Home Gjeo-Ekonomia O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

O’Brien nesër në Beograd për takime me krerët e Serbisë

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, do ta vizitojë Beogradin këtë të shtunë, për takime me liderët e Serbisë, presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeparlamentaren Ana Bërnabiç, njoftoi të premten Presidenca serbe.

Zyrtari i lartë amerikan do të takohet së pari me Bërnabiçin dhe pastaj me presidentin Vuçiç mëngjesin e së shtunës.

Gjatë një interviste për televizionin Pink më herët të premten, presidenti serb e cilësoi takimin e ardhshëm me zyrtarin amerikan si një “bisedë të vështirë dhe të rëndësishme”.

Vizita e O’Brien në Serbi vjen në një kohë kur Beogradi zyrtar kritikoi Perëndimin pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë, me gjithë përpjekjet e Serbisë për ta pamundësuar këtë dhe përkundër marrëveshjes së Ohrit, sipas së cilës, Serbia u zotua se nuk do ta pengonte anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare

Autoritetet kosovare e akuzuan Serbinë më 17 prill se i ndaloi mbi 1.400 kosovarë për më shumë se 20 orë në pikat kufitare të saj me Kroacinë dhe Hungarinë, të cilët po kalonin transit nëpër Serbi.

360grade.al

Share: