Home Gjeo-Ekonomia Punësimin i infermierëve, veterinerëve, mamive dhe farmacistëve në Ballkan, kualifikimet profesionale njihen...

Punësimin i infermierëve, veterinerëve, mamive dhe farmacistëve në Ballkan, kualifikimet profesionale njihen pas 3-5 vitesh studime

Infermierët, veterinerët, mamitë dhe farmacistët që do të kërkojnë të ndjekin të njëjtin profesion në shtetet e Ballkanit Perëndimor kualifikimet do t’u njihen pasi të ndjekin studime dhe trajnime që do të zgjasin 3 deri në 5 vite. Për ndjekjen e profesionit në palën pritëse, rregullat për studime dhe trajnime do të zbatohen si nga të punësuari, të vetëpunësuar apo personat fizik. Rregullat për lëvizjen e profesionistëve përcaktohen në projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve profesionale të infermierëve, veterinerëve, farmacistëve dhe mamive në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore” që është depozituar në Kuvend për shqyrtim. Në vijim marrëveshja u nënshkrua në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt në Tetorin e vitit të kaluar në Tiranë mes kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kryeministrit në detyrë të Malit të Zi, Dritan Abazoviç, atij të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, kryeministres së Bosnje-Hercegovinës, Borjana Kristo dhe kryeministres serbe, Ana Brnabic.

Marrëveshja përcakton se secila palë do të lejojë një profesionist të palës lëshuese, me dëshmi të kualifikimeve profesionale dhe formale, të ndjekë një profesion të rregulluar brenda një pale të tillë, në përputhje me rregullat dhe legjislacionin e saj përkatës. Kjo njohje do të respektojë kushtet minimale të trajnimit, të përcaktuara në këtë marrëveshje. Trajnimi i infermierëve përgjegjës për kujdesin e përgjithshëm do të përfshijë gjithsej të paktën 3 vite studimi, të cilat mund të shprehen më tej me kreditë ekuivalente ECTS dhe do të përbëhet nga të paktën 4,600 orë trajnimesh teorike dhe klinike, me kohëzgjatjen e trajnimit teorik që përfaqëson të paktën një të tretën dhe kohëzgjatjen e trajnimit klinik të paktën gjysmën e kohëzgjatjes minimale të trajnimit. Trajnimi i veterinerëve përfshin gjithsej të paktën 5 vite studim teorik dhe praktik me kohë të plotë, të cilat mund të shprehen gjithashtu me kreditë ekuivalente ECTS, në një universitet ose në një institut të lartë që ofron trajnim të njohur si të një niveli ekuivalent, ose nën mbikëqyrjen e një universiteti që mbulon të paktën programin e studimit. Pranimi në trajnimin veterinar do të kushtëzohet me zotërimin e një diplome ose certifikate që i jep të drejtë mbajtësit të hyjë, për studimet në fjalë, në universitete ose institucione të arsimit të lartë të njohura si të një niveli ekuivalent për qëllimin e studimit përkatës.
Trajnimi i mamive duhet të përfshijë gjithsej të paktën: (a) trajnim specifik me kohë të plotë si mami që përfshin të paktën tre vjet studim teorik dhe praktik me kohë të plotë si mami me kohëzgjatje prej 18 muajsh. Marrëveshja ndër të tjera përcakton se pranimi në një kurs trajnimi si farmacist varet nga zotërimi i kualifikimit ose certifikatës që siguron akses, për studimet në fjalë, në universitete, institucione të arsimit të lartë të një niveli të njohur si ekuivalent ose një institucion nën mbikëqyrjen e një universiteti. Dëshmia e kualifikimeve formale si farmacist dëshmon trajnimin me kohëzgjatje të paktën 5- vjeçare, i cili mund të shprehet edhe me kreditë ekuivalente ECTS, duke përfshirë të paktën: 4 vjet trajnim teorik dhe praktik me kohë të plotë në një universitet ose institucion të arsimit të lartë të një niveli të njohur si ekuivalent, ose në një institucion nën mbikëqyrjen e një universiteti; gjatë ose në fund të trajnimit teorik dhe praktik, stazh 6-mujor në një farmaci e cila është e hapur për publikun ose në një spital nën mbikëqyrjen e departamentit farmaceutik të atij spitali. Nëse dëshmitë e kualifikimit formal nuk janë në përputhje me kushtet minimale të trajnimit, siç parashikohen në këtë marrëveshje, njohja e kualifikimit profesional do t’i nënshtrohet një sistemi të përgjithshëm njohjeje./ Monitor

Share: