Stafi mjekësor palestinez në Gaza ka rrëfyer për BBC poshtrimin që iu desh të kalonin për shkak të taktikave barbare të ndjekura nga trupat izraelite në fund të bastisjes së spitalit të tyre muajin e kaluar.
Pas arrestimit, atyre iu lidhën sytë, i detyruan të zhvishen dhe u rrahën vazhdimisht nga trupat izraelite.
Ahmed Abu Sabha, një mjek në spitalin Nasser, u shpreh se ishte mbajtur për një javë në paraburgim, ku, i vërsulën qentë mbi të dhe dora iu thye nga një ushtar izraelit.
Komentet e tij përputhen ngushtë me ato të dy mjekëve të tjerë që donin të mbeten anonimë nga frika e hakmarrjeve. Ata i thanë BBC-së se u poshtëruan, u rrahën, u lanë me ujë të ftohtë dhe u detyruan të gjunjëzoheshin në pozicione të pakëndshme për orë të tëra. Ata thanë se kishin mbetur të izoluar për ditë të tëra para se të liroheshin.
BBC i dha detajet e pretendimeve të tyre Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, mirëpo ata nuk iu përgjigjën drejtpërdrejt pyetjeve në lidhje me këtë çështje, dhe më pas mohuan pretendimet specifike për keqtrajtim. Forcat izraelite mohuan që stafi mjekësor të jetë dëmtuar gjatë operacionit të tyre, duke shtuar se “çdo abuzim i të burgosurve është në kundërshtim me urdhrat e IDF dhe për këtë arsye është rreptësisht i ndaluar”.
IDF bastisi spitalin në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis – i cili ishte një nga të paktët në Rripin që ende funksiononte – më 15 shkurt, duke thënë se inteligjenca tregoi se spitali strehonte operativë të Hamasit. Sipas IDF, pengjet izraelitë të marrë nga Hamasi më 7 tetor ishin mbajtur atje, çka është pranuar edhe nga vetë pengjet, të cilët kanë thënë publikisht se ishin mbajtur në Nasser. Hamasi ka mohuar që luftëtarët e tij veprojnë brenda objekteve mjekësore.
BBC ka publikuar pamjet e filmuara fshehurazi në spital më 16 shkurt, ditën kur mjekët u ndaluan. Ato tregojnë një varg burrash të zhveshur me të brendshme përpara godinës së urgjencës së spitalit, të gjunjëzuar me duart pas kokës. Përpara disave prej tyre shtrihen rrobat mjekësore.
“Kushdo që u përpoq të lëvizte kokën ose të bënte ndonjë lëvizje u godit,” tha për BBC menaxheri i përgjithshëm i spitalit, Dr Atef Al-Hout. “Ata i lanë për rreth dy orë në këtë pozicion të turpshëm”.
IDF i tha BBC-së: “Si rregull, gjatë procesit të arrestimit, shpesh është e nevojshme që të dyshuarit për terrorizëm të dorëzojnë rrobat e tyre në mënyrë që rrobat e tyre të kontrollohen dhe të sigurohen që ata të mos fshehin jelekët shpërthyes ose armë të tjera.
“Rrobat nuk u kthehen menjëherë të arrestuarve, për shkak të dyshimit se ato mund të fshehin mjete që mund të përdoren për qëllime armiqësore (të tilla si thika). Të arrestuarve u kthehen rrobat kur është e mundur.”
Stafi mjekësor tha se më pas ata u dërguan në një ndërtesë spitali, u rrahën dhe më pas u transportuan në një institucion paraburgimi, të gjithë derisa ishin të zhveshur. Dr. Abu Sabha, mjeku 26-vjeçar i sapokualifikuar dhe mjek vullnetar në Nasser, i përshkroi disa elemente të trajtimit të tij gjatë qëndrimit në paraburgim si torturë, të tilla si lënia e të burgosurve në këmbë për orë të tëra pa pushim. Ai tha se dënimet e tjera që u jepeshin të burgosurve përfshinin shtrirjen në bark për periudha të gjata dhe vonimin e vakteve të tyre.
Top Channel