olegët gazetarë, organizata të të drejtave të njeriut dhe përfaqësi të ndryshme diplomatike shprehën të premten solidaritet me gazetaren Ola Xama, e cila është vënë në shënjestër të një fushate shpifjesh nga disa media për shkak të shkrimeve të saj investigative.
“Në Ditën Ndërkombëtare të Grave, ne festojmë arritjet e grave dhe vajzave që janë kampione të të drejtave të grave dhe barazisë gjinore,” shkroi Ambasada e Mbretërisë së Holandës në një postim në mediat sociale.
“Sot më shumë se kurrë qëndrojmë në mbështetje të grave si gazetarja Ola Xama. Modele të tilla luftojnë për të vërtetën dhe vendosin standardet për gratë dhe burrat që kontribuojnë për të ndërtuar institucione të forta dhe për të luftuar korrupsionin në Shqipëri,” thuhet më tej në deklaratë, e cila u nda edhe nga zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë.
Federata Evropiane e Gazetarëve shkroi: “Fushata shpifëse kundër gazetares investigative Ola Xama duhet të ndalojë. Në ditën Ndërkombëtare të Gruas ne solidarizohemi me të gjitha gratë gazetare të cilat shënjestrohen për shkak se janë gazetare dhe janë gra.”
Xama u vendos nën sulm nga një numër portalesh dhe media e shkruar verën e kaluar pas publikimit të investigimit Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK.
Pas publikimit të investigimit, Veliaj i shkroi në një mesazh privat Xamës duke e shpallur atë “vrasëse me pagesë” dhe “militante”, një terminologji që u shumëfishua nga portale të ndryshme online dhe nga gazeta DITA për ditë të tëra.
Xama iu drejtua gjykatës me padi për shpifje kundër Ditës dhe Prapaskenës në lidhje me këto fushata denigruese. Një valë e re sulmesh pasoi ngritjen e aktpadisë.
Më herët, Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” dhe Instituti i Mediave Online e Sociale (IMOS Albania) shprehën solidarizimin me Xamën duke e konsideruar sulmin si një tentativë për të detyruar gazetaren të heshtë.
360grade.al