E ulur në një karrige në studion e saj në veriperëndim të Londrës, Duan Yiran themeluesja e “Yi Crafts”, një punëtori artizanale që fokusohet në promovimin e teknikës tradicionale të ngjyrosjes së indigos të praktikuar nga grupi etnik kinez Bai, pranon se më parë nuk e pëlqente artizanatin.
“U rrita me të, por nuk ishte diçka për të cilën ndiheshe mirë kur ishe adoleshente. Kështu që kurrë nuk më pëlqeu vërtet”,- kujton ajo. Duan, një anëtare e grupit etnik Bai, lindi dhe u rrit në fshatin Zhoucheng, në qytetin Dali, në provincën Yunan të Kinës jugperëndimore. Në Zhoucheng, pothuajse çdo familje kishte anëtarë që kishin zotëruar teknikën e ngjyrosjes. Familja e Duanit drejtonte një fermë indigo, që vijon prej pesë brezash, së bashku me një biznes që prodhonte pëlhura të endura me dorë dhe të lyera me dorë.
Duan Yiran themeluesja e “Yi Crafts”me turistë nga Britania e Madhe dhe artizanë vendas në qytetin e Dali/China Daily
Për të lidhur copa pëlhure, mjeshtrja përdor gjilpëra dhe fije për të krijuar palosje të ndryshme në pëlhura përpara se t’i vendosë disa herë në kazanët e bojës. Në mënyrë tipike, vazot e bojës përmbajnë bojë me ngjyrë blu qielli të nxjerrë nga bimët. Shpalosja e pëlhurave zbulon modele të bukura, si forma gjeometrike dhe lule.
Pjesët e qepura dhe të lidhura me fije mbeten të bardha sepse nuk janë zhytur në bojë, ndërsa zonat e tjera bëhen blu.
Në vitin 2006, teknika e ngjyrosjes së grupit etnik Bai u rendit si një formë e trashëgimisë kulturore jomateriale kombëtare në Kinë.
29-vjeçarja Duan, e cila e kaloi fëmijërinë e saj duke i prerë fijet pas lyerjes së rrobave, nuk mendoi kurrë për të trashëguar zanatin derisa u transferua në Londër në vitin 2015 dhe u regjistrua në Shkollën Qendrore Mbretërore të Fjalës dhe Dramës për kostumografi.
turistët në studion “Yi Crafts”/China Daily
“Kam mësuar shumë teknika perëndimore në shkollë, si të bëj një kostum, një fustan viktorian, një korse, por e humba atë lidhje sepse nuk më lidh gjë ato veshje”,- thotë ajo, duke kujtuar se kur bënte kostumet e stilit viktorian, e gjente veten duke aplikuar në mënyrë të pandërgjegjshme teknikat e qepjes dhe nyjës së qëndisjes kineze që kishte mësuar nga gjyshja.
Pikërisht në atë moment Duani e kuptoi se një person mund mos të jetë plotësisht i ndarë nga toka ku u rrit dhe nga gjurmët kulturore që i përkasin.
“Ka disa gjëra që nuk zhduken kurrë, thjesht u përpoqa t’i fshihja ato. Por sado që jam përpjekur të shpëtoj nga kultura ose të përpiqem të jem ajo që konsiderohet e lezetshme ose nervoze, unë jam ende një vajzë nga Dali”,- thotë ajo.
Pas diplomimit në vitin 2019, Duani vendosi të ngrejë studion e saj të punimeve me dorë. Në pesë vitet që nga fillimi i biznesit të saj, ajo ka organizuar më shumë se 500 seminare online me mbi 10.000 pjesëmarrës.
Lu Yinkai pret dru agar në copa për djegien e temjanit gjatë një seminari në Londër në qershor 2023./China Daily
Me më shumë të rinj kinezë në Mbretërinë e Bashkuar, të përkushtuar për të shfaqur kulturën e atdheut të tyre, duke iu bashkuar “Yi Crafts”, studioja është zhvilluar në një hapësirë ku zhvillohen lloje të ndryshme të artizanatit kinez, duke përfshirë qëndisjen, prodhimin e fenerëve, prerjen e letrës, thurjen e bambusë, etj..
“Yi Crafts” gjithashtu bashkëpunoi me disa nga organizatat kryesore kulturore në Mbretërinë e Bashkuar, duke përfshirë Muzeun Britanik dhe Muzeun “Victoria and Albert”, për të pritur seminare artizanale kineze.
Ndryshe nga Duan, Lu Yinkai ka qenë gjithnjë i dashuruar me kulturën tradicionale kineze dhe tani ëndërron të ndajë me botën detajet e kulturës kineze të temjanit, një art shekullor që pothuajse është zhdukur. 25-vjeçari u transferua në Londër për master në vitin 2022 dhe vitin e kaluar krijoi studion e tij, të quajtur “Timelessmoon”.
Kultura kineze e temjanit daton më shumë se 4000 vjet më parë, kur bimët aromatike u dogjën për herë të parë, kryesisht gjatë ritualeve për të adhuruar paraardhësit, thotë Lu.
Gjatë dinastisë Song (960-1279), kulturalisht një nga periudhat më të shkëlqyera në historinë kineze, përdorimi i temjanit arriti kulmin e tij, pasi klasat e larta e konsideronin temjanin si një kërkim elegant. Studiuesit e lashtë, poetët dhe artistët e asaj periudhe e digjnin ndërsa frymëzoheshin, shpjegon Lu.
Megjithatë, gjatë dinastisë së mëvonshme Qing (1644-1911), kur kinezët u përballën me problemet e brendshme dhe agresionin e jashtëm, kultura u përball në mënyrë të pashmangshme me sfida të ruajtjes.
Sipas Lu, fatkeqësisht, temjani kinez nuk zë një pozicion të spikatur ndërkombëtarisht. Ai ka praktikuar pranë ekspertëve që kanë studiuar prej kohësh temjanin kinez, duke u thelluar në tekste të lashta dhe duke mësuar rreth mjeteve, materialeve dhe metodave të përfshira në përdorimin e temjanit.
Duan dhe një artist britanik/China Daily
Studioja e tij organizon rregullisht seminare ku pjesëmarrësit mund të mësojnë të vlerësojnë traditën e përjetshme ndërsa provojnë temjanin kinez ose bëjnë qeska me temjan.
Megjithëse specialitetet e tyre ndryshojnë, dy artizanët e rinj kinezë ndajnë pikëpamje të ngjashme për përhapjen e kulturës kineze jashtë shtetit. Ata të dy shprehin dëshirën që eventet që organizojnë të shërbejnë si një hapësirë që kapërcen kufijtë, ku njerëzit e të gjitha kombësive, racave, gjinive dhe moshave mund të ndajnë lirisht.
“Ka gjithmonë të përbashkëta mes kulturave, sepse ne jemi të gjithë qenie njerëzore”, thotë Lu. Ndërsa Duan thekson: “Ne jemi thjesht ura, pjesa e rëndësishme janë njerëzit në të dy anët e urës”.//Artikulli dhe fotot jane ofruar nga CRI.CN