Nga Armir Shkurti
Një orë e gjysmë rresht foli sot Meta në konventën e partisë së tij. Ishte fjalim? Jo! As strukturë as përmbajtje nuk pati.
Monolog?
Teknikisht po, nëse marrim ftohtë kuptimin e monologut si një numër fjalësh të lëshuara nga një njeri i vetëm…
Si fillim, në një aktivitet të tipit kongres a konventë, quaje si të duash, është mungesë arrogante respekti nëse flet pa letër dhe flet një orë e gjysmë, duke kërcyer nga një mesele në një përrallë, nga Stalini te Çërçilli, nga Vojo Kushi te Tedi Blushi.
Në vend të programit, strategjisë, ideologjisë, presidenti i rikonfirmuar në krye të partisë së tij, përsëriti llogjet e konsumuara javët e fundit në çdo studio ku i kanë bërë qokën. “Po pse, ç’të thoshte tjetër”? – do të më pyesësh. Në kushtet e sotme ka një mënyrë shumë të bukur, racionale dhe frymëzuese, që për hir të së vërtetës e ceku jokeq Haxhinasto në fjalën e tij: kthimin në pikënisje, 1990, me “Liri – Demokraci” dhe “Shqipërinë si gjithë Europa”
Nëse presidenti i PL sot do tu kumtonte shkurt dhe prerë këtë pozicion dhe program spektatorëve në “pallatin e koncerteve” – siç e quan Gjebrea, unë personalisht , në një formë a në një tjetër do të isha me të. Sepse unë e kam shprehur se TRANZICIONI dhe politika që e polli dhe u poll prej tij, në thelb kanë deformuar krejtësisht sistemin e ekonomisë së tregut të lirë, pluralizmin ekonomik dhe politik, lirinë e shprehjes dhe mendimit, liritë dhe të drejtat themelore të njeriut ( prona në rradhë të parë ), sistemin e drejtësisë, se po shpopullojnë vrullshëm vendin dhe po vrasin kombin. Shkurt, një forcë politike që përfaqëson ligjet bazë të kapitalizmit dhe mbështetet tek konventat ndërkombëtare është risia dhe zgjidhja. Vendi është krejt bosh sot. Me këtë pozicionim PL do të qe krejt korrekt me parimet e sistemit dhe e pathyeshme përballë oligarkisë, krimit dhe antishqiptarëve që kanë zaptuar vendin.
Në vend të pozicionimit antiestablishment, kundër oligarkisë, kundër sundimit të mafias dhe krimit të organizuar, dëgjuam xhaxhi veteranin në një variant thuajse alkoolik të rrëfimit dhe kapërximeve surreale nga një fabul në tjetrën.
𝗚𝗷𝘆𝘀𝗺𝗮 𝗲 𝗠𝗼𝗶𝘀𝗶𝘂𝘁
S’e kam për Alfredin por profetin Moisi, të cilit Zoti i zbriti tabletat me 10 porosi. Lirit i ka zbritur gjysmat. Te më e bujshmja prej tyre është mbështetur tek penisi ynë. 4 të tjerat i ka për penis të vet! 4 milion shqiptarë plus në pak vite na bie ti bëjmë ne, me organet tona përkatëse. Dhe jo se sot jemi përmbajtur në bërjen e çilimijve se s’kishim frymëzim prej Metës, por sepse sot kemi kundër një sistem gjigand, madje global, tredhje e stabilizimi, ku në Shqipëri punon prej kohësh me gjithë motorët. Premtimin e mbështetur mbi hallatet tona detyrimisht presidenti i PL duhej ta shoqëronte me ” shembjen e sistemit të deformuar, ringritjen e kapitalizmit me standartet e njohura” e të tjera që citova më parë.
Pra Ilir Meta na konfirmoi sot me konventën e tij e mbi të gjitha me përroin e lodhshëm psiqik, se NUK ka aspak ndonjë ide ( pale plan, ide, program a strategji ) PËR T’IU KUNDËRVËNË SISTEMIT por më së shumti , për të bërë ujdi me të dhe…..
𝘀𝗶 𝗩𝗼𝗷𝗼 𝗞𝘂𝘀𝗵𝗶 𝗺𝗯𝗶 𝘁𝗮𝗻𝗸
Shpesh e ka përmendur heroin e Kodrës së Kuqe kohët e fundit Meta. Sot në skenën e koncerteve i hëngri një copë të mirë të kohës rrëfenja me Vojon, pikturën e realizuar nga Sali Shijaku për të, me tankun dhe një myzeqar anonim që kish shpëtuar për fije atë natë. Shumë hollësi na dha nga ajo histori, me një zë të shtruar, si Ilia Shyti qëmoti kur rrëfente në 7 pa 10 përrallëzat në Radio Tirana. Cila është fabula? Një paralele me thelbin e “shpërthimit” të Metës. I rrethuar, pa shokë, pa armë, nuk ka rrugë tjetër: me të fundit granatë në dorë po luan në ruletë ruse jetën e tij. Ose e merr plumbi dhe mbaron punë, ose vret tankistët, merr tankun dhe çan rrethimin. Me Vojon ndodhi e para. Me shumë gjasa të njejtin fat i thonë yjet edhe Lirit. Ndaj dhe me “granatën” e fundit këto kohë po tenton “të marrë tankun” e të çajë rrethimin. Me shpresën e madhe se rrethuesit do tuten nga shpërthimi, tanku dhe “armata” e revoltuar e luanëve të lirisë.
Zoti e bëftë mirë për heroin tonë të ri mbi tankun e rilindjes! Por rregulli i artë i historisë është se herën e dytë ajo përsëritet në formë komike.