Nga Diana Kastrati
Për mua, influencer-ja e parë (me kuptimin që sot ka ky term), ka qenë Markezja Luisa Casati (1881 – 1957), e mbiquajtur nga D’Annunzio “markezja hyjnore”, një grua që i ka paraprirë kësaj dukurie saktësisht 100 vjet më parë.
Me moton e zgjedhur nga vetë ajo “dua të jem një vepër arti” gjatë gjithë jetës së saj deri në vdekje, e shndërroi veten në një të tillë. Muzë krijuese e më të mirëve artistë të kohës si Giovanni Boldini, eksponenti më i spikatur i Belle Epoque, Alberto Martinit, një ilustrues në bardh e zi dhe ekspert i teknikave të përziera, i cili i shkon pas trilleve makabre e onirike të markezës.
Ekzibicioniste, ekstravagante, e para grua e divorcuar nga Kisha katolike, ajo shkaktonte skandale të vetëdijshme. Shndërrohet në legjendë të gjallë me shëtitjet e saja lakuriq natën në sheshin San Marco me trion e përbërë nga shoqëruesi i saj me ngjyrë, nga gepardi të cilin e mban për dore të lidhur me një kular me brilantë dhe me gurë të çmueshëm dhe me gjarpërin.
Shërbëtori e ndjek pas me pishtarët e ndezur në mënyrë që ta admironin të gjithë spektatorët. Trukohet me pudër shumë të çelur, vendos qerpikë fallso shumë të gjatë, sytë i lyen me të zi të fortë duke i zgjatur deri tek mollëzat, ndërsa bebëzat e syrit i zmadhonte me pika të belladonna. Buzët ishin gjithnjë në ngjyrë të kuqe flakë.
Festat në pallatin e saj kishin vetëm një protagonist, atë vetë. Në një atmosferë surreale të ideuar nga ajo vetë, pallati i saj shndërrohet në vendin më të kërkuar nga artistët e kohës nga e gjithë Evropa. Indiferente para zilive të zonjave të tjera të aristokracisë me transparencat, me kafshët me të cilat bashkëjetonte si gepardët, gjarpërinjtë e papagajtë, me vizitat e artistëve e shkërimtarëve të epokës në mes të natës në pallatin e saj, bëhet Muza dhe e paarritshmja për Gabriele d’Annunzion, e magjeps me mungesat e saj, me pranitë e pazakonta, me tharmin artistik të pashterrshëm.
Ky i fundit e kishte mbiquajtur Coré’, vajza e virgjër… Ai e bën personazh të veprave të tij si tek “Cento e cento e cento e cento pagine del libro segreto di Gabriele d’Annunzio tentato di morire”. I bashkohet artistëve futuristë. Vishet nga Mariano Fortuny, stilisti më i famshëm i kohës (edhe pallati do të mbajë emrin e tij më vonë). Shpenzon gjithë pasurinë duke u shndërruar në një ikonë të artit, të modës, të ekstravagancës.
Kur mbush 50 vjeç, borxhi i saj mbërrin shumën e 25 milionë eurove aktuale. Frymëzon stilistë të kohëve të sotme si belgu Dries Van Noten, i cili për sfilatën e tij të modës vjeshtë – dimër 2016 zgjedh veshjet e saj si frymëzim.
P.S. Fotot janë bërë nga autorja e shkrimit në 2014 teksa vizitonte Palazzo Fortuny në Venecia.