Mijëra njerëz demonstruan të shtunën në Izrael duke kërkuar lirimin e pengjeve nga Hamasi në Rripin e Gazës, ndërsa disa kërkuan dorëheqjen e qeverisë Netanyahu.
Të afërmit e pengjeve kanë akuzuar kryeministrin Benjamin Netanyahu për pengimin e negociatave për të arritur një marrëveshje që mund t’i kthejë pengjet, tha në një fjalim nëna e një të riu izraelit që mbahet rob në Rripin e Gazës.
Në një tubim të mbajtur në Tel Aviv, shumë demonstrues kërkuan dorëheqjen e qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve. Qindra protestues bllokuan rrugët kryesore të qytetit dhe të paktën shtatë u arrestuan nga policia.
Demonstrata për lirimin e pengjeve u mbajtën gjithashtu në Jerusalem dhe Haifa 127 ditë pas fillimit të luftës, e cila u ndez nga një sulm i paprecedentë i Hamasit në të cilën humbën jetën 1200 njerëz.
Izraeli u përgjigj duke goditur nga ajri Rripin e Gazës, të ndjekur nga operacionet tokësore. Më shumë se 28,000 palestinezë janë vrarë gjatë operacioneve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, sipas një raporti të ministrisë së shëndetësisë në enklavën palestineze të kontrolluar nga Hamasi.
Gjatë një armëpushimi të shkurtër në nëntor, 105 pengje u liruan në këmbim të 240 palestinezëve të mbajtur në burgjet izraelite. Megjithatë, që atëherë, asnjë fije shprese nuk është shfaqur për familjet e pengjeve të mbetura, të cilët janë në ankth për fatin e të dashurve të tyre.
Autoritetet izraelite vlerësojnë se të paktën 30 nga 136 pengjet kanë vdekur.
360grade.al