Home KRYESORE Jeta… Nga Irena Dragoti Kuka

Jeta… Nga Irena Dragoti Kuka

Jeta gjithnjë na frenon revanshin
Ajo vërtitet skajeve të luhatjeve,
siç shket shikimi
kur ndjek në miljen fatale ,
çuditë e një dite rutinë
Horizontin e dridh një frenim i fortë,
e përdhunimi i ajrit nga xhazi
Një rrugë e harruar hapur, pret të mbushë gropat
është çasti kur mendon,se jeta shkon mirë
kur beson se tulipanët e syve veç shtojnë etjen
por etja mbijeton me vesën e ëndrrave
që harroj ndezur sa herë shtrihem të fle
Si zhurmat e gjoksit brenda hojesh ajri
ndizet alarmi
Shoh pyllin nga larg e gjej prekjen e tij
e turbullt udha që ia humb tiparet
por tentoj sërish nën një qiell të rëndë vjeshte
të kapërdij fundliqenin nën krahë ngricash
Këtu çdo gjë më flet për fillimim..
Prej motesh peshkatarët çajnë akullin
në heshtjen e Zotit, guxojnë të mërdhijnë
të provosh është njëjtë e lavdishme
si të jesh hero në dështim

Share: