Dita e fundit e votimeve në Rusi është shënuar nga sulmet më dronë nga ana e Ukrainës. Rusia e akuzoi Kievin se po përpiqet të sabotojë zgjedhjet që pritet të mbajnë presidentin Vladimir Putin në pushtet për gjashtë vite të tjerë.
Sulmet kanë ndodhur në zonat kufitare me Ukrainën. Kievi i konsideron zgjedhjet që zhvillohen në pjesë të territorit të tij të kontrolluar nga Rusia të paligjshme.
Analistët ushtarakë e shohin goditjen e përditshme nga Kievi si një përpjekje për të tronditur ndjenjat e rusëve dhe për të dobësuar aksionet e Moskës. Më shumë se gjysma e votuesve rusë kanë shkuar në kutitë e votimit në dy ditët e para të zgjedhjeve treditore.
Por do të jetë dita e fundit ajo që do të testojë forcën e opozitës, e cila pritet të mbajë protesta në vend. Opozita ruse u ka bërë thirrje të gjithë mbështetësve të saj që të votojnë në të njëjtën orë në mesditë, në një aksion të quajtur “Mesdita kundër Putinit”.
Protestat sporadike janë sfumuar nga sulmet me dronë të Ukrainës. Të premten, Putin akuzoi Kievin se po përpiqet të prishë zgjedhjet me sulmet e intensifikuara me dron dhe raketa brenda Rusisë. Ai gjithashtu u zotua të ndëshkojë Ukrainën.
Aksioni “Mesdita kundër Putinit”, i miratuar nga e veja e Navalny, Yulia Navalnaya, është një aksion ku njerëzit mund të shprehin kundërshtimin pa rrezikun e arrestimit, sepse ata do të qëndrojnë në radhë për të votuar.
Kremlini ka paralajmëruar qytetarët që të mos marrin pjesë në tubime të paautorizuara.
Më shumë se 114 milionë rusë kanë të drejtë të votojnë, duke përfshirë në ato që Moska i quan “territoret e saj të reja” – katër rajone të Ukrainës që forcat e saj kontrollojnë vetëm pjesërisht, por që ajo i ka pretenduar si pjesë e Rusisë.
Komisioni Qendror Zgjedhor i Rusisë tha se më shumë se 63 milionë votues kishin shkuar në kutitë e votimit deri në mbrëmjen e së shtunës.
360grade.al