Arrihet dakordësia për Komisionet Hetimore në Konferencën e Kryetarëve.
Mazhoranca tërhiqet nga vendimet e datës 12 Tetor 2023 për rrëzimin e komisionit hetimor për kontratat koncesionare në shëndetësi dhe për komisionin hetimor për ndërhyjen e paligjshme në sistemin TIMS. Në Konferencën e Kryetarëve është rënë dakort që Opozita do të ushtrojë të drejtën për ngritjen e Komisioneve Hetimore, duke filluar në këtë sesion parlamentar me ngritjen e dy Komisioneve Hetimore që u rrëzuan më 12 Tetor 2023.
Është vendosur në parim që të ngrihen të dyja komisionet e mësipërme, që ishin edhe shkaku i nisjes së aksionit të opozitës në Kuvend që nga 19 Tetori 2023 e deri më sot.
Nesër (e mërkurë) do të mblidhet konferenca e kryetarëve për të miratuar vendimet për ngritjen e ketyre dy komisioneve.
Konferenca e Kryetarëve ka arritur gjithashtu dakortësinë në parim për një tjetër çështje që shkaktoi bllokimin e veprimtarisë normale të Kuvendit, që ishte përfaqësimi me ato që opozita cakton vetë në proceset e Reformave.
Palët kanë rënë dakort në parim që Kuvendi të ngrejë një “Nënkomision për Reformat”, që përbëhet nga 4 anëtarë (2 cakton Çuçi – 2 cakton Bardhi).
Nënkomisioni është përgjegjës për diskutimin/shqyrtimin e paketave ligjore, reformave dhe ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar apo ligjeve që kërkojnë gjithëpërfshirje, përfshirë ligjet që janë të nevojshme për procesin e integrimit europian.
Komisioni merr vendimet me konsensusin e të gjithë anëtarëve (veto) dhe më pas i kalon aktet e dakordësuara për shqyrtim/miratim në seancë plenare.
Kujtojmë këtu që Komisionit të Reformës Zgjedhore i skadon afati më 21 Mars 2024, ku bashkëkryetarët Gjiknuri dhe Alibeaj kanë dështuar deri më tani të kenë produkt.
Top Channel