Home Gjeo-Ekonomia Përgjigje profesorit Emil Lafe!

Përgjigje profesorit Emil Lafe!

Shumë i nderuar profesor,

gjuha shqipe mbijeton nëse populli nuk emigron. Pritshmëritë tjera janë dëshira fisnike, por jo mundësi reale. Sipas sociologëve në brezin katër më së largu asimilohemi të gjithë. Këtu kanë bërë përjashtim vetëm hebrenjtë, sepse judaizmi është fe dhe komb njëkohësisht. Kjo ka ndikuar në ruajtjen e identitetit.

E kuptoj shumë mirë zhgënjimin dhe thirrjen Tuaj te Gazeta Dita dhe pikërisht ajo më shtyri të bëj këtë refleksion të shkurtër për identitetin.

Profesor, fëmijëve tanë në mërgim u mungojnë: rrethi social, (familja, gjyshi, gjyshja, shoqëria etj.), rrethi etnik, (kombi), ngrehina nacionale (shteti), gati në tërësi edhe rrethi kulturor shqiptar.

Mungon edhe NËNA, sepse ajo punon dhe dërgohen lekë në atdhe. Dërgohen diku 1.22 miliard euro gjatë një viti në Kosovë dhe pastaj Kosova zë vendin e parë me turistë në Shqipëri. Dhe, ata që dërgojnë, gjersa flijohen për të ndihmuar në atdhe, duhet të kapërdijnë lloj-lloj ofendimesh ndaj fëmijëve të tyre pse nuk e flasin shqipen si duhet.

Do t’ishte çudi nëse nuk e flasin gjuhën e vendit ku jetojnë, por jo gjuhën e vendit ku nuk jetojnë. Kritikat janë aq të drejta, si kur qortohen shqiptarët në atdhe, pse nuk e flasin gjermanishte apo anglishten.

Shahen dhe përbuzen jo vetëm fëmijët, por dhe mërgimtarët në përgjithësi, aty ku të ashtuquajturit intelektual, e flasin gjuhën thua se nuk kanë qenë kurrë në shkollë. Fëmijët në Perëndim nuk janë mësuar të shohin në tv nivele injorantësh, dhunë verbale dhe piskama si në një bar të pijanecëve.

Jashtë Shqipërisë dominohemi nga njerëz të tillë, edhe nëpër shkolla e fakultete, pastaj, për ta ngritur veten, me përbuzje mundohen ta zvogëlojnë diasporën duke e sharë. Se ata gjoja e flitkan më mirë shqipen se fëmijët tanë! Duke jetuar në atdhe sharlatanët!

Edhe martesat e vajzave që po bëhen me djem nga atdheu, nga trysnia e prindërve, po rrënohen për shkak të dallimeve kulturore. Njeriu nuk martohet për patriotizëm, por për dashuri. Edukata patriarkale nuk e mëson dashurinë, por posedimin e njeriut. Kjo është arsyeja e shkurorëzimeve të shpeshta.

Në Perëndim, i dashur profesor Lafe, si pasojë, fëmija mbi 90% të kohës i nënshtrohet
socializimit të vendit ku jeton. Për shembull në kopshtin e fëmijëve, në shkollë, loja me shokë jashtë dhe pak orë në ditë me prindërit kur të kthehen ata nga puna.

Brezi i parë mund ta mësojë pak, i dyti aspak, sepse socializmi i fëmijëve tanë jashtë, u mungojnë rrethanat elementare për ruajtjen e identitetit. Me shekuj është dëshmuar se tretja bëhet aty ku një popull dominohet nga kultura tjetër. Ka qindra shembuj të tillë.

Mënyra e vetme për ta ruajtur gjuhën shqipe është mosbraktisja e atdheut. Për ta kuptuar këtë, mjafton të flitet me një shqiptar në ShBA; i brezit të dytë, të tretë, apo të katërt. Thuhet se diku çdo i gjashti amerikan ka origjinë gjermane! E flasin gjuhën? Jo, pjesa dërmuese jo! Po përmend vetëm Donald Trumpin!

Shkurt, në Perëndim do të asimiloheni të gjithë për t’i shpëtuar ata në atdhe me identiteti shqiptar.
Ne kemi dashur gati të gjithë të kthehemi. Nuk kemi ku. Po e braktisni edhe ju. Nuk keni ku të rrini. Dhe, ndoshta në atdheun tonë, që ju e keni ende, e që ne kemi humbur, do të bëheni edhe ju pakicë.

Kjo mund të lexohet në migrimet drejtë Shqipërisë së vogël dhe daljet jashtë saj. Pra, unë mendoj se është më urgjente të luftohet braktisja e vendit dhe mbushja e tij. Fëmijët tanë nga dashuria ndaj nesh, do ta duan atdheun tonë edhe nëse kanë humbur identitetin kulturor. Ashtu si e bëjnë arbëreshët e Italisë, të Argjentinës etj. Apo shqiptarët e Amerikës, si Joseph J. DioGuardi, që ka kontribuar më shumë se mijëra veta që e flasin shqipen. Apo Bill Clinton, që nuk e flet fare.

Popujt edhe të varfër nuk braktisin vendin, nëse kanë shtet ligjor. Ndjenja e pasigurisë zbraz atdheun. Kjo ndodh kudo në botë.

I dashur profesor Lafe, më vjen keq, por nga përvoja ime mbi 35 vjeçare në mërgim, nuk kam asnjë mundësi të them se do të bëhet më mirë. Nuk do të bëhet, por vit pas viti edhe më keq. Ajo çfarë duhet të bëjë sot elita intelektuale në Shqipëri e Kosovë, është të angazhohet për të parandaluar migrimin. Kjo na shpëton. Diçka tjetër do të jetë vetëm dëshirë e madhe, por jo mundësi.

Pranoni ju lutem fëmijët tanë ashtu si janë, jo ashtu si dëshironi të jenë, përndryshe pas vdekjes sonë, ata nuk do të kenë ku të kthehen. Do ta ndiejnë refuzimin, mospranimin dhe përbuzjen. Do ta përjetojnë si racizëm! Këtë nuk e meritojnë se nuk kanë asnjë faj. Ata nuk kanë vendosur vetë se ku duhet të linden. Për migrimin e madh kemi faj të gjithë nga pak dhe asnjë nuk mund të shëlbohet…

Sinqerisht Naser Aliu!

Share: