Home KRYESORE Më vështirë të marrësh kredi për banesa – Bankat shtrënguan standardet për...

Më vështirë të marrësh kredi për banesa – Bankat shtrënguan standardet për individët

Ndërsa kreditimi për bizneset në tremujorin e parë të këtij viti ka ruajtur të njëjtat standarde, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për individët. Sipas Bankës së Shqipërisë shtrëngimi i standardeve të kreditimit për individët u aplikua vetëm në kreditë në blerjen e banesave, e ndikuar nga një bankë e vetme e sistemit. Nga ana tjetër, standardet e kreditimit u lehtësuan në kreditë konsumatore.

Shtrëngimi i standardeve u bazua në perceptimin e bankave mbi zhvillimet aktuale dhe të pritura në tregun e banesave dhe mbi ambientin e normave të interesit. Nga ana tjetër, Banka Qendrore gjykon se trysnia e shtuar nga konkurrenca në sistemin bankar dhe perceptimi i bankave për rrezik më të ulët lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësve vijojnë të jenë faktorë mbështetës për lehtësimin e standardeve të kreditimit për individët.

Ndërkohë, lehtësimi i kushteve dhe termave për kreditë konsumatore u arrit në sajë të shtimit të madhësisë së kredisë dhe zgjatjes së maturitetit të kredisë vetëm në kreditë akorduar me qëllim financimin e konsumit. Në të kundërt, marzhet më të larta të përcaktuara prej bankave dhe kërkesat më të larta për kolateral në kreditë për blerjen e banesave patën ndikim shtrëngues në kushtet e termat e kreditimit për individët.

Shkalla e miratimit të kredive për individët u raportua në rritje në tremujorin e parë të vitit 2024. Raporti më i ulët i kredive të refuzuara në këtë tremujor u nxit nga të gjithë treguesit e lidhur me aftësinë paguese të kredimarrësit, me kornizën e politikave të bankave, si edhe me historikun e kreditit.

Kërkesa e individëve për kredi u perceptua më e lartë në tremujorin e parë, si për kreditë për blerjen e banesave, ashtu edhe për ato konsumatore.

Kërkesa më e lartë për financimin e konsumit dhe ajo për financimin në blerjen e banesave ishin faktorët kryesorë që sollën rritjen e kërkesës për kredi në këtë tremujor. Ndërkohë, në tremujorin e dytë të vitit 2024, bankat presin që kërkesa për kredi të jetë sërish e lartë, si në financimin e konsumit, ashtu edhe në blerjen e banesave.

360grade.al

Share: