Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas është emri i fundit në listën e Rusisë ku kërkohen edhe 160 evropianë të tjerë. Cili është qëllimi i Rusisë?
Çfarë lloj urdhërarresti është ky?
Bëhet fjalë për bazën e të dhënave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme tëRusisë. Ato mund të gjenden në faqen e internetit të ministrisë. Nëse ka dyshime se i akuzuari është arratisur nga drejtësia ruse, ai do vendoset në këtë listë si i kërkuar. Ministria nuk zbulon kriteret sipas të cilave është bërë lista. Por aktualisht në listat e të kërkuarve për vepra penale janë 96.752 persona.
Cilët shtetas jo rusë kërkon Rusia?
Kjo listë ruse përfshin qindra të huaj, kryesisht ushtarakë ukrainas dhe persona të Forcave të Armatosura të Ukrainës. Por lista përfshin edhe 160 politikanë, përfaqësues dhe nëpunës civilë të Evropës Lindore nga Estonia, Lituania, Letonia, Polonia dhe Ukraina.
Ndër emrat më të njohur janë kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas, sekretari shtetëror i Estonisë Taimar Peterkop dhe ministri i Kulturës i Lituanisë, Simonas Kairys.
Për çfarë akuzohen?
“Veprimet armiqësore kundër trashëgimisë historike ruse” janë arsyeja zyrtare e ndjekjes së tyre. Për shembull, pas pushtimit rus të Ukrainës, parlamenti letonez votoi për prishjen e të gjitha monumenteve të mbetura të epokës sovjetike në vend. Këto monumente i kushtohen Patriotit të Madh Luftë, siç e quajti Rusia Luftën e Dytë Botërore.
Kjo është arsyeja e mjaftueshme që Ministria e Punëve të Brendshme ruse të lëshojë urdhër për arrestimin e të gjithë anëtarëve të parlamentit, të cilët votuan në maj 2022. Bëhet fjalë për 83 persona. Një prej tyre është edhe ish-ministrja e Brendshme Maria Golubeva. Lituania filloi prishjen e monumenteve sovjetike në vitet 1990. Në vitin 2022 u hoqën të gjitha. Estonia shkatërroi gjithashtu një monument sovjetik. Dhe në mesin e vetë popullatës baltike pati protesta të izoluara kundër tij.
Rusia i kritikon ashpër vendime të tilla. “Lufta kundër historisë së përbashkët dhe heqja e monumenteve të atyre që shpëtuan Evropën nga fashizmi është natyrisht, e egër,” tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Por mosmarrëveshja për monumentet nuk është e vetmja arsye pse një person përfundon në fletarrestin rus. Presidenti rus Vladimir Putin ka kritikuar vazhdimisht Letoninë dhe Estoninë për trajtimin e pakicave rusishtfolëse në këto vende.
Dy shtetet baltike po largohen plotësisht edhe nga gjuha ruse. Arsimi organizohet vetëm në gjuhët kombëtare. Ata që kanë një pasaportë ruse dhe duan të vazhdojnë të jetojnë në Letoni duhet të dëshmojnë njohuritë e gjuhës letoneze më së voni deri vitin e ardhshëm. Përndryshe, ekziston rreziku i dëbimit, edhe nëse personi e ka kaluar tërë jetën në Letoni.
Cilat janë pasojat që mund të priten?
Për sa kohë që ata nuk shkelin në Rusi, urdhri për arrest nuk ka pasoja për këta persona. Kurse në Federatën Ruse, ata për të cilët është lëshuar fletë arresti mund të arrestohen dhe mund të ketë procedim penal me akuzën e “veprimtarisë kriminale”.
A i shërben regjistrimi interesave të brendshme politike?
Po. Me zgjedhjet presidenciale në mars, Putini dëshiron të tregojë se ai qëndron në mbrojtje dhe se i mbron të gjithë rusët – jo vetëm në vend, por edhe përtej kufijve të Rusisë. Kreu i Kremlinit dëshiron të pozicionohet si një president i fortë dhe vendimtar. Për shkak të kësaj, ai vë në rrezik marrëdhëniet tashmë të acaruara dypalëshe me vendet baltike.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, kjo listë plotëson gjithashtu imazhin e një Evrope armiqësore që mbështet fuqimisht Ukrainën. Kryeministrja letoneze Kallas, në veçanti, mbron fuqimisht dërgesat e mëtejshme të armëve dhe mbështet fuqishëm Ukrianën në luftën kundër Rusisë./DW