Nga Lis Bukuroca
Perëndimi po përpiqet me përkëdhelje ta ndryshojë Serbinë. Kjo praktikë e ka shndërruar BE-në dhe SHBA-të në një tallava-klub për keqardhje! Pa ndëshkim, një ultra-nacionalist si Vuçiqi, nuk do të ndryshojë kurrë. Tani për tani po bëjnë gara cili ta lëmojë më shumë, SHBA apo Rusia, ambasadori amerikan Hill, apo ambasadori rus në Beograd Haraçenko. Vuçiqi ndihet i lumtur në ekstazën, që po i dhurojnë Perëndimi e Rusia, por edhe kamxhiku i opozitës.
Nuk mund të besohet se Perëndimi ka frikë nga lidhja më e fuqishme e Serbisë me Rusinë dhe Kinën, por duket se pesha e llobit serb ka ndikuar shumë në ndryshimin e politikës perëndimore. Kjo mund të jetë arsyeja pse Vuçiqi pranon në Bruksel, mohon në Beograd. Pse organizon bllokada rrugëve të Kosovës, pse rrah për spital ushtarë të NATO-s dhe pse lejon apo urdhëron sulmin terrorist në Kosovë. Çdo idiot di se sulmi paraushtarak në Kosovë ka ndodhur me lejen e Vuçiqit.
Si mund ju lutem Serbia të lidhet më fuqishëm sesa është me Rusinë e Kinën, kur ajo është rrethuar nga shtetet e NATO-s? Si kur ata pa leje të këtyre vendeve nuk do të mund të vinin as përtokë, as për qiell në Ballkan?
Nëse ky pohim është i vërtetë, atëherë politikën perëndimore e kanë ndryshuar llobistët serb, por ka një xixë tani, një shpresë të vogël: duket se Britania e Madhe do ta anulojë këtë kunilingizëm mes demokracisë liberale perëndimore dhe autokracisë ultra nacionaliste serbe. Së paku duket se Cameron e sinjalizoi pikërisht atë dhe ishte shumë konkret. Jo vetëm, por edhe shumë më dashamirë ndaj Kosovës sesa Edi Rama.
Në rregull. Meqenëse Thaçi e Mustafa kanë firmosur krahinën serbe, kurse Kuvendi i Kosovës e ka aprovuar, Kosova duhet ta themelojë autonominë serbe mu si ajo serbe në Kroaci. Çfarë është e mirë për serbet atje, nuk mund të jetë e keqe në Kosovë. Pas këtij akti, Kosovës duhet t’i njihet mëvetësia e plotë dhe të mos pengohet dëshira për bashkim me një shtet tjetër në Ballkan. Natyrisht nëse e dëshiron shumica e popullit
Për të qetësuar Ballkanin Perëndimor si duhet, do ishte e drejtë të aprovohej një autonomi edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Luginës. Diskriminimi i shqiptarëve në ato dy vende po konsiderohet i drejtë, edhe nga Qeveria e Shqipërisë. Edhe spastrimi etnik në Luginë. Është çështje kohe kur do të shpërthejë revolta atje. Këtë do ta motivojë dhe përligj autonomia serbe në Kosovë.
Shteti serb nuk e pranon shtetin e Kosovës, por as populli i Luginës nuk e ka pranuar kurrë shtetin serb në Luginë. Ata e pranojnë si një fakt, si pasojë e një pamundësie dhe një pafuqie për t’u çliruar, por asnjëherë nuk e kanë pranuar si një ide apo si ideal përfundimtar. Edhe shqiptarët e Maqedonisë janë pasojë e pushtimit serb. Edhe të Malit të Zi. Qysh nga shpërbërja e Kalifatit Osman, Serbia ka copëtuar dhe luftuar kombin shqiptar.
Megjithatë, me pushtimin dhe detyrimin për të jetuar në ato shtete, shqiptarët nuk janë pajtuar kurrë, as dje, as sot! E serbet? Nuk do të kishte asgjë të keqe të qeverisini vetveten, por serbet e kanë në program nacional rrënimin e shteteve për rreth. E synojnë në Bosnje, në Mal të Zi e Kosovë. Pas gjenocidit që shkaktuan në ish Jugosllavi, çdo autonomi serbe, do t’ishte një shpërblim për krimet. Si në Bosnje, fundi i fundit.
Pra, nëse krijohet autonomia serbe, atëherë duhet ndryshuar Kushtetuta dhe në Kuvendin e Kosovës duhet të përfaqësohen serbet, aq sa e meritojnë sipas përqindjes në popull, e jo si tani. Nëse ata përbëjnë pesë për qind të popullsisë së Kosovës, atëherë duhet të kenë pesë për qind të deputetëve në Kuvend. Si pasojë logjike, ndryshimet eventuale në Kushtetutë duhet të bëhen me shumicë, dhe jo të varen nga pajtimi dhe disponimi i pakicave. Apo nga manipulimi i tyre nga jashtë. Serbet nuk duhet të kenë pushtet në dy Kuvende.
Edhe një herë: nëse ata krijojnë autonominë mono-etnike dhe marrin vendime vet, në kundërshtim të hapur me shtetin e definuar si shumëkombësh, atëherë shteti i Kosovës nuk mund të jetë më multi-etnik, sepse do të ketë brenda vetes një autonomi territoriale mono-etnike. Me ndërtimin e autonomisë serbe, shteti i Kosovës nuk mund të mbetet më si ishte, por të shpallet me kushtetutë shtet i shqiptarëve dhe i pakicave që jetojnë aty.
Nëse serbet duhet të qeverisin vetveten, pse shqiptarët e Kosovës duhet t’i pyesin pakicat për ta qeverisur vetveten?
Këtu nuk përfundon: në qoftë se ndërtohet ajo autonomi serbe, atëherë Kuvendi i Kosovës të ketë të drejtën për ta shpërndarë kryesinë e saj autonomie, nëse ajo me veprimet e veta e rrezikon rendin kushtetues të Kosovës, për shembull si Lista Serbe me themelimin e bandave terroriste. Dhe, askush nuk kërkoi që kjo Listë të shpallet si organizatë terroriste! Edi Rama jo se jo.
Meqenëse Kuvendi mund ta rrëzojë Qeverinë e Kosovës, duhet ta ketë atë pushtet edhe mbi kryesinë e Krahinës Autonome Serbe. Ndryshe ajo autonomi do të qëndronte mbi Republikën e Kosovës.
Dhe, nëse krijohet ajo Krahinë Autonome, atëherë t’i njihet Kosovës mëvetësia e plot dhe sovraniteti mbi territorin e vet. Domethënë të ketë të drejtë të bashkohet më kë të vendosë shumica e popullit: me Serbinë, me Shqipërinë, me Maqedoninë apo me Malin e Zi.
Ju kujtohen barrikadat? E rrahjet për spital të ushtarëve të NATO-s? E sulmi terrorist? E sjellja ndaj Serbisë? Përkëdhelje! Edhe pas farsës elektorale dhe pas vjedhjes industriale të votave!!!
Sulmi i ri mund të pritet. Gjunjëzimi i Perëndimit ndaj Vuçiqit, mundësoi sulmin terrorist në Banjë. Se serbet po armatoseshin, se armët po dërgoheshin nëpër kisha, e dinte në fillim të korrikut 2023 deputetja e kuvendit Britanik, Alicia Kearns, por nuk e dinin ushtarët e NATO-s, që e kanë për detyrë ta dinin. Pse Escobar nuk e dënoi sulmin terrorist?!
Ndoshta edhe e dinin, por me grupe të armatosura në Veri, si dikur me traktor e kamion, e ndoshta kishin planifikuar detyrimin e Kurtit për të pranuar autonominë serbe, edhe atë, duke e përligjur si mënyrë të vetme për ta evituar konfliktin e armatosur me bandat serbe dhe aneksimin nga Serbia.
Dhe, natyrisht fajtor do të konsiderohej Albin Kurti dhe politikisht do t’ishte eliminuar. Serbia sulmoi, Serbia mbajti Ditë Zie për terroristë, ku shprehu keqardhje për dështimin e projektit. Perëndimi reagoi si i alivanosur.
Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë sinjalizoi ndryshim të politikës perëndimore. Deklarata e tij dukej se nuk i drejtohej vetëm qeverisë së Kosovës deh asaj në Beograd, por edhe Hillit, Escobarit, Borrelit e Lajçakut, SHBA-së, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë.
Vuçiqi i lejoi vetes atë sulm, sepse ishte bindur se Perëndimi do të pajtohej me copëtimin e Kosovës. Nëse e liga nuk luftohet, deshëm apo nuk deshëm, i lejohet dhe mundësohet rritja. Ai proces u dëshmua me fakte. Pse nuk dënohet njeriu që pranoi se kishte udhëhequr terroristët ku u vranë katër veta? Sepse ndëshkimi i tij do mund të ndriçonte zinxhirin komandues të qeverisë serbe. Dhe, ai duhet të përgatisë sulme tjera në Ballkan.
Nëse Krahinë Autonome Serbe me pushtet ekzekutiv, ashtu si është shkruar dhe vizatuar me territor, por që perëndimorët me fjalë e mohojnë mëvetësinë ekzekutive, duke përjashtuar Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe duke imponuar një arbitrazh ku një serb, një shqiptar dhe një europian do të qëndronin mbi Kuvendin, mbi Qeverinë dhe mbi Gjykatën Kushtetuese, pra mbi shtetin e Kosovës, atëherë Kosovës i konvenon ndryshimi i kufirit.
Ashtu, Kosova nuk do të jetë shtet sovran. Shtetësinë po ia mohojnë hartuesit e draftit Kosovës, kur bazohen në rezolutën 1244. Atë rezolutën e kanë anuluar shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndoshta me ndikimin shumë të madh të Edi Ramës, Perëndimi është distancuar nga sanksionet me të cilat e kërcënonte Serbinë më herët. Tani Perëndimi shfaqet si një tigër, të cilit i ka rënë të fikët. Për gjynah! Herë Bërnabiq, herë Vuçiq tallet me ta. Jo vetëm, por e kërcënojnë Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi.
Perëndimi shtiret se nuk po sheh se çfarë po ndodh. Po pse Vuçiq dikur tutej nga sanksionet e tani jo? Duket se llobi serb, të cilin e paguan Serbia i jep atë garanci dhe atë licencë veprimi. Veprat po e dëshmojnë. Janë konkrete dhe të dukshme. Arsyetimi se po e bëjnë për ta larguar nga ndikimi rus, është sa banal, aq edhe naiv. Thjeshtë është rrenë e llobistëve serb, nga Brukseli, deri në Uashington.
Sikur të dëshironte Perëndimi, brenda muajit do të zgjidhej konflikti me Serbinë. Dy fakte të mëdha: ajo është e rrethuar me shtete të NATO-s dhe me sanksione si Rusisë, do të mbushej mend brenda javës. Faktit i dytë është ekonomia serbe dhe varësia nga BE. Serbia nuk do të rrezikonte kurrë të bëhej Kore e Veriut. Në rast të sanksioneve, populli do të detyrohej për ta rrëzuar Qeverinë ultra-nacionaliste. Meqenëse me Hitlerin nuk arrihej paqja, ajo nuk mund të arrihet as me Vuçiqin.
Serbia po paguan shumë llobistë dhe ata nuk mund të fitojnë miliona nga shteti serb dhe të luftojnë nacionalizmin serb. Jo, nuk do ta bëjnë kurrë. Nuk ka mundur të ndikojë në izolimin e Kosovës Vuçiqi, sa Edi Rama. Rama ka shërbyer dhe shërben për të legjitimuar çdo masë shtrëngues ndaj Kosovës dhe për të përjashtuar çdo gati çdo masë ndëshkuese ndaj Serbisë. Kryeministri shqiptar është i bindur se sanksionet ndaj Serbisë janë të dëmshme, por ndaj Kosovës janë të dobishme! Sigurisht të dëmshme i konsideron edhe sanksionet ndaj Dodikut!
Perëndimi di për spastrimin etnik në Luginë, Perëndimi di për diskriminim e shqiptarëve në Maqedoni, por për pajtimin e Ramës me diskriminim e shqiptarëve, e shpërblejnë Edi Ramën personalisht. Rama i motivon shqiptarët jashtë të ndihen të lumtur me diskriminimin dhe i fton në Shqipëri si diasporë. Diasporë në tokën e vet! Si ardhacakë në Maqedoni. Luginë, Kosovë e Mal të Zi. Liderët e asaj “diaspore” në Maqedoni, Serbi, e Mal të Zi ndihen të nderuar, të lumtur dhe pastaj ata të diskriminuar, e shpallin Edi Ramën “baba të kombit”! Merre me mend ti! Merre me mend! Ata liderë nuk ndihen të diskriminuar, por përfaqësojnë popullin më të diskriminuar në Europë!
A mund të zgjidhet ky konflikt? Nëse nuk ka masa shtrënguese ndaj Serbisë, atëherë mund të zgjidhet vetëm me lëvizje kufiri. Aty ku ka shumicë serbe në veri me Serbinë, dhe Lugina me Kosovën. Kjo sot nuk është në modë në BE-ja, arsyeja kuptohet, por një qeveri ultra-ncionaliste dhe vegël e Putinit, ndryshe nuk bindet, aq më pak kur e di se nuk do të ketë asnjë masë ndëshkuese.
Reciprociteti është drejtësi, por kur një popull nuk ka fuqi ushtarake, drejtësi nuk do të ketë. Ky Perëndim ka ngelur pa lider. Këtë e dëshmon edhe heshtja ndaj farsës dhe rezultateve elektorale në Serbi. Ndoshta David Cameron do ta plotësojë boshësinë e madhe.
Perëndimi pa lider po rrit, po ushqen dhe po përkëdhel autokratin tjetër, gjersa tërhiqet për hunde nga Orban i Hungarisë, si i deleguar rus BE. Serbia ka investuar miliona për të fituar licencën e rrahjes së ushtarëve të NATO-s, si dhe për kërcënimet e vazhdueshme me ushtri. Edhe për sulmin terrorist. Rezultatet po lexohen te reagimet e perëndimoreve.
Edhe një fakt në fund: para disa javëve Vuçiq te “TV Pink” tha përafërsisht këtë: ne duhet të mësojmë nga Azerbejxhani, i cili priti 27 vjet për ta rimarrë Bergkarabahun.
Atë mesazh ia dërgoi Perëndimit. Serbia po përgatit rrënimin e Bosnjës, Malit të Zi dhe rikthimin në Kosovë. E Perëndimi? Perëndimi i trullosur në trip, si në ekstazë droge!!! Apo si ai gomari në anekdotën shqiptare, të cilin gjersa po e hante ujku, kishte thënë vet me vete: “O zot, uroj të jem në ëndërr!”