Emisioni Fiks Fare ka transmetuar mbrëmjen e sotme problemin e nxënësve të Shkollës së Mesme të Bashkuar, “Salih Halili”, në Rrajcë.
Nxënësit e kësaj shkolle prej një viti zhvillojnë mësimin e tyre në lokale dasmash dhe në bodrumet e lokaleve.
Kjo pasi Shkolla e Mesme e Bashkuar “Salih Halili” në fshatin Rrajcë të Bashkisë Përrenjas, për shkak të amortizimit dhe dëmtimeve të shkaktuara nga tërmetet e viteve të fundit, u mbyll përfundimisht për 433 nxënësit e saj.
Nxënësit shprehin shqetësimin e tyre lidhur me këtë situatë, ku theksojnë se këto ambiente nuk plotësojnë as kushtet minimale të një shkolle.
Ato janë ambiente të vogla dhe të pa rehatshme për të zhvilluar procesin mësimorë. Përveç kësaj ankesë tjetër ka qenë dhe për pjesën e lagështisë në këto klasa provizore. Kjo situatë ka çuar shpesh herë që nxënësit e prindërit të protestojnë, por që askush nuk ua ka vënë veshin.
Një nga mësueset shprehet për Fiksin që janë bërë shumë kërkesa nga ana e tyre, por nuk janë marrë masa. Ajo thotë se këto ambiente nuk janë aspak të rehatshme, pasi numri i nxënësve është shumë i madhe për këto ambiente. Që pas mbylljes së kësaj godine, nxënësit e Shkollës së Mesmë të Bashkuar “Salih Halili”, zhvillojnë mësimin me turne.
Turnet janë të ndara sipas klasave, ku shkolla e mesme zhvillon mësimin në turnin e parë ndërsa 9-vjeçarja turnin e dytë.
Gazetarët e emisionit Fiks Fare kërkuan një përgjigjie nga Bashkia Përrenjas, ku ju thanë se është hartuar një projekt për ndërtimin e shkollës prej vitit 2020 dhe kanë pritur që ky projekt të miratohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, dhe nga Ministria e Financës dhe Ekonomisë.
Bashkia Përrenjas tha për Fiksin se është premtuar nga ministria që shumë shpejt do të bëjnë të mundur financimin për ndërtimin e kësaj godine . Por deri në ndërtimin e shkollës ata janë munduar të përshtasin klasat në disa godina elzistuese, siç janë lokalet e dasmave, të cilat janë marrë me qira.