Nga Kim Mehmeti
Xhaxhi Enver e betonoi Shqipërinë me bunkerë, që ta mbronte atë nga vetvetja, e thuajse të gjithë ‘intelektualët’ e atëhershëm heshtën, njësoj siç heshtin këta të sotmit përderisa Piktori e betonon Shqipërinë me Kulla, që ta bëjë atë të turpërohet nga vetvetja.
Enveri rrënoi xhamia e kisha, me çka shqiptarëve ua rrënoi një nga shtyllat e rëndësishme të njerëzores, por ‘intelektualët’ e atjeshëm heshtën, njësoj siç heshtën edhe sot kur Piktori e rrënoi Teatrin Kombëtarë duke ua shlyer shqiptarëve mbëmendjen për të shkuarën kolektive.
Enveri e la gjysmën e shqiptarisë jashtë Shqipërisë, duke ua plotësuar kështu dëshirën Beogradit dhe TItos, por ‘intelektualët’ e atjeshëm heshtën, njësoj siç heshtin sot kur Piktori ia ktheu shpinën Kosovës vetëm që të mos e dëmtojë projektin serbo-rus për ‘Ballkanin e Hapur’.
Dhe jo njëherë deri më tani, sunduesit e Shqipërisë më shumë u kanë besuar të huajve se sa populli të vet, por kjo thuajse aspak nuk u ka penguar ‘intelektualëve’ të atjeshëm, njësoj siç nuk u pengoi kur me kushtetutë u vendos diçka që nuk do e pranonin as popujt më të prapambetur të Afrikës: që sistemin e drejtësisë shqiptare – pra shtyllën bartëse të një shteti – ta përcaktonin e ta mbikëqyrnin të huajt?!
Sunduesit e Shqipërisë jo njëherë deri më tani janë sjellë si pronarë të vetëm të saj dhe ‘intelektualëve’ tanë kjo thuajse fare nuk u ka penguar, njësoj siç nuk u pengon sot kur sistemi i drejtësisë reformohet me prokurorët dhe gjykatësit e Xhaxhit Enver dhe kur mëmëdheut tonë nuk i mungojnë vrasës me pagesë, por individ të guximshëm që do e kundërshtonin të pushtetshmin.
Dhe mbase andaj Shqipëria e sotme gjithnjë e më shumë i ngjanë asaj ‘fisnores’ të kohës së Mbretit, por me atë dallim që kësaj të sotmes i mungojnë Konica e Noli! (Kim Mehmeti)