtur, lind dhe dielli.
E dëshmon dhe kënga, kur mbaron dashuria, duhet të këmbesh jetë, duhet të këmbesh botë, pra, duaj:

Share: