Një spikere virtuale dha lajmet në Euronews Albania, Radio Ejani aplikon inteligjencën artificiale me spikeren Lana, ndërsa gazeta më e shitur në Europë, gjermania ‘Bild’ në një njoftim zyrtar u komunikoi të gjithë redaktorëve dhe gazetarëve se do të zëvendësohen nga inteligjenca artificiale (AI). A po kryhet një revolucion digjital në media? Analisti Artur Nura, botues i portalit dygjuhësh “Përqasje” dhe gazetari i teknologjisë, njëherësh kreator inovacioni Brenton Bënja në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës komentojnë risitë digjitale në median shqiptare dhe botërore.
Foto Cover: Analisti Artur Nura në intervistë për CMG
CMG: Në nisje të bisedës sonë le të njoftojmë ata që po na ndjekin se nuk jemi gazetarë virtualë. Mediat po përjetojnë një revolucion digjital dita-ditës. A kemi aftësitë e mjaftueshme për të kapur ritmin e saj? Inteligjenca artifiviale (AI) po shkakton një lloj kaosi në të gjithë industrinë e medias në botë.
Artur Nura: E nisët këtë bisedë në mënyrë profesionale, pasi e kemi për detyrë të bëjmë të qartë për publikun se nuk jemi virtualë. Por jo të gjithë e bëjnë këtë.
Kur ti nxjerr një kopje tënden duhet të thuash që është kopje dhe kjo është e rëndësishme, sepse me inteligjencën artificiale (AI) dhe interpretimi bëhet në bazë të interesave të caktuara. Kurse me profesionalizmin bëhet në bazë të raporteve të realitetit, jo të raporteve që dëshirojmë të themi.
CMG: Po bëj një krahasim. Kur marrim dokumente të rëndësishme tek noteri dhe kemi dhe kopjen e tyre, këtë kopje duhet ta vërtetojmë që është e njejtë me origjinalin. Për këtë nevojitet firma e noterit.
Artur Nura: Në Bashkimin Europian në të gjitha ndërtimet e inteligjencës artificiale po kërkohet me ligj që të përcaktohet se jemi në një transmetim të inteligjencës artificiale. Kjo do t’i jepte garanci lajmit. Inteligjenca artificiale në raport me njeriun e zakonshëm e tejkalon atë, por me njeriun në tërësi është e pamundur ta tejkalojë. Ndaj duhen rregulla të mirëpërcaktuara që të mos ketë abuzime. Fake news (lajmet e rreme) janë bërë të modës dhe tashmë po shpërndahen lajme të inteligjencës artificiale.
CMG: Inteligjenca artificiale si çdo shpikje e madhe ka pluset dhe minuset e veta
Artur Nura: Patjetër dhe do kontroll. Në rastin e Shqipërisë akoma më shumë sepse tashmë ajo po ballafaqohet me mungesë të etikës, mungesë të realizmit të lajmit, prandaj duhet të vendosen rregulla të qarta, që të mos lejojnë abuzim. Kjo bëhet në interes të publikut.
CMG: Le të ndjekim opinionin e ekspertit për këtë. Është gazetari i teknologjisë, krijues i Geek Room, Brenton Bënja. A po përjeton media botërore, po ashtu dhe ajo shqiptare një revolucion digjital?
Brenton Bënja: Digjitalizimi në media për Shqipërinë mendoj se nuk përbën diferencë nga aspekti global, nga mënyra se si po trajtohet në botë dhe se si po ndikon në media. Ka dy gjëra ku duhet të fokusohemi më shumë.
Brenton Bënja në intervistë për CMG
Së pari është ndikimi i digjitalizimit tek disa lloje mediash dhe këtu nuk flas për vitet e fundit, por ka vite që ndodh. Janë gazetat dhe revistat, dy nga mediat që po hasen me më shum problematika. Ndonëse nuk është një problem i ri ato e kanë gjetur mënyrën se si të përshtaten. Digjitalizimi ka sjellë mediat online dhe ka bërë që njerëzit të kenë informacion në kohë reale shumë shpejt, gjë që do të thotë se nuk kanë pse të presin të nesërmen për të lexuar gazetën. Mediat në këtë rast kanë bërë kalimin në formën digjitale. Disa media të famshme globale, kryesisht tabloidet po vazhdojnë të qëndrojnë në treg në mënyrë të printuar përveç se online, duke u fokusuar më shumë te lajme që kanë të bëjnë me showbiz-in, apo dhe lajme politike, por që trajtojnë një aspekt në një formë editoriale pak më të zgjeruar. Mbi të gjitha kanë buxhete shumë të mëdha të cilat i lejojnë që të qëndrojnë akoma të printuara. Interesi i njerëzve nuk është më te gazetat apo revistat e printuara.
Spikerja virtuale e Radio Ejani (Foto CMG)
Së dyti, marketingu tani është shumë i saktë dhe e di shumë mire se ku shpenzon para. Marketerët e dine shumë mire se cili është website më i klikuar, por dhe cila kategori është më e klikuara, dine se sa minuta qëndrojnë njerëzit online për të pare një artikull. Në disa raste madje kontrollojnë edhe lëvizjen e mouse-it se në cilën pjesë të ekranit lëviz, që do të thotë se ata kuptojnë se cila pjesë e ekranit ka më shumë vëmendje dhe aty vendosin reklamat e tyre.
Për mua ky është me të vërtetë një revolucion sepse u jep ndihmë jo vetëm marketerëve të shpenzojnë mire buxhetet e tyre, por ndihmojnë edhe mediat që kanë më shumë lexues që të kenë edhe më shumë të ardhura.
CMG: Edhe mediat shqiptare po aplikojnë inteligjencën artificiale. Një spikere lajmesh virtuale u prezantua në tetor nga Euronews Albania. E quajtur ”Tokyo Tirana”, skiperja virtuale është e aftë të riprodhojë të gjitha fjalitë e shkuara si informacion për publikun. Radio Ejani online ka aplikuar inteligjencën artificiale nëpërmjet spikeres virtuale të quajtur Lana. A po zëvendësohen spikerët me kolegë virtualë?
Artur Nura: Unë jam shumë dakord që mund të përdoret inteligjenca artificiale te spikerët e lajmeve, të cilët janë vetëm prezantues të lajmeve, sepse nuk hyjnë brenda lajmit dhe nuk bëjnë analizën e tij. Le të lejohet deri këtu, por të mos shkohet më tej.
CMG: E keni fjalën që të mos aplikohet në krijimtari?
Artur Nura: Po. Krijimtaria nuk do të ishte realiste, por mjaft artificiale. Spikerët janë riprodhues të lajmit, që krijohet nga njerëzit. Nëqoftëse do të përdorej në nivele të caktuara do të ishte e nevojshme. Në Shqipëri nuk ka ende një reagim as nga Autoriteti i Mediave Audiovizuale apo nga shoqatat e gazetarëve, ndërsa në Kosovë, për fat të mirë ka patur reagime si nga Autoriteti i Mediave Audiovizuale, ashtu dhe nga shoqatat e gazetarëve.
CMG: Gazeta më e shitur në Europë ‘Bild’ në një lajmërim zyrtar u komunikoi të gjithë redaktorëve dhe gazetarëve se do të zëvendësohen nga AI.
Funksionet e drejtorëve të redaksisë, redaktorëve të faqeve, korrektorët, sekretarët dhe foto editorët nuk do të ekzistojnë më. Nuk bëhet fjalë vetëm për zëvendësimin e spikerëve nga inteligjenca artificiale
Artur Nura: Besoj se ky është vetëm një test.
CMG: Ndërkohë Grupi Mediatik i Kinës (CMG), një nga mediat kryesore të Kinës, ka nisur bashkimin e teknologjisë së AI-së me median, duke shënuar një moment historik të rëndësishëm në krijimin e përmbajtjes inovative. CMG-ja njoftoi këto ditë për nisjen e prodhimeve të saj më të fundit të AI-së, duke sjellë një epokë të re kreativiteti dhe avancimi teknologjik. Bëhet fjalë për krijimin e përmbajtjes, me inteligjencën artificiale që trajton çdo aspekt të prodhimit, duke përfshirë dizajnin artistik, tabelat, prodhimin e videove, dublimin dhe kolonën zanore. Publiku i mësuar me median klasike, a është entuziast për median e re që ofrohet?
CMG publikon prodhimet e reja të AI-së (Foto CMG)
Artur Nura: Përmendët tre pika reference. Kemi rastin e Gjermanisë, të Grupit Mediatik të Kinës dhe të Kosovës.
Sa i përket Grupit Mediatik të Kinës është një eksperiment që po kryhet me të rinjtë për përdorimin e telefonave smart dhe ka një sondazh që ka ngjallur debat në mbarë vendin. Edhe në këtë rast dhe të Gjermanisë dhe Kosovës ka reagime. E reja sjell entuziazëm dhe inteligjenca artificiale është një gjë e re për njerëzimin, por pas entuziazmit duhet të vijë arsyetimi, rregullat, kufizimi i asaj që nuk është njerëzore. Në rast se do të lejohet të tejkalohet qenia njerëzore nuk e dimë ku do të shkohet. Prandaj të gjitha instrumentet, kontrollorët dhe rregullatorët e administratave kudo në botë duhet të çojnë te rregullat e lojës. Gjermania me siguri do të vendosë limite në këtë drejtim. Prandaj duhet ta bëjmë edhe ne.
CMG: Cili është opinioni i Brentonit lidhur me spikeren virtuale të Euronews Albania, që u paraqit për herë të parë në median shqiptare, aplikimin e AI nga Radio Ejani me spikere virtuale dhe përpunimin e zërit me AI në disa reportazhe. A do të zëvendësohen disa nga punonjësit e medias nga AI?
Brenton Bënja:Po. Unë e kam parë në fakt prezantuesen AI në Euronews Albania, por do të thoja që jemi shumë larg. Së paku në mendimin tim për prezantuesit nuk duhet të vijë asnjëherë momenti që të zëvendësohen me AI sepse së pari nuk ka mungesë prezantuesesh, sepse është një numër shumë i vogël. Së dyti, janë reagimet, emocionet që AI nuk i jep. Së treti, AI nuk është aq perfekt kur bëhet fjalë për imitimin e figurave të njerëzve, personazheve, në krijimin e tyre. Problemi kryesor qëndron te lëvizja e syve, sepse një Ai nuk i përpëlit asnjëherë qepallat e syve, që nuk është normale. Një tjetër problem është lëvizja e gojës që nuk është fare në koherencë me atë që thuhet sidomos kur bëhet fjalë për pjesët deepfake, pra kur merret fytyra e një personi dhe vendosen fjalë të tjera. Por ky nuk është rasti i prezantueses për të cilën folëm.
Nëse flasim për median mendoj që një profesion që po rrezikohet shumë nga inteligjenca artificiale janë kameramanët, Sot falë inteligjencës artificiale kamerat mund të lëvizin vetë nëpër studio sepse janë kamera robotike, të cilat mund të fokusojnë personin dhe fokusi është një nga fjalët më të shpeshta që përdoret nga regjizorët për të mbajtur fokusin tek personazhi. Ndërsa AI nuk vuan fare për këtë lloj problemi. Kameramanët mund të rrezikohen, por jo prezantueset.
CMG: Komisioni Evropian u kërkoi platformave të mëdha sociale si TikTok e Facebook dhe platformave të tjera të mediave sociale që të angazhohen dhe të ndërhyjnë për të penguar përhapjen e përmbajtjeve të falsifikuara përmes inteligjencës artificiale
Artur Nura: Kur ka prodhime të inteligjencës artificiale fillimisht kemi dyshimet tona dhe çdo institucion ka dyshimet e veta për prodhimin, por padyshim që inteligjenca artificiale është një arritje e jashtëzakonshme e njerëzimit. Ndërkohë njerëzimi duhet ta vërë në përdorim AI aty ku nevojitet. Në mjekësi ka rezultuar që AI është mjaft eficiente, sepse vetë njeriu nuk mund të jetë aq preciz në një ndërhyrje kirurgjikale.
CMG: Kemi të bëjmë në këtë rast me kirurgjinë robotike që është mjaft e avancuar. Në Kinë gjatë periudhës së pandemisë Covid 19 pati një përdorim të gjerë të të gjitha inovacioneve teknologjike. Një rast ishte ai i robotëve nëpër spitale që shpërndanin mjekime për pacientët, sepse kishte dhe mungesa të personelit mjekësor. Gjithësesi mendoni se është po kaq e domosdoshme inteligjenca artificiale në media?
Artur Nura: Gjatë pandemisë mësuam shumë. Edhe unë mësova të hyj në variantin online, që dikur me gazetarinë klasike regjistronim intervistat me diktofon, që më pas transmetoheshin. Tashmë intervistat i realizoj me audio dhe video nëpërmjet aplikacionit Zoom. Këtë na e mësoi nevoja gjatë pandemisë. Inteligjenca artificiale është një program i ndërtuar në bazë të disa rregullave dhe funksionon, kurse arsyeja funksionon sipas nevojave dhe raportit të forcave reale. Kjo është diferenca.
Spikerja virtuale Tokyo Tirana (Foto Gazeta Sot)
Besoj që në nivele të caktuara kjo arritje e jashtëzakonëshme e shoqërisë njerëzore duhet përdorur me sasinë e duhur, ndërsa në disa të tjera besoj që arsyeja njerëzore është e pazëvendësueshme.Prandaj do t’i bënte dëm interesit publik, por dhe ne, jo nga pikëpamja e interesit vetjak, por do të ishte një produkt jo i arsyeshëm. Sepse arsyeja është vetëm njerëzore. Në të gjitha rastet inteligjenca artificiale duhet të përdoret pa e tejkaluar arsyen njerëzore.
Prandaj duhet të vendosen rregulla, të cilat po diskutohen në të gjitha vendet e zhvilluara. Është koha të funksionojë shteti, i cili është një rregullator i grupeve të ndryshme të interesit. Në rastin konkret një prodhim i AI duhet të prezantohet në mënyrë të dukshme si i tillë, në mënyrë që konsumatorët ta dinë këtë.
CMG: Brenton, si është ecuria e inovacionit Geek Room të krijuar prej jush, tashmë që inteligjenca artificiale nuk është e panjohur për publikun shqiptar ?
Brenton Bënja: Nga njera anë Geek Room që në lancimin e tij 5 vite më parë u lancua online, kështu që është një media digjitale. Ajo që thamë në fillim të intervistës ajo po përfiton më shumë se sa media e shkruar ndaj ne e kemi nisur në këtë lloj forme dhe i kemi aty lexuesit, ndjekësit tanë në rrjetet tona sociale. Ne mundohemi të japim informacionin jo vetëm në kohë reale sepse këtë pothuajse e kanë të gjithë, por parimi ynë kryesor është që të konfirmojmë burimin e lajmit, apo në disa raste kur bëhet fjalë për studime, ku Geek Room është një nga kategoritë më të lexuara..
Virtualiteti në media (Foto Indeksonline)
Kur bëhet fjalë për studime ne sigurohemi gjithmonë që studimi të jetë serioz, të jetë i publikuar diku dhe këtë publikim ne e vendosim në website, pra nuk krijojmë lajme me studime te rreme, që bëhen për të marrë më shumë klikime.
Parimi ynë kryesor edhe në rastin e lajmeve lokale është se gjithmonë sigurohemi që të marrim dhe komentin e personit apo kompanisë që është e përfshirë në artikull. Kjo na e ka vështirësuar pak punën me shpejtësinë e lajmit sepse ndodh që lajmi ynë të publikohet disa herë më vonë se sa portalet e tjera, por këtë nuk do ta ndryshojmë sepse është një parim që e kemi patur që në fillim dhe është një lloj besimi që i japim lexuesit se ajo që po lexon në Geek Room është një informacion i saktë dhe i konfirmuar.
Intervistoi Eda Merepeza/fotot dhe artikulli jane ofruar nga CIR.CN