Home KRYESORE Humanizmi si religjion! Nga Lis Bukuroca

Humanizmi si religjion! Nga Lis Bukuroca

Në humanizëm njeriu nuk ka nevojë për klerikë, as për organizata fetare. As për nënshtrim. Në fakt nevojitet vetëm dija e intelektualëve dhe filozofëve të mëdhenj humanistë: të djeshëm dhe të sotshëm. Humanisti është një fakt i pranishëm, i dukshëm, i prekshëm, i ndjeshëm, me intelekt të zhvilluar dhe mund të besojë vetëm në fakte të dëshmueshme.

Jo në gojëdhëna ku kafshët flasin, ku gruaja krijohet nga burri, ku njeriu jeton deri në 1000 vjet, kur askush, gati askush nuk dinte as shkrim e as lexim, e as sa ditë i kishte java, muaji apo viti. Ku vëllai martohet me motrën. Tmerr!

Ishin përralla shumë interesante për njeriun e dikurshëm dhe humanisti nuk ia ndalon askujt ta shndërrojë trurin në pajisje memorizimi (USB) për legjendat e Epokës së Bronzit. Nëse unë sot them se po shkëmbej mendime me zotin apo me disa perëndi, do të më dërgonin me forcë në psikiatri për mjekim. Kaq.

Humanizmi nuk lejon cenimin e dinjitetit të njeriut. Pa marrë parasysh gjininë, ngjyrën e lëkurës, origjinën, gjuhën, besimin fetar apo vendin e lindjes. Arsyeja? Njeriu nuk zgjedh asnjërën prej tyre vetë. Prandaj humanisti nuk poshtëron apo urren njeriun pse është ashtu si është: unik në këtë univers dhe i papërsëritshëm.

Nuk është e lehtë të jetë njeriu humanist: duhet luftuar brenda vetes edhe urrejtjen dhe paragjykimet e mësuara, që janë kristalizuara në fëmijëri apo rini. Përpjekja për t’i mënjanuar ato është fisnike, mënjanimi është vepër intelekti sipëror. E njeriut shumë të urtë.

Racizmi është rezultat i injorancës së madhe. Për ta luftuar atë, pikë së pari duhet përmirësuar arsimin. Për rrjedhim, nga arsimi i dobët vjen edhe mizogjinia, homofobia dhe shovinizmi. Urrejtja në përgjithësi është një patologji, e cila dëmton më shumë urrejtësin sesa të urryerin.

Humanizmi si religjion nuk mund të bëhet kurrë dogmë sepse zhvendoset përpara me përparimin e njerizimit. Ai nuk ka nevojë për profetë që ndihmojnë zotin për të shkruar libra, por ai ka nevojë për intelektual të mëdhenj, sepse intelektuali humanist, lufton për mëvetësi, drejtësi, barazi ku çdo njeri bëhet autori i jetës: profet e zot i vetvetes përmes mirësisë, dashurisë, empatisë dhe altruizmit.

Unë nuk kam mundur të besoj asnjë fe. Ato ndalonin apo ndalojnë edhe sot dashurinë me njerëz të feve ndryshme. Dashurinë! Emocionin më fisnik që ekziston. Ata krijojnë grupe, predikojnë veçimin, përjashtimin, urrejtjen, paragjykimin dhe përligjin luftën. Vrasjen e njeriut. E predikojnë të besuarit, jo të menduarit. Jo mësimin e përhershëm, por nënshtrimin e përgjithmonshëm.

E pastaj, djalli i feve nuk është aq mizor sa vetë zoti, që pjek e zien njerëz në ferr. Sidoqoftë, ata kanë të drejtë të besojnë, humanistët kanë të drejtë të flasin, të mendojnë e të shkruajnë. T’i ndihmojnë edhe ata me guximin dhe rezultatet e veta. Këtë ekzistencë, që po e jetojmë sot, është prurje e humanistëve, që çliruan shtetin dhe shoqërinë nga ngulfatja e klerikëve obskurantistë.

Unë nuk kam mundur të bëhem kurrë pjesë e një grupi, që mbyll njeriun në një shpellë si ajo e Platonit, ku mbahet i lidhur si kafsha në grazhd. Humanisti është i lirë, i lirë të mendojë, të veprojë, të dashurojë, të mësojë, të mësojë edhe nga gabimet. Të dashurojë e ridashurojë. Të ndahet kur nuk ndien dashuri, por jo të traumatizojë.
Kam bërë mjaftë gabime edhe unë në jetën time, por jam përpjekur të mësoj prej tyre. Prandaj nuk i shoh më si gabime, por si provime të kaluara dhe përvojë.

Humanizmi si religjion nuk lejon diskriminimin, as dëmtimin e dikujt; me pak fjalë, nuk duhet cenuar dinjiteti i tjerëve. I askujt. Humanisti në fakt është Homos Sapiens Superior. Homo Sapiens Plus. Humanisti respekton dinjitetin e njeriut, kurrë nuk urren. Ai gjithashtu nuk pretendon dominim dhe posedimin e njeriut.

Thënia “Respekto dinjitetin e njeriut” më duket si një fe e plotë, një fjali sa një religjion i përkryer, që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në botë. Kur respektohet dinjiteti, nuk mund të keqtrajtohet dikush, as të sulmohet, as të mashtrohet, as të vidhet, as të tradhtohet, as të poshtërohet, as të urrehet. Thjeshtë nuk mund të kryhet asnjë vepër dëmtuese.

Shpesh më kanë quajtur ateist, edhe pse kurrë vetë nuk e kam thënë. Nuk arrija ta përkufizoj veten, as ta fusja në një kallëp apo kategori, thjesht sepse nuk e dija se çfarë feje kisha. Isha dhe jam i lirë. Kur më quante dikush ateist, thosha vet me vete, po më njohka më mirë se unë vetveten.

Pyetja e kolegut gjerman pardje më bëri të përsias dhe vështroj brenda vetes për të kuptuar çfarë feje po mundohesha të besoj. Ky reflektim është përgjigje shtesë asaj pyetje, të cilën e pashë nga shumë kënde dhe pasi e përimtova mirë, erdha në përfundim se religjioni im është vetëm humanizmi dhe më mjafton për të jetuar i lumtur.

E profetët? Humanizmit nuk i duhen profetë, por vetëm humanistë të mëdhenj. Ja disa: John Locke, Denis Diderot, Jean-Jacques Rousseau, Voltaire, Montesquieu, David Hume, Immanuel Kant e shumë të tjerë. Ata dijetarë janë udhërrëfyesit, që e mundësuan këtë epokë digjitale, që po e jetojmë sot. Te ne ishin Vllezërit Frashëri, de Rada, Fishta, Konica, Noli dhe Rilindësit tjerë…

Mundesh edhe pa ta. Mjafton t’i respektosh postulatet e tyre si parimet themelore të humanizmit si religjion: Dinjitetin e Njeriut, Barazinë Gjinore, Lirinë e Mendimit dhe Besimit, Lirinë e Orientimit Seksual. Humanizmi demaskon frymën negative që shfaqet në shoqëri përmes: patriarkalizmit, mizogjinisë, homofobisë, racizmit, shovinizmit dhe çdo lloj ekstremizmi tjetër, fetar apo politik.

Moto e humanizmit duhet të jetë: Liri, Barazi, Vëllazëri, Tolerancë, Empati, Altruizëm…
Feja ime do të mbetet humanizmi për sa kohë perëndia ose perënditë nuk shkruajnë personalisht në gjuhën time. Në gjuhën e huaj, nuk do të jetë për mua, sepse, nëse ai ekziston, duhet ta dijë se çfarë jam dhe pse jam ai që jam. Nëse nuk e di, atëherë nuk mund të jetë zot. Nëse nuk shkruan vetë, atëherë nuk është.

Uroj të mos më flasë e të mos më shfaqet mua, përndryshe si thashë më lartë, sot përfundohet në psikiatri.

Pa monoteizmin këtë epokë do ta kishim përjetuar para 1300 vjetëve, apo edhe më herët. Nga René Descartes (1596 – 1650) që e ringjalli filozofinë, deri në këtë epokë të Inteligjencës Artificiale, kanë kaluar më pak se katër shekuj. Ja ku kemi mbërri.
Aq pak kohë është dashur për të arritur këtu ku jemi. Gati katër shekuj. Nga shekulli IV deri në shekullin XVIII Europa qe zhytur në errësirë tërësore. Obskurantizëm quhej ai terr. Ishin shekujt kur kleri ndalonte të menduarit dhe prandaj, për 13 shekuj së bashku, kemi më pak filozofë e dijetarë, (në fakt asnjë me vlerë) që studiohen sot, sesa pesë shekujt e fundit para Epokës së Krishtit.

Përfundim
Humanizmi nuk është vetëm një mënyrë e të menduarit, por udhërrëfyes moral për të jetuar një jetë me kuptim dhe për të kontribuar në mirëqenien e shoqërisë; për një shoqëri të drejtë, të lumtur dhe paqësore për të gjithë. Me mundësi të barabarta. Për të gjithë.

Një karakteristikë thelbësore e humanizmit është respektimi i dinjitetit të njeriut. Humanisti vlerëson diversitetet si një pasuri të njerëzimit.

Racizmi, homofobia dhe diskriminimet tjera janë përthyerje të injorancës dhe mungesës së respektit për llojllojshmërinë njerëzore. Humanizmi merret me vetëdijesimin e njeriut. Ai kundërshton dhe refuzon çdo formë të diskriminimit.

Humanisti nuk ka dhe nuk ndjek personazhe mitologjike; humanisti beson në aftësinë e njeriut për të ndërtuar jetën dhe për të ndikuar pozitivisht në botën rreth tij. Ai ndjek parimet e lirisë së mendimit dhe barazisë gjinore, duke kundërshtuar patriarkatin dhe të gjitha format e ekstremizmit dhe shovinizmit.

Vetëm humanizmi mund të bëhet religjion universal, global. Besime tjera janë lokale ose kanë mbetur rajonale. Gradualisht po tkurren dhe do të harrohen mu si politeizmi.

Jeto dhe dashuro sipas kohës tënde, kjo është maksima ime. Zot i jetës tënde je ti vetë. Veprat humane, dashuria dhe respekti ndaj njeriut të dhurojnë atribute fisnike, humaniste universale. Do të jenë mirënjohës fëmijët tanë, gratë tona dhe njerëzit me të cilit jetojmë këtë jetë.

Ps. Pasi përfundova këtë sprovë dola për një shëtitje në park. Aty m’u kujtua se humanizmin si religjion të ardhshëm e pat parashikuar historiani i historisë universale Yuval Noah Harari në librin e tij bestseller, Homo Deus. E kisha harruar. Pyetja nga kolegu gjerman qe shtruar befasisht dhe pa menduar i thashë se i besoja humanizmit. Edhe unë, më tha ai dhe shtoi: “Mirë se erdhe në klubin tonë!”

Në fakt, nuk thashë asgjë të re. Ndoshta ishte kaq e rëndësishme për mua për të kuptuar çfarë besoja vetë, apo më saktë, çfarë mundohem të besoj. Pra, nuk qenkam ateist, por i besoj humanizmit dhe profetët e mi janë intelektualët e mëdhenj humanistë! Asgjë e re. Gjithë ato parime dihen. Qysh nga Revolucioni Francez e këtej. Thjesht duhet t’i besojmë dhe t’i zbatojmë në përditshmëri…

Sidoqoftë, titulli i kësaj sprove mund të ishte edhe: “Humanizmi si fe: një vizion për barazi, drejtësi, empati, liri dhe lumturi globale”

Share: