Home Gjeo-Ekonomia Ndihmës sekretari amerikan, Robinson: ShBA po punon për një Kosovë më të...

Ndihmës sekretari amerikan, Robinson: ShBA po punon për një Kosovë më të fortë dhe më transparente

Ndihmës sekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit në SHBA, Todd D. Robinsonka deklaruar se SHBA-ja është në Kosovë për mbështetje në përpjekjet për të ndërtuar struktura të rëndësishme të sigurisë dhe drejtësisë.

Robinson pas vizitës që i bëri presidentes së vendit, Vjosa Osmani, tha se janë në vendin tonë për një Kosovë më të mirë, derisa e para e shtetit i kërkoj atij mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.

Fakti që jam këtu për të treguar mbështetjen tonë, për atë që po bëni ju, për çka policia po bën, atë që po bëjnë shërbimet tuaja të sigurisë për qytetarët e kosovarë, mendoj se është me të vërtetë e rëndësishme. Dhe porosia ime për ta, për të gjithë ju do të ishte që SHBA janë këtu për t’iu mbështetur në përpjekjet tuaja për të ndërtuar struktura jetike të sigurisë dhe të struktura gjyqësore të drejtësisë, ne po punojmë për një Kosovë më të mirë sot, por edhe për një Kosovë më të fortë, më transparente në të ardhmen për qytetarët e rëndomtë të Kosovës. 07:00 Mezi pres për të parë edhe më shumë nga vendi juaj, për të vizituar më shumë, për t’u takuar edhe me koleget tuaj në qeveri dhe në sektorin gjyqësor”, tha Robinson.

Në konferencën e përbashkët, Osmani ka ritheksuar rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare INTERPOL. Sipas saj, ky anëtarësim do të kontribuonte në rritjen e kapaciteteve të vendit duke përmirësuar përgjigjen institucionale ndaj krimit dhe duke garantuar siguri publike për secilin qytetar të vendit. Osmani shtoi se ndihmës sekretari, Robinson ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë kontribut për gjatë viteve në zhvillimin e Kosovës.

Republika e Kosovës është thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e vazhdueshme dhe të palëkundur që Byroja Ndërkombëtare për narkotik dhe sundim të ligjit i ka ofruar institucioneve tonë përgjatë viteve. Mbështetja e SHBA-ve për Kosovën ka qenë prezentë në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të procesit të shtet ndërtimit tonë. Në këtë drejtim edhe mbështetja që kemi pranuar nga Byroja që udhëheq ndihmës sekretari Robinson, shquhet për kohëzgjatje, për dinamiken si dhe për shumëllojshmërinë e asistencës përmes të cilës janë themeluar dhe janë fuqizuar mekanizmat tanë kryesor për sundimin e ligjit në Kosovë. Ndihmës sekretari, Robinson ka qenë ndër njerëzit që ka dhënë këtë kontribut përgjatë viteve. Përderisa vinim këtu më njoftonte si ka punuar edhe me sekretaren Albright dhe kjo është një dëshmi se sa shumë njerëz ka edhe sot në Administratën Amerikane që kanë dhënë kontribut për dekada të tëra që Kosova të jetë këtu ku është sot, e natyrisht ndër ta është edhe ambasadori Hovenier”, deklaroi Osmani.

Osmani po ashtu ka thënë se gjatë takimit ka ritheksuar synimin strategjik që ka Kosova në anëtarësimin në INTERPOL.

“Falë mbështetjes së INL-së përgjatë viteve janë bërë reforma pozitive e të rëndësishëm në institucione tona përkatëse dhe është shënuar progres i vazhdueshëm edhe në luftën kundër krimit të organizuar, ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizimit. Në takim po ashtu e informova për synimin strategjik të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Interpol, anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve. Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin në drejtim të garantimit të sigurisë publike për secilin qytetar të Republikës sonë pa dallim. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në Interpol janë kriminelet, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshmi dhe vullnet i përbashkët i Kosovës dhe i ShBA-ve që ata t’i luftojnë deri ën fund dhe pa kompromis. Kosova vazhdon të mbetet e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me partneret tanë më të çmuar që janë SHBA-të e në veçanti Byroja që ju udhëhiqni. Uroj të vazhdojmë të shohim rezultate e partneriteti tonë dhe të punës sonë të përbashkët ditë pas dite e gjithmonë në drejtim të sukseseve të reja”, tha Osmani.

Derisa ka renditur të arriturat e vendit, Osmani ka thënë se asgjë nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e ShBA-së.

Kosova u detyrua që të punonte nga zero, ndërsa me ju dhe me ndihmën tuaj ne kemi arritur të sjellim në vendin tonë programe të cilat kanë qenë vendimtare në përpjekjet tona të përbashkëta pasi Kosova fitoi çlirimin dhe pavarësinë e saj. Pra, në përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, kundër krimit të organizuar, kundër trafikimit, e njëkohësisht kanë kontribuuar edhe në forcimin e kapaciteteve tona për sundim të ligjit që është prioritet i institucioneve tona. Këto suksese janë të gjitha edhe dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me partnerë, janë rezultat i bashkëpunimit tonë me partnerë të rëndësishëm siç është Byroja, e natyrisht dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe domosdoshmërisë së bashkëpunimit tonë me SHBA-të. Disa nga arritjet më të rëndësishme të institucioneve tona e kanë pikërisht vulën e Byrosë që udhëheq ndihmës sekretari Robinson, duke përfshirë edhe vet themelimin e PK-së, e cila sot gëzon besimin e mbi 95 për qind të qytetarëve të Kosovës. Po ashtu edhe të Agjencisë Kosovare të Forenzikës, Akademisë për sigurinë publike të Kosovës, e cila ka edukuar breza të tërë të policëve tanë, si dhe inspektoriatit të policisë i cili si institucion po sigurohet që ruhet profesionalizmi dhe respektohet ligji në çdo hap të institucioneve tona ligj zbatuese”, tha Osmani.

Diplomati amerikan do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësuesit e sistemit gjyqësor, sistemit prokurorial dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Top Channel

Share: