Home KRYESORE Lagom! Përgatiti Gladiola Jorbus

Lagom! Përgatiti Gladiola Jorbus

Në Suedi ekziston një fjalë me pesë shkronja, por që mbart vlera të jashtëzakonshme – lagom.
Lagom është një ndajfolje në gjuhën suedeze e cila përdoret për të përshkruar diçka që është e moderuar dhe në sasinë e duhur. Është vetë filozofia e të jetuarit në Skandinavi.

Lagom mund të përkthehet “masa e duhur”, “i përshtatshëm” dhe “mjaftueshëm”,”as shumë, as pak, por aq sa duhet”. Ky nocion na nxit të mos biem në grackën e rrethit vicioz ku humbet ekuilibri. Nuk bëhet fjalë për të pasur pak apo tepër, por për të pasur të nevojshmet dhe të duhurat. Mbi të gjitha për ta bërë kënaqësinë, pjesë të jetës sonë. Pra të kesh mjaftueshëm për t’u kënaqur me një jetë modeste.

Lagom është një term këmbëngulës, në një botë ku lakmia, ekstravaganca dhe teprimi janë kthyer në një mani të rrezikshme. Ai është një koncept që na rikthen te thelbi dhe minimalizmi dhe është receta që na fton të rikthejmë ndjesinë e masës së preferuar nga klasikët francezë. Lagom nuk është një fjalë abstrakte, por një mënyrë reale e të jetuarit për t’u zbatuar në të gjitha fushat e jetës sonë. Të jetosh në mënyrë adekuate, të mendosh në mënyrë adekuate, të zgjedhësh siç duhet, konkretisht do të thotë të zbatosh një vetëdije të saktë për veten dhe të tregosh vëmendje të vazhdueshme për atë që njeriu ka nevojë, pa ekzagjerime dhe pa privime.

Lagom është shndërruar në një stil jetese që promovon respektin për mjedisin, eko – qëndrueshmërinë dhe ndërgjegjësimin, jo vetëm për nevojat tona, por mbi të gjitha për botën përreth nesh. Ekuilibri dhe thjeshtësia janë baza për një jetë pa tepricë, ku shijohen gjërat e vogla dhe vlerësohet masa e duhur. Lagom udhëzon dorëheqjen nga ato instinkte që nxisin zotërimin e objekteve materiale që ofrojnë vetëm lumturi sipërfaqësore dhe kalimtare. Ai është një mënyrë jetese që promovon harmoninë, përfshin drejtësinë, moderimin dhe të qenit i kënaqur me atë që ke, duke përfshirë mirëqenien, marrëdhëniet dhe pasurinë.

Lagom është një mënyrë jetese inteligjente, jo sipas parametrave të përcaktuara ose të imponuara nga shoqëria, por në përputhje me konceptin e të drejtave. Nga rrobat te sendet, nga shtëpia tek ushqimi, nga puna te marrëdhëniet shoqërore dhe intime, masa e duhur suedeze fton çdo person të gjejë një proporcion harmonik dhe të përshtatshëm. Njerëzit duhet të çlirohen nga tundimi për t’u rrethuar me një numër të pakufizuar objektesh të padobishme.

Lagom është të jetuarit në ekuilibër. Nuk ka rëndësi sa para keni, por sa mund ta shijoni jetën dhe në ç’ mënyrë të shëndetshme zgjidhni ta bëni atë. Një batanije e ngrohtë me ngjyra neutrale, një jastëk i butë, qirinj të ndezur, një filxhan çaj ose çokollatë e ngrohtë, muzikë në sfond: një pasdite lagom.

Përqafimi i filozofisë ju ndihmon të bëni ndryshime të vogla në jetën tuaj të përditshme – qoftë në stilin e jetës, paratë, marrëdhëniet apo shtëpinë tuaj – në mënyrë që të mund të jetoni një mënyrë jetese më të ekuilibruar dhe të lumtur. Suedezët besojnë se moderimi, pra lagom promovon shëndetin dhe lumturinë duke reduktuar stresin dhe duke krijuar ekuilibër në jetë. Rregullat e moderimit përfshijnë mos shpërdorimin, konsumimin me ekuilibër dhe shmangien e teprimeve. Bëhettij kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe vetëreflektim. Ai kërkon fjalë për gjetjen e mesatares së artë.

Gjithashtu besohet në mitin se fjala lagom rrjedh nga kohët e vjetra, kur shumica e suedezëve ishin fermerë ose vikingë dhe pinin nga i njëjti bri ose tas. Kur ata e dorëzonin tasin nga njëri tek tjetri në formën e rrethit, përpiqeshin të siguroheshin që të gjithë të pranishmit të merrnin pjesën e tyre me drejtësi. Kjo bëhej për t’u siguruar që ushqimi të ishte i mjaftueshëm dhe që askush të mos ushqehej as shumë, as pak. Pra ky është një ideal i rrënjosur thellë në kulturën suedeze.

Në fakt lagom rrjedh nga laghum, që do të thotë sipas ligjit dhe shtrihet në mentalitetin dhe qëndrimin e përgjithshëm ndaj jetës. Kjo fjalë inkurajon të gjejmë kënaqësinë në momentin aktual, të vlerësojmë bukurinë e thjeshtësisë dhe të vlerësojmë cilësinë mbi sasinë.

Ndërsa lagom mund të duket i drejtpërdrejtë, mishërimi i parimeve të tij kërkon përpjekje të ndërgjegjshme dhe vetëreflektim. Ai kërkon një qasje të ndërgjegjshme ndaj vendimmarrjes dhe një gatishmëri për të hequr dorë nga shpërqendrimet e panevojshme.

Në një botë që shpesh inkurajon konsumin e tepruar, sjelljet ekstreme dhe ngarkimin e vazhdueshëm, përqafimi i ekuilibrit dhe moderimi është një qasje e këndshme për të jetuar. Lagom na mëson të gjejmë harmoninë dhe kënaqësinë duke shmangur ekstremet dhe duke gjetur një terren të mesëm që të ndihet i duhuri. Duke përqafuar balancën, ne mund të krijojmë një mënyrë jetese më përmbushëse. Kjo vlen për aspekte të ndryshme të jetës, duke përfshirë rutinat tona të përditshme, zakonet tona të konsumit dhe mirëqenien tonë të përgjithshme.

Lagom të kujton frazën antike ’’E mesmja e Artë’’ e krijuar për herë të parë nga poeti romak Horaci (65 – 8 para Krishtit) . Poeti pohon se një jetë e moderuar është jeta e përsosur dhe se njerëzit duhet të përmbahen nga teprimet, pasi “ai që vlerëson një mesatare të artë është padyshim i lirë nga mjerimi ’’. Filozofi grek Aristoteli (384–322 p.e.s.) gjithashtu e përqafoi këtë koncept.

Ai argumentoi për shmangien e ekstremeve dhe në vend të kësaj gjetjen e një ekuilibri midis tyre. Për Aristotelin, mesatarja e artë ishte një themel harmonik i personalitetit, duke çuar në një jetë të lumtur. Për shembull, guximi është një virtyt që qëndron midis frikacakëve dhe pamaturisë, dhe bujaria ka të bëjë me gjetjen e ekuilibrit midis kurnacërisë dhe luksit.

Nga Horaci tek Aristoteli, kjo filozofi frymon aktualisht në Suedi dhe shenjon shoqërinë suedeze si kryefjalë e saj.

Përgatiti dhe përshtati:
Gladiola Jorbus

Share: