Kryetari i PD zyrtare, Lulzim Basha zhvilloi një takim me demokratët e degës 12 në Tiranë, ku ndër të tjera i ndal edhe tek konflikti brenda PD. Sipas tij, demokratët injoruan thirrjet për përçarje dhe nuk u bënë pjesë e konfliktit.
Sipas tij, shqiptarët janë ngopur me fjalët boshe të kësaj qeverie, ndërsa u shpreh se ata duan shpresë.
Basha theksoi se betejën nuk e bëjnë për veten e tyre, por për fëmijet e Shqipërisë dhe për të ardhmen e tyre.
“Nuk e kuptonit dhe me të drejtë furinë e sulmeve ndaj jush dhe një nga pyetjet apo nga çështjet që diskutuam së bashku: çfarë do të bëjmë në një situatë të këtillë? Si do të ruajmë Partinë Demokratike dhe shpresën për një Shqipëri ndryshe. Dhe dikush në atë sallë tha, duke ndezur një shkrepëse, pastaj dy, pastaj tre, duke e çarë errësirën, duke e bërë që njerëzit ta kthejnë kokën aty ku ndizet dita dhe duke bërë që gjithëkush të dojë të jetë pjesë e kësaj drite, e kësaj flake shpresë. Dhe këtë bëtë në degën 12, këtë bëtë ditë për ditë. I injoruat thirrjet për përçarje, nuk u bëtë pjesë të konfliktit. Dhe mbi të gjitha nuk lejuat që flaka e shpresës të venitej, duke e rindërtuar edhe degën 12 seksion për seksion.
I kemi sytë plotë gëzim sepse kemi gëzim para syve tanë. Kemi të rinjtë e degës 12 para syve tanë, forumi rinor ndër më aktivët jo vetëm në Tiranë, por në Shqipëri. I kemi edhe si kujtesë sepse nuk e bëjmë betejën për veten tonë, nuk e bëjmë thjesht dhe vetëm për trashëgiminë politike të Partisë Demokratike, por e bëjmë për fëmijët e Shqipërisë e bëjmë për të rinjtë dhe të rejat shqiptare, sepse ne besojmë se e nesërmja do të jetë ndryshe dhe që nuk do të vazhdojë me errësirën e sotme, por hap pas hapi do ta kthejmë në dritën e shpresës në sytë e çdo prindi dhe çdo shqiptari.
Shqiptarët janë ngopur me fjalë boshe. Shqiptarët kanë nevojë për shpresë. Shpresa vjen përmes alternativës, alternativë do të thotë program. Që programi të jetë i besueshëm ai duhet të bazohet në njohjen reale të problematikave. Është ndryshe ta lexosh dhe ndryshe ta ndjesh dhimbjen e fermerit që është shtyrë në kufijtë e falimentimit për shkak të qeverisë më të korruptuar që ka njohur Ballkani. Kur në një anë të kufirit fermerët e Kosovës I gëzohen fryteve të djersës së tyre, sepse kanë në krah subvencionet shtetërore, kanë në krah infrastrukturën, kanë aksesin në treg. Nuk kanë një qeveri që punon me grosistët për të sjell mallrat ë skaduara që konkurrojnë djersën e fermerëve. Dhe këtu shikon fermerin e rrënuar, të lodhur, të drobitur, të bërë pishman që I ka hedhur kursimet e jetës sepse në vend që t’i kthehen në bekim, i janë kthyer në borxh”, tha Basha.
360grade.al