Nga 16 shkurti deri 18 shkurt u zhvillua në Mynih Konferenca e 60-të e Sigurisë (MSC) me pjesëmarrjen e ekspertëve të sigurisë, politikanëve të nivelit të lartë nga e gjithë bota, përfaqësues të medias, shoqërisë civile dhe botës akademike. Konferenca pati në fokus krizat aktuale botërore, ndër to konfliktin Rusi-Ukrainë, situatën në Gaza si pasojë e konfliktit Izrael-Palestinë, të ardhmen e marrëdhënies transatlantike, situatën e mbrojtjes në Europë dhe ndryshimin e klimës. Ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi shpalosi qëndrimin e Kinës në fjalimin e mbajtur gjatë konferencës si dhe në takimet intensive me udhëheqës të fuqive të mëdha përgjatë punimeve. Në intervistë për Radio Ejani prof.Enver Bytyçi përcjell opinionin e tij rreth punimeve të konferencës, ndikimin e pritshëm të saj në aktualitetin e trazuar global dhe rolin e rëndësishëm të Kinës në zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe sigurinë në botë.
CMG: Konferenca e 60-të e Sigurisë në Mynih u zhvillua në një aktualitet të trazuar global, që fokusoi dhe axhendën e saj në konfliktin Rusi-Ukrainë, situatën emergjente në Gaza si pasojë e konfliktit Izrael-Palestinë, por dhe të ardhmen e marrëdhënies transatlantike dhe ndryshimin e klimës. Cili pritet të jetë ndikimi i kësaj konference në zgjidhjen e konflikteve ?
Prof. Enver Bytyçi: Konferenca e Sigurisë, e cila zhvillohet çdo vit tradicionalisht në Mynih të Gjermanisë është një event shumë i rëndësishëm për të ballafaquar pikëpamjet midis udhëheqësve politikë dhe diplomatikë dhe ekspertëve në rang ndërkombëtar lidhur me vatrat e konflikteve, paqen, sigurinë dhe stabilitetin global. Natyrisht që kjo konferencë ka një rol të rëndësishëm në përafrimin e qendrimeve me ballafaqimin e pikëpamjeve dhe kësaj radhe ishte një konferencë që dëshmoi se është e përkushtuar për paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Por fatkeqësisht konferenca e sivjetme në dallim me thuajse të gjitha konferencat e disa dekadave të mëparshme ishte me më pak rezultate në këtë drejtim, aq sa komisioneri për punët e jashtme dhe siguri të Europës Josef Borrell tha se fuqitë e mëdha në vend të paqes po kërkojnë luftë. Çka do të thotë se mospajtimet, kontradiktat dhe konfliktet janë prezente. Kjo edhe për faktin se ndoshta për here të pare nuk përfaqësohej në këtë konferencë një nga fuqitë e mëdha të botës, ose superfuqia më e madhe bërthamore, Rusia.
Prof. Enver Bytyçi në intervistë për CMG-in
Megjithatë duhet shpresuar se në këtë konferencë janë hedhur hapa të rëndësishëm në drejtim të koordinimit të veprimeve midis fuqive të mëdha sidomos, por edhe vendeve të tjera në shërbim të paqes dhe sigurisë.
CMG: Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi mori pjesë në konferencën e sigurisë dhe mbajti një fjalim në sesionin e posaçëm për Kinën. Mesazhi kryesor i fjalimit është se Kina do të jetë një forcë stabilizuese në promovimin e bashkëpunimit midis vendeve të mëdha, përballimin e çështjeve të nxehta, forcimin e qeverisjeve globale dhe nxitjen e rritjes globale. Kina do të ruajë gjithmonë vazhdimësinë dhe qëndrushmërinë e politikave të saj kryesore dhe do të jetë një forcë stabilizuese në botën e trazuar. Komenti juaj për përfaqësimin e Kinës në Konferencën e Sigurisë
Prof. Enver Bytyçi: Pjesëmarrja e shefit të diplomacisë së Kinës në Konferencën e Sigurisë në Mynih ishte e një rëndësie të veçantë. Ndoshta ai bëri një ndër performancat më të mira të kësaj konference për shkak të mesazheve që dha, takimeve që bëri, angazhimit që dëshmoi për ruajtjen e rendit botëror dhe ruajtjes së parimit të globalizmit në këtë botë të trazuar sot, me konflikte si ai i agresionit rus në Ukrainë apo konflikti në Gaza.
Ministri i jashtëm kinez Wang Yi ishte një nga figurat qendrore të kësaj konference të cilit iu referuan mediat botërore në përgjithësi, por në reagimet e Perëndimit shoh një lloj kontradikte. Kontradikta qëndron midis asaj që në Perëndim kanë të dëshirë të mbajnë një Kinë të paktën neutrale ose bashkëpunuese me Perëndimin, SHBA-në dhe fuqitë e mëdha të Europës perëndimore dhe BE-në, por nga ana tjetër kontradikta ekziston dhe e shoh në pikëpamjet që disa media dhe segmente të propagandës në Perëndim fajësojnë Kinën për faje të paqena, për veprime hipotetike. Nuk kam parë në asnjë nga analizat e mediave perëndimore ndonjë fakt konkret ku të akuzohet Kina për destabilitet ose për prishjen e ekuilibrave të harmonisë botërore, në kuptimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Ndërkohë që ata merren me iluzione apo hipotetizma të tilla si përshembull Kina do të bëjë të njejtin veprim në Tajvan, siç bëri Rusia me Ukrainën etj. Pra intepretime nga më të ndryshmet që nxisin në njëfarë mënyre opinionin publik të krijojë një imazh negativ për Kinën. Kjo është në perceptimin tim, ndoshta jam i gabuar, krejt e padrejtë, për shkak se Kina që nga fillimi i luftës në Ukrainë e deri më sot ka mbajtur një qëndrim neutral dhe nga më të drejtët në kuptimin e ndërmjetësimit dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, të raporteve të shtetit kinez me sovranitetin shtetëror, me ligjin ndërkombëtar, me Kartën e OKB-së, me parimet e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe sidomos të marrëdhënieve midis fuqive të mëdha.
Ministri i jashtëm i Kinës me shefin e politikës së jashtme dhe sigurisë në BE (Foto CMG)
Unë jam optimist sepse shoh një angazhim të padiskutueshëm të Kinës për të përmirësuar marrëdhëniet me Perëndimin. Ministri i jashtëm kinez Wang Yi kishte takime me ministrat e jashtëm të Spanjës, të Francës, me sekretarin e shtetit Blinken dhe autoritete të tjera të larta që morën pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih dhe për pasojë shpresoj që të gjitha këto takime janë aranzhime për koordinim, bashkëpunim dhe mirëkuptim më të madh në dobi të paqes, rendit botëror dhe të stabilitetit kudo në botë.
CMG: Konferenca e sigurisë në Mynih është një forum global i nivelit të lartë mbi politikën e sigurisë, e cila përqendrohet në pasqyrimin kryesisht të qëndrimeve të Perëndimit, veçanërisht të Europës për situatën dhe prirjet e sigurisë botërore. Kreu i diplomacisë kineze Wang Yi pati takime të rëndësishme gjatë konferencës me homologun amerikan Anthony Blinken, homologun e BE-së Josef Borrell, në 20 vjetorin e marrëdhënieve dypalëshe. Si i vlerësoni këto takime ?
Prof. Enver Bytyçi: Pozicioni i Kinës në botën e sotme të trazuar, një pozicion i pavarur, neutral dhe në qasje të paqes dhe sigurisë ndërkombëtare është ndoshta elementi më i rëndësishëm i kësaj epoke. Nëse Kina do të bëhej palë, në kuptimin e vërtetë të fjalës, përshembull me Rusinë, me Izraelin apo me palestinezët në kuptimin e hapur dhe të drejtpërdrejtë, atëherë konflikti do të thellohej edhe më shumë në këto dy vatra shumë të rrezikshme të konfliktit në botë që mund të çojnë në një luftë të tretë botërore.
Kina po punon shumë për të larguar sa më shumë në horizont atë që përflitet si luftë e tretë botërore. Kina po punon shumë për të mënjanuar dhe limituar përdorimin sidomos të armëve bërthamore. Kina po punon shumë dhe nëse nuk do të provokohej në Tajvan jam i sigurtë që nuk do të vepronte ushtarakisht në asnjë rrethanë për pushtimin e Tajvanit. Sigurisht që ajo do ta realizonte të drejtën e vet në Tajvan, por gjithmonë me mjete paqësore. Në këtë kuptim them që roli i Kinës është shumë i rëndësishëm. Takimet e ministrit të jashtëm Wang Yi me sekretarin Blinken dhe personalitete të tjera të diplomacisë europiane janë në vazhdën e rritjes së bashkëpunimit dhe shpresoj që të ndikojnë në përafrimin e qendrimeve dhe mbi të gjitha të zgjidhjes së konflikteve që ekzistojnë sot në planet.
Unë besoj që janë dy linja në të cilat është përmbajtur ministri i jashtëm kinez. Linj e pare është linja e bashkëpunimit dhe e perspektivës së këtij bashkëpunimi midis BE-së dhe Kinës nga njera anë, si dhe SHBA-së dhe Kinës po ashtu. Linja e dytë ka të bëjë me harmonizimin e qendrimeve, sidomos i zgjidhjes së dy konflikteve të mëdha që sot kanë përfshirë dy rajone të globit. Çdo lëvizje që ka bërë ministri i jashtëm kinez në Konferencën e Sigurisë në Mynih duhet pare si një shenjë pozitive për një të ardhme më të mirë të rendit botëror dhe të paqes në botë.
Intervistoi Eda Merepeza/artikulli dhe fotot janë ofruar nga CRI.CN