Home KRYESORE Negociatat me mazhorancën, reagon Bardhi: Kam qenë dhe jam në komunikim të...

Negociatat me mazhorancën, reagon Bardhi: Kam qenë dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me…

Seancat e Kaosit në Parlament duket se po shkojnë drejt fundit. Maxhoranca dhe opozita kanë shkrirë akujt mes tyre dhe janë ulur në negociata.Vetëm disa ditë më parë, me shtysë të ndërkombëtarëve, Lindita Nikolla ia ka dalë të ulë në një tryezë kryetarin e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin dhe drejtuesin e deputetëve të opozitës Gazment Bardhin. Në këtë tryezë Report Tv mëson se janë ulur dhe kryetarët e dy grupeve të tjera parlamentare të opozitës Mesila Doda dhe Dashamir Shehi.

Në takim siç burime konfirmojnë janë diskutuar kërkesat me të cilat opozita kushtëzon rikthimin në normalitet të Kuvendit: Komisionet Hetimore dhe përfaqësimi në Tryezën për Reformën Zgjedhore. Report Tv ka mësuar se PS ka rënë dakord të pranojë dy komisione hetimore, që do të jenë në dorën e opozitës se për çfarë objekti, me kushtin që ai të jetë konkret.Për Report Tv, Gazment Bardhi pohoi negociatat:“Kemi qenë dhe mbetemi për dialog politik me mazhorancën, me të vetmin kusht respektimin e kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Si kryetar i grupit parlamentar të PD kam qenë dhe jam në komunikim të vazhdueshëm me institucionet brenda Kuvendit të Shqipërisë. Nuk i jam shmangur kurrë përballjes në këtë drejtim”, thotë Gazment Bardhi në një reagim për Report Tv.

Shumë detaje nuk jep për negociatat që po bëhen për kërkesën tjetër të tij, për të zëvendësuar Enkelejd Alibeajn si bashkëkryetar të Komisionit të Reformës Zgjedhore, komision të cilit mandati i mbaron brenda muajit. Por Report Tv ka mësuar se po tentohet të krijohet një tjetër nënkomision me afat derisa Reforma Zgjedhore të konkludohet, në të cilin Bardhi kërkon të përfaqësohet me më shumë numra se Basha.

“Unë besoj se gjithëpërfshirja dhe konsensusi, si dhe respektimi i përfaqësimit real të opozitës sa i takon Reformës zgjedhore, ka qenë dhe mbetet një kërkesë e drejtë e opozitës. Pra kërkesa jonë lidhet me të drejtën e përfaqësimit real të opozitës në këtë proces dhe sigurisht që asaj kërkese i qëndrojmë”, thotë Bardhi.

Report Tv kërkoi një reagim edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi, por ai zgjodhi të mos komentonte uljen në bisedime me Rithemelimin e aleatët e tij opozitarë.

Jashtë këtyre negociatave ka ngelur PD e Lulzim Bashës e cila nuk i është bashkuar kaosit, skenar të cilin e ka quajtur të dirigjuar nga Edi Rama e Sali Berisha.

PD në një reagim ironizon uljen e PS me Bardhin në një tryezë duke thënë se kaluan nga revolucioni në tavolina pazaresh, ndërsa Rama ndryshoi qëndrim për non gratat./ Danjela Maloku-Report TV/

Share: