Home KRYESORE Implanti kinez i trurit ndihmon njeriun e paralizuar të rikuperojë aftësitë motorike

Implanti kinez i trurit ndihmon njeriun e paralizuar të rikuperojë aftësitë motorike

Një ekip klinik kinez ka implantuar një procesor me valë në kafkën e një njeriu të paralizuar, duke rikuperuar ndjeshëm aftësitë e tij motorike.

Foto cover: Shkolla e Mjekësisë së Universitetit Tsinghua

Ekipi e njoftoi rezultatin të martën, duke e quajtur atë një përparim në pajisjen e ndërfaqes tru-kompjuter (BCI), një teknologji që mund të ndihmojë rehabilitimin e pacientëve me sëmundje dhe lëndime të trurit dhe madje të zgjerojë aftësinë e përpunimit të trurit të njeriut në të ardhmen.

Pacienti, i cili iu nënshtrua operacionit në një provë klinike më 24 tetor 2023, kishte pësuar një dëmtim të plotë të shtyllës kurrizore si pasojë e një aksidenti automobilistik. Ai ishte katërplegjik, i paralizuar në të katër gjymtyrët, për 14 vjet.

Neurokirurgët e spitalit Xuanwu implantuan procesorin me invazion minimal të ndërfaqes tru-kompjuter në madhësinë e dy monedhave në kafkën e pacientët dhe morën me sukses sinjalet nervore në rajonin e tij të trurit që kontrollojnë funksionet shqisore dhe motorike.

Pas tre muajsh trajnimi në shtëpi, pacienti tani është në gjendje të marrë vetë një shishe me ujë nëpërmjet një doreze të mbushur me ajër të drejtuar nga valët e trurit, me shkallën e saktësisë së  kapjes që tejkalon 90 për qind. Pacienti gjithashtu tregoi përmirësim në rezultatet klinike për dëmtimin e palcës kurrizore dhe matjet e mundshme ndijore, sipas neurokirurgëve.

Foto: Shkolla e Mjekësisë së Universitetit Tsinghua

Pajisja e implantueshme, e quajtur Neural Electronic Opportunity (NEO), është zhvilluar nga një grup shkencëtarësh nga Universiteti Tsinghua (Cin hua). Pjesa e saj e brendshme merr sinjale nervore përpara se t’i transmetojë ato në një kompjuter ose celular.

 Ndryshe nga teknologjia “Telepathy”, e zhvilluar nga startupi amerikan “Neuralink”, elektrodat e pajisjes NEO janë të ngulitura midis kafkës dhe membranës së jashtme të trashë që rrethon trurin dhe palcën kurrizore.

Këto elektroda mund të sigurojnë cilësinë e sinjalit pa dëmtuar indet nervore, sipas Hong Bo, një profesor nga Shkolla e Mjekësisë në Tsinghua.

Gjithashtu, pajisja përdor furnizimin me energji pa tela dhe transmetimin e sinjalit, duke e bërë kështu makinën e brendshme të implantuar në kafkë pa bateri, tha Hong.

 Më 19 dhjetor 2023, rasti i dytë i implantimit të një pajisjeje të tillë te një pacient me dëmtim të shtyllës kurrizore u zbatua në spitalin Tiantan të Pekinit. Pacienti tani po i nënshtrohet rehabilitimit në shtëpi.

Foto: Shkolla e Mjekësisë së Universitetit Tsinghua

Foto: Shkolla e Mjekësisë së Universitetit Tsinghua

Ndërfaqja tru-kompjuter, e cila mundëson komunikimin midis trurit dhe kompjuterit duke regjistruar dhe interpretuar sinjalet e trurit, është bërë një teknologji në zhvillim kohët e fundit.

Elon Musk tha të hënën se “Neuralink” ka implantuar një pajisje te një njeri për herë të parë  dhe pacienti është duke u rikuperuar.

Ministria e Industrisë dhe Teknologjisë së Informacionit të Kinës është zotuar të mbështesë industritë e ardhshme që përfshijnë robotët humanoidë dhe metaverse-n.

Zhao Guoguang, profesor në spitalin Xuanwu, tha se teknologjia tru-kompjuter do t’i ndihmojë pacientët me dëmtime të shtyllës kurrizore dhe epilepsi që të shërohen dhe ofron mundësinë e realizimit të bashkimit të inteligjencës tru-kompjuter.

 “Por ka ende një rrugë të caktuar për të bërë për aplikimin në shkallë të gjerë të ndërfaqes tru-kompjuter dhe kërkimet e ardhshme do të kryhen mbi stabilitetin dhe funksionalitetin e pajisjes”,- shtoi Zhao./Artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN

Share: