Home KRYESORE Mblidhet online Komisioni për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri: Të kontribuojmë me produkte konkrete

Mblidhet online Komisioni për Reformën Zgjedhore, Gjiknuri: Të kontribuojmë me produkte konkrete

Komisioni i posaçëm për Reformën Zgjedhore zhvillon sot seancë dëgjimore me organizatat e Shoqërisë Civile që kanë fushë të përgjegjësisë së tyre çështjet zgjedhore.

Bashkëkryetari Damian Gjiknuri u shpreh se është në dorën e aktorëve politikë nëse duan ta respektojnë ligjin zgjedhor apo ta prishin kur nuk marrin rezultatet që duan.

Ndër të tjera ai tha se Kodi Zgjedhor është i rafinuar dhe i njohur nga të gjitha palët, ndërsa shtroi se, kontributi në komision duhet të jetë konkret nga të gjitha palët, duke iu drejtuar kështu organizatave të Shoqërisë Civile.

“Komisioni i Reformës Zgjedhore ka mandat të plotë, nuk lë asnjë hapësirë për keqinterpretim, madje është formuluar në mënyrë që të preken dhe tema për të cilat palët bien dakord. Kontributi në komision duhet të jetë shumë konkret”, tha Gjiknuri.

Ai u shpreh se, “Komisioni është gjendur në rrethana të vështira, por është një vullnet i mirë që të gjithë aktorët të kontribuojnë me produkte konkrete”.

“Nuk do shpikim rrotën këtu dhe s’do bëjmë asgjë nga e para. Kodi Zgjedhor është i rafinuar, i njohur nga të gjitha palët, nuk ka vështirësi në zbatimin zgjedhor, ligji është i barabartë dhe garanton zgjedhje të barabartë, këtë e ka thënë dhe komisioni i OSBE. A ka disa probleme në zbatim? Po, edhe mund të ketë, kjo është një çështje e maturimit të demokracisë dhe forcimit të institucioneve, dhe organizatat kanë një rol”, theksoi Gjiknuri.

“Ajo që mbetet më e rëndësishme është vetëdija e aktorëve politikë, që ta respektojnë këtë sistem, ta respektojnë ligjin zgjedhor, apo ta prishin kur nuk ju dalin rezultatet dhe kjo është një sëmundje e vjetër, megjithatë ne e kemi të vështirë ta atribuojmë këtë në komision”, tha Gjiknuri.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari Enkelejd Alibeaj tha se, mbledhja online ishte e vetmja mënyrë që përfaqësuesit e organizatave civile të mund të parashtrojnë rekomandimet e tyre për shkak se kaosi i deputetëve të Rithemelimit ka pamundësuar mbledhjet fizike.

“Iu kërkoj ndjesë për moszhvillimin e kësaj mbledhje disa ditë më parë, për arsye që tashmë dihen. Besoj kam mirëkuptimin tuaj dhe kjo është një mënyrë që do u japë mundësi të shprehni pikëpamjet tuaja mbi atë se çfarë duhet të diskutojë komisioni i Reformës Zgjedhore.  E mira do të ishte që përveç përshkrimit të asaj se çfarë mendoni, të depozitoni në formë të shkruar materialet që do të prodhoni gjatë kësaj periudhe”, tha Alibeaj.

360grade.al

Share: