Zëdhënësi i Zyrës së Komisionerit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës në Hong-Kong i shkroi të martën bordit redaksional të gazetës amerikane “Washington Post”, duke hedhur poshtë akuzat absurde të kësaj gazete në një artikull editorial të saj.
Faqja elektronike e Zyrës së Komisionerit të Ministrisë së Jashtme të Republikës Popullore të Kinës në Rajonin të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut
Në vijim është letra e plotë:
Bordit redaksional të “Washington Post”-it:
Jam thellësisht i tronditur nga padija juaj dhe standardi i dyfishtë mbi Hong-Kongun pasi lexova artikullin tuaj editorial që u botua më 10 mars me titullin “Me ligjin e ri të sigurisë, Hong-Kongu shton shtypjen”.
Çështja e 47 vetave e përmendur në artikullin tuaj po gjykohet nga gjykatat e Hong-Kongut sipas ligjit. Për zhgënjimin tuaj, provat e paraqitura gjatë gjyqeve tregojnë se të akuzuarit nuk janë aq “të pafajshëm” sa mendoni ju dhe besoj se gjykatat do të marrin vendime të drejta. Unë e kuptoj plotësisht dëshpërimin tuaj për t’i “lënë të lirë të 47-tët”, por ju sugjeroj t’ua lini vendimin gjykatave, sepse është puna e tyre, apo jo?
Kur lexova pjesën për çështjen e Jimmy Lai-t, thjesht nuk mund ta mbaja të qeshurën. Ju këmbëngulni se Lai po ushtronte të drejtën e tij si themelues dhe pronar i “Apple Daily”, kur gazeta shkroi editorial për të shprehur mbështetje ndaj sanksioneve të ShBA-së kundër zyrtarëve të Hong-Kongut, duke thënë se “ato duken si vendime normale editoriale ose të drejtat e një pronari të medias”. Por, po sikur pronari i “Washington Post” të ushtrojë të drejtën e tij për t’ju urdhëruar të shkruani editorial në favor të sanksioneve të huaja kundër zyrtarëve amerikanë?
Foto:VCG
Unë kam njëfarë përvoje në marrëdhëniet me mediat amerikane dhe ato duket se janë mjaft krenare për vijën e kuqe që pengon pronarin e një medieje të ndërhyjë në funksionimin specifik të saj. Atëherë, pse vija e kuqe kthehet në dritë jeshile, madje në një “të drejtë normale” në rastin e Jimmy Lai-t dhe “Apple Daily”.
Lai e urdhëroi “Apple Daily” të mos publikonte asnjë raport pozitiv për Kinën dhe të mos u bënte keq politikanëve të caktuar amerikanë, në përpjekje për të fituar mbështetjen e tyre. Si e komentoni këtë? A zbatohet ende këtu rregulli “i artë” i “drejtësisë, objektivitetit dhe ekuilibrit” i gazetarisë perëndimore?
Lidhur me nenin 23 të Ligjit Themelor të Hong-Kongut, ju pretendoni se periudha e konsultimit publik ishte “shkurtuar”. Me sa di unë, Akti Patriot i ShBA-së u miratua vetëm 45 ditë pas sulmeve të 11 shtatorit pa mbajtur një seancë dëgjimore. Pyes veten nëse koha për këtë “legjislacion” është gjithashtu “shkurtuar” bazuar në standardin tuaj? A jeni shqetësuar ndonjëherë të shpreheni kundër tij?
Shumë juridiksione kanë legjislacionin e tyre të bazuar në nevojat e sigurisë kombëtare. ShBA-ja ka 21 ligje të tilla, Britania e Madhe ka 14, ndërsa Hong-Kongu nuk ka miratuar asnjë në nivel lokal. Pas sulmit në “Kapitol Hill” të ShBA-së, më shumë se 800 veta janë ndëshkuar në lidhje me këtë dhe disa prej tyre janë dënuar edhe me 22 vjet burgim. Si mund ta bënte këtë ShBA-ja pa ligjet e saj të sigurisë kombëtare?
Keni të drejtë kur i referoheni 28 shkurtit të këtij viti, përfundimit të periudhës së konsultimit të legjislacionit për nenin 23, si një “piketë”, por ky është një moment historik që shënon trajektoren në rritje të Hong-Kongut nga kaosi në qëndrueshmëri e lulëzim, në vend të “trajektores në rënie” sipas parashikimit tuaj të zymtë. Me siguri, supozoj, ju nuk dëshironi të shihni një përsëritje të trazirave në “Kapitol Hill”, apo jo? Pra, kur Hong-Kongu po përpiqet të shmangë një përsëritje të kaosit dhe të sigurojë një mjedis më të mirë jetese dhe biznesi me një ligj të sigurisë kombëtare, si mundet dikush me arsye të shëndoshë të thotë se Hong-Kongu është në një “trajektore në rënie”?
Foto:VCG
Për sa i përket pohimit tuaj alarmist se “Kina ka dërrmuar atë që ishte një nga pasuritë e saj më të mëdha”, mirë, thjesht qetësohuni dhe merrni frymë thellë. Me mbështetjen e vendosur të qeverisë kineze dhe të popullit kinez, Perla e Orientit do të shkëlqejë edhe më shumë.
Zëdhënësi i Zyrës së Komisionerit të Ministrisë së Jashtme të Republikës Popullore të Kinës në Rajonin të Posaçëm Administrativ të Hong-Kongut/
Idetë dhe opinionet e shprehura në këtë artikull janë të botuesit CRl.CN; ato jo domosdoshmërisht shprehin edhe qëndrimin e Perqasje.com