Kina do të mbështesë risitë teknologjike, zhvillimin industrial dhe qeverisjen e sigurisë të “industrive të ardhshme”, sipas një udhëzimi qeveritar.
Një grup të ashtuquajturish “inkubatorë” dhe zonash pilot të industrive të ardhshme duhet të ndërtohen deri më 2025, ndërsa duhet të arrihen përparime në rreth 100 teknologji thelbësore në fushat kryesore, sipas udhëzimit të dhënë nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit dhe gjashtë ministri e institucione të tjera të hënën.
“Industri të ardhshme” quhen industritë e reja të integruara me “teknologjitë pararojë”, të tilla si metaversi, robotët humanoidë, ndërfaqja tru-kompjuter dhe informacioni kuantik, thuhet në dokument.
Udhëzimi përcakton gjithashtu një objektiv për vitin 2027, kur forca e përgjithshme e Kinës në industritë e ardhshme pritet të ketë një hov të ndjeshëm, me arritjen e përparimeve kyçe në teknologjitë kryesore dhe me kryesimin e Kinës në disa fusha.
Autoritetet do të bashkërendojnë burimet kombëtare e vendore, do të nxitin mbështetjen financiare e fiskale ndaj kompanive fillestare premtuese dhe do të lehtësojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në kërkimin dhe zhvillimin e teknologjive të ardhshme.
Udhëzimi bën thirrje gjithashtu për përpjekje për të zhvilluar të ashtuquajturat “produkte simbol”, për të pasuruar skenarët e aplikimit dhe për të optimizuar sistemet e mbështetjes industriale për industritë e ardhshme, me një fokus të veçantë në gjashtë fusha kyçe, që përfshijnë prodhimin, informacionin, materialet, energjinë, hapësirën dhe shëndetin.
Gjithashtu duhet të publikohet një katalog për nxitjen e teknologjive të fjalës së fundit, për t’i dhënë shtysë zbatimit të arritjeve teknologjike të përparuara, theksohet në udhëzim./CRI.CN