Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankesën e opozitës për ndryshimin e rregullores së Kuvendit.
Gjykata vendosi ditën e sotme për kalimin e çështjes në seancë plenare.
Njoftimi i Gjykatës Kushtetuese:
Në datën 19 dhjetor 2023, një grup prej 45 deputetësh të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ka paraqitur në Gjykatën Kushtetuese kërkesë për shfuqizimin e vendimit nr. 126/2023, datë 14.12.2023 të Kuvendit “Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar””, si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, si edhe pezullimin e zbatimit të tij deri në dhënien e vendimit përfundimtar nga Gjykata.
Kolegji i Gjykatës Kushtetuese, me vendimin e datës 25.01.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila, sot, në datën 07.02.2024, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare mbi bazë të dokumenteve
Në lidhje me kërkesën për pezullim, me shumicën e votave, Mbledhja e Gjyqtarëve vendosi shqyrtimin e saj në seancë plenare.
Për shkak të natyrës së kësaj çështjeje dhe pretendimeve e kërkimeve të parashtruara, shqyrtimi i saj do të bëhet nga Gjykata me përparësi, duke reduktuar, për këtë arsye, edhe afatet e palëve për paraqitjen e parashtrimeve dhe të qëndrimeve të tyre.
360grade.al