Nga Lutfi Dervishi
Lidhja e Zelenskit me Boboshticen, që e fut Shqipërinë në konfliktin global
Lajmi se Zelenski, Presidenti Ukrainës është me origjine shqiptare jo vetëm sqaron me mirë rrënjët e konfliktit, por shton edhe shanset për zgjidhje
Njoftimi më i fundit, i bazuar sigurisht në studime, është se gjyshja e Presidentit të Ukrainës Sofie Nushi, matriarkja shqiptare duket se me shumë se ka thurur çorape të ngrohta, ka endur pëlhurën gjenetike të dora vetë Zelenskit. E thënë ndryshe Boboshtica, vendlindja e saj, fshati në juglindje të Shqipërisë, përveç manave dhe rakisë së manit do të njihet në historinë moderne si vendi ku u hodhën farat e rezistencës ukrainase. Aty ka kaluar rinine njëra prej gjysheve të Zelenskit.
Por drama vetëm sa ka nisur! Nga ana tjetër vetë lideri i Rusisë, Putin, gjithashtu ka gjak shqiptar. Nëna e tij Maria Ivanova ( Drane Ivanaj nga Tuzi), i ka kënduar ninulla shqiptare Vladit të vogël duke i ngjizur edhe dashurine për tokat përtej stepave të Rusisë.
Në një anë kemi Teto Sofine në anën tjetër kemi loke Dranen.
Kështu, ndërsa tanket lëvizin, avionët fluturojne dhe diplomatët vrapojnë, pyetja pse nisi kjo luftë në kontinentin tonë mirë në fund e ka një përgjigje: si thotë turku thjesht “arnaut inat”
Ndoshta për t’i dhënë fund luftës nuk duhet pritur rikthimi i Trump në Shtëpinë e Bardhë. Mjafton një ndërmjetësim tipik shqiptar, me kafe e raki, me besë e me burrni.
Në driten e këtij lajmi është qartë se kur Kryeministri Rama (kur drejtonte OSBE-ne) nuk luajti bllofin kur tha se do të pajtonte Rusinë me Ukrainën.
Në fakt ka kohë që shkencetaret çdo ngjarje globale e shpjegojne me një rrenje shqiptare. Nga rënia e perandorive te gara e superfuqive në hapësirë, mjafton vetëm të gërvishtesh fare pak për të zbuluar një fshatar nga Kruja, Korça, Kukësi, Kavaja, Kuçova, Konispoli apo Karavastaja!
Ky lajm për fshatin e vogël shqiptar që ne e quajmë Tokë na jep një mësim të madh:
Sa herë ka një konflikt, apo luftë zgjidhja nuk duhet kërkuar te yjet në Kremlin te diplomacia në Uashington, apo të fuqia në Pentagon, zgjidhja duhet kërkuar te ADN-ja shqiptare që si paralelet dhe meridianet pershkron globin tej e përtej.