Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera Shtohen gjobat për ndotjen! Propozimi, 30% më shumë. Në rast mospagimi, i...

Shtohen gjobat për ndotjen! Propozimi, 30% më shumë. Në rast mospagimi, i mbledhin përmbaruesit

Qeveria do të rrisë me 30% gjobat për kompanitë dhe individët që ndotin mjedisin.

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit ka hedhur për konsultim publik ndryshimet që synon të bëjë në ligjin për mbrojtjen e mjedisit.

Sipas relacionit, këto ndryshime janë të detyruar për shkak të rritjes së nivelit të ndotjes nga rritja e paplanifikuar e veprimtarive industriale, që ndotin ajrin dhe ujin. Gjobat do të synojnë të rrisin ndërgjegjësimin e aktorëve të tregut, ndërsa ato do të përfshijnë vetëm kundërvajtjet administrative, jo veprat penale që bëhen në dëm të mjedisit.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në projektligj është se gjobat në rast moshlyerje, do të ekzekutohen nga Zyrat Përmbarimore. Sipas Ministrisë së Mjedisit gjobat do të kthehen në tituj ekzekutivë,  pasi shpesh gjatë procesit të mbledhjes së tyre ka pasur vonesa për shkak të ankimimeve në Gjykata dhe vonesat kohore.

Disa nga veprimet që ndëshkohen me gjobë në ndotjen e mjedisit përfshijnë nga lëshimi i tymrave të rrezikshëm për njeriun në atmosferë, deri tek përdorimi i OMGJ-ve të ndaluara, shkarkimin e erërave të pakëndshme, si dhe mospërmbushjen e kërkesave për eliminimin dhe reduktimin e ndotësive organikë të qëndrueshëm dhe një sërë shkeljesh të tjera.

Mosinformimi dhe mosvënia në dijeni e autoriteteve për mbrojtjen e mjedisit në raste të ndryshme të ndotjes gjithashtu do të ndëshkohet me gjobë sipas projektligjit të ri.

Top Channel

Share: