VALENTINA MADANI/ Pas konsensusit mes palëve, Kuvendi miratoi dje me 110 vota pro, 1 abstenim dhe 1 kundër amnistinë penale. Janë 700 të dënuar që do të lirohen menjëherë, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojnë ulje dënimi
Nga amnistia do të pushohen menjëherë dhe 232 dosje të protestuesve të opozitës. Votimi u duartrokit si nga deputetët e PS-së, ashtu edhe të “Rithemelimit” të pranishëm në sallë, ndërsa deputetët e grupit të kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, u larguan sapo amendamentet e tyre u rrëzuan.
Agron Shehaj ishte kundër, ndërsa Ermonela Felaj abstenoi. Palët gjetën dakordësinë dhe “Amnistia Penale” u fut në rendin e ditës në Kuvend dhe më pas u miratua. Ndërsa Gazment Bardhi propozoi 3 amendamente. Kuvendi u përfshi në debate të ashpra, ku kryedemokrati Lulzim Basha e Enkelejd Alibeaj hodhën akuza të forta për Pazar, për të amnistuar të dënuarit nga Gjykata e Posaçme. Akuzat i hodhi poshtë Bardhi, duke thënë se asnjë zyrtar i dënuar nga GJKKO nuk përfiton.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, njoftoi se nga kjo amnisti përfitojnë 1 mijë e 100 të dënuar me burgim nga të cilët 700 do të lirohen menjëherë sapo të jetë në fuqi ligji, ndërsa 400 të tjerë do të përfitojë ulje dënimi. Ai bëri me dije se nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, personat që i shmangen drejtësisë dhe ato të dënuar nga GJKKO.
“Nga kjo amnisti përfitojnë 1 mijë e 100 të dënuar me burgim nga të cilët, 700 do të lirohen sapo ligji të hyjë në fuqi, ndërsa 400 të tjerë përfitojnë ulje dënimi, 2 mijë e 700 persona në shërbim prove do të jenë përfituesit nga kjo amnisti që do të votohet sonte. Nga kjo amnisti nuk do të përfitojnë personat e dënuar me burgim të përjetshëm, personat që i shmangen drejtësisë, nuk do të përfitojnë ulje dënimi as personat e dënuar nga GJKKO, sepse për ndjekjen penale as që bëhet fjalë. Do të përfitojnë personat që ju ka marrë formë të prerë vendimi deri në datën 31. 3. 2024.
Ky është pjesë e amendamentit të propozuar nga Bardhi. Përfitojnë nga amnistia të dënuarit burra që u kanë mbetur pa vuajtur më pak se 4 vjet, ose që janë dënuar deri në 4 vjet, të dënuarat gra deri në 5 apo që u kanë ngelur pa vuajtur 5 vite nga dënimi, përfitojnë të miturit, gratë që janë 50 apo mbi 50 vjeç, burrat 60 apo mbi 60 vjeç, personat që kanë qenë baraz apo nën 18 vjeç. Ky ligj ka edhe kufizimet përkatëse. Në këtë draftligj, vetëm 5% e veprave penale që ka ky Kod, shtrihet amnistia, për 95% të veprave të tjera të Kodit Penal nuk do të jenë nën efektet e këtij ligji. Kategoria e subjekteve që nuk përfitojnë nga amnistia, të kemi një parashikim për uljen e dënimit. Ka qenë 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë.
Ne kemi pranuar propozimin e amendamentit e Bardhit që ulja e dënimit të shkojë në 1 vit e gjysmë për burrat dhe 2 vite për gratë, si masë lehtësuese. Lidhur me ndjekjen penale, për veprat e lehta penale është ruajtur kufiri i kundravajtjes penale me krime, maksimumi deri në 2 vjet që do përfshihen. Kjo amnisti shtrihet mbi ndjekjen penale vetëm për kundravajtjet penale.
E përshtatshme kjo masë që të shuhet ndjekja penale për çështjet që janë akoma në shqyrtim pa marrë formë të prerë. Nga ndjekja penale do të përjashtohen të gjitha kallëzimet që ndodhen në organe për disa lloj veprash penale për manifestimet e zhvilluara deri në 31 mars 2024. Për protestuesit e opozitës, pa dallim ndarjesh në kohë, por për një kategori veprash që lidhen me këtë kategori, do të kemi pushim të ndjekjes penale në çdo fazë hetimi apo gjykimi”, tha ministri.
Manja përmendi se janë 232 çështje penale që do të përfitojnë nga kjo amnisti sa i takon ndjekjes penale. Numri i personave që përfitojnë nga kjo amnisti është disafish, sepse ka një çështje penale me 10 apo 20 persona që kanë qenë në hetim apo në gjykim. Janë 42 gra të dënuara dhe 27 të mitur dhe 31 gra janë me masë mjekësore për shkak se kanë kryer një vepër penale, por kanë marrë masë mjekësore për shkak të gjendjes së rënduar.
11 gra përfitojnë nga amnistia me lirim të menjëhershëm. Numri i grave që përfitojnë nga ulja e dënimit, duke e rritur kufirin nga 1 vit e gjysmë në 2 është shumë i madh. Deri në shtator, lirohen një numër i konsiderueshëm i grave dhe vajzave. 11 të mitur lirohen menjëherë. Një nga nismat më të rëndësishme me ndikim direkt, vlerësoj se është përgjegjësia jonë që ta votojmë dhe ta miratojmë këtë amnisti.
360grade.al