Home Gjeo-Ekonomia Një botë e re hapet duke lënë pas paragjykimet

Një botë e re hapet duke lënë pas paragjykimet

Fotot cover nga China Daily

“Kështu kam ndryshuar, duke lënë pas ide të paramenduara dhe paragjykimet”,- thotë Isaiah Long, një student nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës që vizitoi Kinën kohët e fundit.

“Të ecësh me kokën lart, duke shijuar përvoja dhe duke krijuar opinione të vërteta, është rruga e duhur për të ecur para”,- tha Long, një nxënës i klasës së 11-të në shkollën e mesme “Lincoln”, në Tacoma, shteti Uashington, pasi u kthye nga një udhëtim 11-ditor nga 17 marsi deri më 27 mars në Kinë me 23 nxënës të tjerë të shkollave të mesme. Ata vizituan Pekinin, Shiyanin në provincën Hubei dhe Guangzhou dhe Shenzhen në provincën Guangdong.

“Mënyra më e mirë për të mësuar për një vend është ta vizitosh atë dhe të takosh njerëzit”,- tha ai.

Në nëntor, presidenti Xi Jinping njoftoi se Kina do të ftonte 50.000 të rinj nga SHBA-ja për të vizituar vendin gjatë pesë viteve të ardhshme. Të 24 nxënësit, 10 nga shkolla e mesme “Lincoln” dhe 14 nga shkolla e mesme “Steilacoom” e vizituan Kinën për herë të parë.

Në Pekin ata vizituan monumente të tilla si Muri i Madh dhe Qyteti i Ndaluar, si dhe vendet që pritën Lojërat Olimpike të Pekinit 2008 dhe Lojërat Olimpike Dimërore 2022. Nxënësit vizituan gjithashtu kampuset e disa shkollave kineze.

“Më pëlqen Kina dhe mendoj se është shumë e bukur. Më pëlqeu të shihja monumentet dhe njerëzit janë vërtet mikpritës e të sjellshëm”,- tha Annaliese Colbaugh, një nxënëse e klasës së 11-të në shkollën e mesme “Lincoln”.

Annaliese shpjegoi se pavarësisht pasigurive të familjes për udhëtimin, kur u kthye ajo u tregoi atyre për të gjithë përvojën fantastike që kishte kaluar. Kjo, sipas saj, ndryshoi vërtet këndvështrimin e tyre për Kinën.

Pjesa e saj e preferuar e udhëtimit, tha ajo, ishte të vizitonte shkollat dhe të shihte se si funksionojnë ato. Ajo ende flet me shumë miq të saj në Kinë në “WeChat”.

“Do të doja vërtet të shkoja përsëri në Kinë me familjen time. U thashë atyre se ishte një vend kaq i mirë dhe do të doja të kthehesha atje. Por do të ishte me ta”,-tha ajo.

Si në shtëpi

Jersey Jefferson, një nxënëse e klasës së 11-të në shkollën e mesme “Lincoln”, tha se qëndrimi i saj në Pekin ishte si në shtëpi.

“Moti i ngjante më shumë Uashingtonit, kështu që nuk më dukej sikur isha vërtet shumë larg shtëpisë. Të gjithë ishin super të sjellshëm dhe unë u ndjeva e pranuar atje, kështu që padyshim që u kënaqa”,- tha ajo.

Jefferson tha se vendi i saj i preferuar ishte Universiteti i Edukimit Fizik dhe Sporteve në Pekin, ku delegacioni studentor amerikan u mirëprit me kërcimin e luanit dhe performancë wushu.

Ndërsa vizitën te Muri i Madh dhe Qyteti i Ndaluar ajo e cilësoi si një ecje në histori.

“Kurrë nuk e kisha menduar se do të arrija të ecja ndonjëherë në Murin e Madh. Dhe mendoj se jam një nga njerëzit e parë në familjen time që shkova në Kinë. Gjyshja ime ishte shumë e emocionuar. Ajo dëshiron të shohë të gjitha fotot dhe të dëgjojë për të gjitha gjërat që bëmë”,- thotë ajo.

Që nga kthimi i saj, ajo ka inkurajuar shumë nga miqtë e saj të shkollës që të ndjekin gjurmët e saj.

Montserrat Romero-Rocha, një nxënëse e klasës së 12-të në shkollën e mesme “Lincoln”, tha: “Ishte një mundësi unike dhe thjesht e mahnitshme. Kjo ka ndryshuar jetën time”.

Për të ishte hera e parë në Kinë, por motra e saj e madhe, Abranna, ish-nxënëse në “Lincoln”, ishte një nga më shumë se 100 nxënësit dhe mësuesit e ftuar në Kinë pasi presidenti kinez Xi vizitoi shkollën gjatë vizitës së tij të parë shtetërore në SHBA, në vitin 2015.

“Mendoj se udhëtimi në Kinë në vitin 2016 ndikoi vërtet tek ajo. Që atëherë, ajo ka eksploruar botën. Kina ishte rruga e saj e parë dhe ndikoi tek ajo për të parë shumë vende të tjera”,- tha ajo.

Abranna Romero-Rocha tani punon në “Spokane” si këshilltare kolegji dhe së fundmi ka nisur studimet për drejtësi. Motra më e vogël tha se një nga pjesët e saj të preferuara të udhëtimit të saj në Kinë ishte përfshirja në jetën e përditshme shkollore dhe ajo i tregoi familjes dhe miqve të saj për më shumë se pesë orë ndërveprime me bashkëmoshatarët kinezë në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja Shenzhen Nanshan.

Shkolla ishte ndalesa e fundit përpara se delegacioni të largohej nga Kina. Aktivitetet në të cilat morën pjesë nxënësit amerikanë dhe bashkëmoshatarët e tyre kinezë përfshinin pikturë, vallëzim, këndim dhe volejboll.

“Vizita në Shenzhen pati shumë ndikim tek unë sepse ishte grupi i fundit i njerëzve me të cilët munda të ndërveproja para se të largohesha Kina. Të gjithë ishin kaq të ëmbël, të sjellshëm dhe të këndshëm. Dhe tani kam miq nga shkolla të ndryshme me të cilët vazhdoj të flas”,- tha Montserrat Romero-Rocha.

Ajo dëshiron të kthehet në Kinë dhe të qëndrojë të paktën gjashtë muaj ose një vit.

Karl Hoseth, drejtor i shkollës së mesme “Lincoln”, e cilësoi emocionuese ndërveprimin mes nxënësve amerikanë dhe kinezë.

“Ishte një përvojë kaq fantastike. Shpresoj se këto eksperienca do të ndikojnë te brezat e ardhshëm”,- tha ai.

Ndihmë e madhe

Hoseth ishte në një banket në San Francisko në nëntor kur presidenti kinez Xi njoftoi iniciativën për të vizituar Kinën 50.000 nxënës amerikanë.

“Kjo ishte një ndihmë e madhe. E dëgjova dhe mendova se kjo do të ishte një mundësi e shkëlqyer për nxënësit tanë në “Lincoln”. Por nuk e kisha idenë se ne do të ishim ndër të parët që do të shkonim dhe më pas do të kishim disa mundësi të tjera për të dërguar nxënësit në muajt e ardhshëm”,- tha Hoseth.

Nga viti 2016 deri në vitin 2019 janë bërë tre udhëtime nga shkolla e mesme “Lincoln” në Kinë.

“Pas ndërprerjes prej pandemisë, tani jam shumë mirënjohës që jemi në gjendje ta bëjmë përsëri udhëtimin dhe falënderues për këtë iniciativë dhe për ata që me të vërtetë na kanë ndihmuar që kjo të ndodhë për nxënësit tanë”,- tha Hoseth.

Ai inkurajon njerëzit ta vizitojnë Kinën dhe mendon se ekspozimi ndaj kulturave, vendeve, mënyrave të jetesës dhe historive të ndryshme është i paçmuar.

“Si shkollë, një nga gjërat për të cilat jam vërtet i emocionuar është se ekziston kjo lidhje e gjatë midis Kinës dhe “Lincoln”-it, dhe në veçanti me presidentin kinez, i cili e vizitoi në vitin 2015.

“Ka pasur një sërë grupesh që kanë dashur të ndihmojnë që disa nga nxënësit tanë të kthehen në Kinë. Ndoshta gjatë kësaj vere mund të dërgojmë përsëri disa nxënës në Kinë”,- tha ai./Artikulli dhe foto jane ofruar nga CRI.CN

Share: