Pas zhurmuesve, ka jetë.
Këto pamje parlamentare kaotike mund të jenë të fundit, nëse disa negociata që po zhvillohen mes mazhorancës dhe opozitës, do të kenë sukses.
ABC News ka mësuar se Partia Socialiste po komunikon me Gazmend Bardhin për të relaksuar situatën në Kuvend, duke i dhënë Rithemelimit dicka që do të justifikonte armëpushimin.
Bardhi, tashmë i riatdhesuar në selinë blu, ka pasur tre kërkesa.
E para, ajo e njohjes së tij si kryetar grupi, është një element të cilin PS prej muajsh nuk e vendos në diskutim dhe këtë funksion Bardhi e ushtron në organet e Kuvendit.
Kërkesa e dytë ka të bëjë me komisionet hetimore. Sic pohojnë burime të të dyja kampeve, Rithemelimi do të rikërkojë një komision hetimor, tema e të cilit nuk bëhet me dije, dhe Partia Socialiste do t’ia pranojë.
Bardhi do të ketë një kartë fitoreje për ta tundur, teksa socialistët me ligjin e ri për hetimet parlamentare do të mbanin nën kontroll situatën.
Kërkesa e tretë e opozitarëve që bllokojnë Kuvendin, është ajo e reformës zgjedhore. Rithemelimi kërkon largimin e Alibeajt dhe vendosjen në karrigen e bashkëkryetarit të Oerd Bylykbashit.
Mësohet se për këtë cështje palët janë në diskutim, dhe se koha mund të veprojë në favor të tyre.
Duke marrë këtu në konsideratë se komisionit me dybashkëkryetarë i përfundon mandati në fund të këtij muaji, e nëse nuk ka produkt për një reformë zgjedhore konsensuale, ai mund të shkrihet dhe reforma mund të kalojë në komisionin e ligjeve, aty ku Alibeaj nuk mund të vendosë veton e tij.
Burimet thonë se palët janë afër konsensusit, dhe asgjë nuk është e sigurt, por realizimi i këtij skenari do t’i kënaqte të dyja palët, të paktën përkohësisht./abc