Home Gjeo-Ekonomia Konflikti/ Dyshja Rama-Erdogan ndalet në dyert e Komunitetit Mysliman

Konflikti/ Dyshja Rama-Erdogan ndalet në dyert e Komunitetit Mysliman

Bujar Spahiu është rizgjedhur në krye të Komunitetit Mysliman për një mandat të dytë 5-vjeçar këtë të shtunë. Procesi i rizgjedhjes së drejtuesit të Komunitetit u survejua nga policia që kishte marrë masa për të evituar përplasjet mes besimtarëve myslimanë, një pjesë e të cilëve kontestojnë procesin.

Jashtë godinës së medresesë së Tiranës, disa shoqata besimtarësh kishin organizuar protesta të linjëzuara me qëndrimet e qeverisë turke kundër “uzurpimit” të komunitetit nga gylenistët. Protestuesit mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Legjitimitet për KMSH” apo “Të largohen gylenistët nga pushtimi i KMSH-së”.

Në zgjedhjet për kreun e ri të KMSH ishin disa kandidatura: Bujar Spahiu, kreu aktual i KMSH, Eduard Shefki dhe Emirjon Vathaj. Ndërkohë, ditën e djeshme ishte zëvendësuar myftiu i Tiranës, Laurent Luli me Bilal Teqjan.

Në një deklaratë për mediat në fund të procesit të zgjedhjeve, drejtuesi i rikonfirmuar i komunitetit, Bujar Spahiu tha se do t’i drejtohej gjykatës për shpifjet që ishin bërë drejt komunitetit.

“Institucioni nuk do ngurojë të ndjek rrugë ligjore ndaj kujtdo që akuzon pa fakte dhe nxit përçarje mes vëllezërve. KMSH do të vijoi të jetë vazhdues i traditës. Në 100 vite kemi qenë faktor stabiliteti paqeje dhe mirëkuptimi në shoqërinë shqiptare. Do vijojë të jetë kontribuues ky institucion në harmoninë dhe dialogun ndërfetar” u shpreh ai..

Por një nga organizatorët e protestës, Florjan Arapi tha se procesi me të cilin u zgjodh Spahiu ishte një teatër, duke paralajmëruar edhe ai padi në gjykatë.

“Bujar Spahiu u zgjodh si në kohën e sistemit totalitarist. Do e çojmë në gjykatë për pavleshëmëri votimi. Në gjykatë do të ndiqen manipulimet që janë bërë me zgjedhjet e këshillave të myftinive” tha Arapi.

Komuniteti Mysliman nën presionin e qeverisë turke
Prej vitesh drejtuesit e komunitetit Mysliman Shqiptar kanë qenë nën presionin e vazhdueshëm të qeverisë turke dhe nën sulmet direkte të presidentit Erdogan. Jo rastësisht, dy javë më parë kryeministri Rama udhëtoi drejt Ankarasë për të dëgjuar për të disatën herë kërkesën e presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan se Shqipëria duhet të dorëzojë të gjithë anëtarët e FETO, të cilën Turqia e konsideron një organizatë terroriste.

“Pjesë e agjendës sonë ishte dhe pastrimi i mbetjeve të FETO në Shqipëri, e cila vazhdon aktivitetet e saj me qëllim për të hedhur hije mbi marrëdhëniet tona. Ne nuk do të lejojmë që kjo t’ia arrijë objektivat e saj dhe po ashtu ne shikojmë që edhe autoritetet shqiptare janë të vetëdijshme për këtë”– u shpreh Erdogan në konferencën e përbashkët me Ramën.

Në të njëjtën ditë që Rama ishte ne Turqi me Erdogan në Tiranë ndodhi një incident në xhaminë “Dine Hoxha” e ku një grup besimtarësh kërkuan largimin e myftiut të Tiranës Lauren Luli me akuzat se ai ishte gylenist.

Besimtarët i kanë ndërprerë fjalën myftiut dhe ambienti ka degraduar në kakofoni, ku siç shihet nga pamjet që hoxha i xhamisë, ligjëruesi, Ahmed Kalaja është futur që t’i qetësojë.

Lexo edhe: Agjencia turke: Rama ka marrëveshje me Erdogan të largojë gylenistët nga Shqipëria

Lexo edhe: Fitorja e vëllait Taip si vazhdim i erdoganizimit të Shqipërisë

Lexo edhe: Kreu i myslimanëve shqiptarë i përgjigjet Erdoganit për “gylenistët”

Lexo edhe: Akuza të rënda nga myftiu i Tiranës: Kreu i ri i Komunitetit Mysliman u imponua nga gylenistët

Besimtarët i bëjnë thirrje myftiut të largohet, duke kundërshtuar qëndrimin e tij në pozicionin që mban. Ata drejtohen, se sipas tyre ai e ka pushtuar vendin e myftiut. Më tej dëgjohen dhe thirrje: “Nuk të duam. Largohu! Gylenist! Largohu! Terrorist.”

Erdogan ka një histori presionesh dhe kërkesash për dorëzimin e gylenistëve nga Shqipëria. Më e zhurmshme ishte ajo e janarit të vitit 2022, kur erdhi në Tiranë dhe deklaroi në parlament se “priste që Shqipëria të marrë masa ndaj FETO dhe të mos lejojë që marrëdhëniet tona të errësohen”.

Deklarata u konsiderua si kusht që i vendosej Shqipërisë nga presidenti i Turqisë për vazhdimin e marrëdhënieve të mira mes dy vendeve.

Tashmë është e qartë se Turqia qëndron pas idesë se drejtuesit që janë në krye të Komunitetit Mysliman vitet e fundit janë gylenistë. Për këtë ata janë përjashtuar nga ceremonitë ku janë pjesë autoritetet turke.

Gjatë inaugurimit të xhamisë së Et’hem beut, presidenti Erdogan nuk pranoi asnjë të pranishëm nga Komuniteti Mysliman shqiptar në ceremoni dhe zgjodhi të shoqërohet nga një hoxhë turk.

Një tjetër dëshmi se Turqia qëndron pas idesë se Komuniteti Mysliman është uzurpuar nga gylenistët është refuzimi për të dorëzuar xhaminë e Namazgjasë në qendër të Tiranës, edhe pse godina ka mbaruar prej vitesh.

Pajtimi i Edi Ramës me kërkesat e Erdogan
Edhe pse i avashtë në hapat që ka ndërmarrë, kryeministri Rama nuk i ka refuzuar kërkesat e “sulltanit”. Në shtator të vitit 2022, ministria e Arsimit e drejtuar nga Evis Kushi i hoqi liçencën shkollës së mesme Mehmet Akif dhe vendosi të mbyllë kopshtin Turgut Ozal.

Të dy këto institucione arsimore ishin në listën e dërguar nga Ankaraja si investime të organizatës FETO, të drejtuar nga Fetullah Gylen.

E njëjta skemë ishte zbatuar edhe vitin 202o pikërisht në shtator kur qeveria vendosi mbylljen e veprimtarisë së medresesë “Hafiz Abdullah Zëmblaku” në Korçë (e hapur në vitin 2002), medresesë “Ali Korça” në Kavajë (e hapur në vitin 1996) dhe të “Memorial International School of Tirana (MIST)” “të lidhura me strukturat e organizatës terroriste FETO në Shqipëri”, siç joftonte në atë kohë agjensia turke e lajmeve Anadolu Agency (AA).

Ndryshe nga shume vende demokratike Shqipëria i ka marrë disa hapa për dorëzimin e gylenistëve dhe bizneseve të tyre. Policia dhe prokuroria kanë ushtruar presion maksimal mbi kolegjet turke për të realizuar shitjen e tyre. Disa herë nxënësit e këtyre shkollave janë befasuar brutalisht nga hyrja e beftë dhe arrogante e forcave policore në mjediset mësimore. Kulmi arriti me ekstradimin e paligjshëm të mësuesit Harun Çelik në janar 2020.

Një raport i zyrës së Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, në Maj 2020, e fshikullonte edhe Shqipërinë për atë që mund të cilësohet një praktikë e vazhdueshme e ekstradimeve apo dëbimeve të detyrueshme të shtetasve turq nga vende të ndryshme, drejt Turqisë.

Raporti bënte me dije se: “Deri më sot, të paktën 100 individë të dyshuar si të përfshirë në lidhje me lëvizjen Hizmet/Gulen kanë qenë subjekt i arrestimeve arbitare, largimeve të detyruara dhe torturave, si pjesë e veprimeve të fshehta të organizuara apo asistuara nga qeveria turke në koordinim me autoritetet në Afghanistan, Shqipëri, Azerbajxhaan, Kamboxhia, Gabon, Kosovë, Kazakistan, Liban dhe Pakistan, mes të tjerësh”.

Lexo edhe: Financial Times: Si rrëmben shërbimi sekret i Erdoganit gylenistët (Rasti shqiptar)

Kryeministri Rama është rreshtuar prej kohësh me presidentin turk në konfliktin që e ndan atë me vëllain armik, Fetullah Gylen. I ftuar në maj 2018, në studion e Ilva Tares, Edi Rama i ka konsideruar gylenistët një rrjet të rrezikshëm të cilët Shqipëria i mban nën vëzhgim.

I pyetur drejtpërdrejt për “rrjetin FETO” ai e ka quajtur atë një organizëm që tentoi përmbysjen e një pushteti të zgjedhur, me rrugën e dhunës dhe të armëve. Ai e etiketoi atë “një rrjet i rrezikshëm” dhe shtoi se shteti shqiptar i mban ata në vëzhgim./Lapsi.al

Share: