Home Gjeo-Ekonomia Problemet e mëdha të partisë së Vuçiqit në Beograd

Problemet e mëdha të partisë së Vuçiqit në Beograd

Seanca konstituive e Kuvendit të Beogradit u shty për datën 1 mars për shkak të mungesës së kuorumit. Kryetari i Autoritetit të Përkohshëm të bashkisë të Beogradit, Aleksandar Shapiq, në prag të seancës konstituive të parlamentit të qytetit, tha se nëse për dhjetë ditë nuk arrihet marrëveshja për shumicën me listën “MI-Glas iz naroda”, në Beograd do të zhvillohen zgjedhjet e reja.

Nëse nuk ka shumicë deri në këtë datë, fillon një periudhë e re prej 45 deri në 60 ditë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Bartësi i listës “MI-Glas iz naroda”, Branimir Nestoroviq, tha se nuk duan të jetnë pjesë e koalicionit dhe se zgjidhja më e mirë është shpallja e zgjedhjeve të reja në Beograd.

Opozita serbe e konsideron këtë fitore të madhe të saj. Siç u theksua në reagimet e para, anulimi i seancës është dëshmi e qartë se ato zgjedhje nuk ishin legjitime. Zgjedhjet duhet të përsëriten në kushte demokratike, deklarojnë liderët e opozitës dhe thonë se rishikimi i listës së zgjedhësve me pjesëmarrjen e vëzhguesve është kushti minimal absolut për zgjedhje të reja.

Në anën tjetër kryeministrja në mandatin teknik, Ana Brnabiq, pohon se kjo nuk është fitore e opozitës dhe se qeveria nuk ka vjedhur asnjë votë.

Problemet me shumicën në Beograd

Protestat në Serbi kundër vjedhjes së votave me flamurin e BE
Protestat në Serbi kundër vjedhjes së votaveFotografi: Darko Vojinovic/ASSOCIATED PRESS/picture alliance
Zoran Gavriloviq nga Byroja e Kërkimeve Sociale (BIRODI) komenton për DW se bëhet fjalë për blerjen e kohës nga ana e autoriteteve. “Është e qartë se formimi i shumicës në një proces që nuk ishte ligjor do të ishte i paqëndrueshëm. Thjesht u vërtetua se zgjedhjet ishin të mbushura me parregullsi dhe se kishte shkelje të rënda të ligjit. Po ashtu, Nestoroviq tha se deputetëve të tyre po u ofrohen shuma gjashtëshifrore në euro për t’u futur në koalicion. Parlamenti Evropian i ka vënë një vulë të gjithave dhe mendoj se Aleksandar Vuçiq ka vendosur të heqë dorë për momentin për shkak të reagimit të brendshëm dhe të jashtëm”, beson bashkëbiseduesi ynë.

Edhe Zoran Stojiljkoviq, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike, shtyrjen e seancës e sheh si blerje të kohës. “Mendoj se kjo është bërë që deri më 1 mars të shihen reagimet e opinionit vendas dhe të Bashkimit Evropian. Ndoshta do të ketë një përpjekje për të balancuar të gjithën me gatishmërinë për të shkuar sërish në zgjedhjet e Beogradit”, tha Stojiljkoviq për DW.

Përsëritje në të njëjtat kushte?

Pyetja që shtrohet është se çfarë pret të ndodhë qeveria në dhjetë ditët e ardhshme. Dhe pse nuk u mbajtën menjëherë zgjedhjet e reja? Profesor Stojiljkoviq beson se “ky do të ishte një gjest që do të tregonte dobësi”.

“Qeveria aktuale po përpiqet të dalë nga çdo telash duke e rrotulluar situatën dhe duke treguar një pjesë të bashkëpunimit të saj. Ajo që duket se po harrojmë për momentin është se ajo do të përpiqet të shkojë në ato zgjedhje të përsëritura në kushte kryesisht të pandryshuara dhe kështu të përpiqet t’i fitojë ato”, paralajmëron Zoran Stojiljkoviq.

Aleksandar Vucic mohon akuzat për vjedhjen e votave
Aleksandar Vucic mohon akuzat për vjedhjen e votaveFotografi: Darko Vojinovic/AP/dpa/picture alliance
Bllof i pasuksesshëm i autoriteteve

Ditët e fundit, zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), si dhe Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), kanë pohuar se kanë shumicën për të formuar një qeveri në kryeqytetin e Serbisë. Ata deklaruan se deputetë nga grupe të ndryshme parlamentare po kontaktojnë me ta dhe u ofrojnë mbështetje SNS dhe SPS në një votim të fshehtë. Tani është e vështirë të përcaktohet, nëse ishte një bllof apo pas këtyre deklaratave fshiheshin kalkulime dhe marrëveshje të tjera.

Zoran Gavriloviq beson se “në ditët në vijim, Vuçiç mund të tentojë të negociojë duke shmangur hetimin ndërkombëtar, në këmbim të përsëritjes së zgjedhjeve në Beograd”. Ai ndoshta do të përpiqet të zbusë disi raportin e ODIHR. Mendoj se do të jemi dëshmitarë të një lloj loje politike”, thekson Gavriloviq.

Legjitimiteti i kontestuar i zgjedhjeve

Për Zoran Gavriloviqin, këmbëngulja e autoriteteve se duan legjitimitetin e plotë të qeverisë së Beogradit është “një histori boshe, sepse qytetarët e Beogradit zgjodhën listën e udhëhequr nga Presidenti i Serbisë. Vuçiëi ka shkelur Kushtetutën, Ligjin për Presidentin e Republikës dhe Statutin e SNS, sepse ai është vetëm anëtar i partisë dhe si president nuk ka pasur të drejtë të paraqitet në listat zgjedhore. Thjesht nuk mund të flasim për legjitimitet”, thekson Gavriloviq.

Qëndrimin e opozitës për hapat e ardhshëm do ta dimë së shpejti, thotë Zoran Stojiljkoviq. Dhe do të shohim “nëse do të bien dakord për zgjedhje të shpejta në kushte të ngjashme, që është një lloj rreziku, apo do të insistojnë për kushte më të mira”, vëren profesor Stojiljkoviq./DW

Share: